Në Zvicër gjithçka sillet rreth topit dhe shqiptarëve

6 Qershor 2016, 12:14Sport TEMA

Pak ditë para fillimit të Kampionatit Europian të Futbollit mediet zvicerane shohin vetëm një temë: futbollin dhe shqiptarët. Naser Aliji tregon përse mendon si zviceran dhe luan për Shqipërinë, Amir Abrashit i përmenden disa patate, Gianni De Biasi thotë: «për shqiptarët unë jam zot» dhe Valon Behrami është i shqetësuar me ofendimet nga fansat shqiptarë.

Naser Aliji nga Kumanova është rritur në Zvicër, këtu është bërë futbollist i njohur, por ka vendosur të luajë për Shqipërinë. Më parë ka refuzuar thirrjen e reprezentacionit të Maqedonisë, sepse nuk mund të «identifikohej» me këtë ekip. «Por unë mendoj si zviceran. Disiplina është një vlerë, të cilën e njoh dhe e vlerësoj këtu. Ndonëse së paku njëherë në vit vizitoj farefisin në Maqedoni dhe kam parë shumë vende të tjera, përherë jam i lumtur kur kthehem në Zvicër. Organizimi, saktësia – është vendi më i mirë për të jetuar. Nuk mund ta përshkruaj qartë: këtu unë thjesht ndihem mirë», tregon Naser Aliji në numrin e së hënës të gazetës «Neue Zürcher Zeitung».

Gazeta «Blick» i kushton vëmendje Amir Abrashit, 26-vjeçar, po ashtu lojtar i Kombëtares së Shqipërisë. Ai duket plot vetëbesim për ndeshjen kundër Zvicrës – dhe e përditshmja «Blick», siç e kërkojnë rregullat e pashkruara të gazetarisë bulevardeske, pyet nëse kondicioni i Abrashit buron nga patatet e Bischofszellit. Në këtë qytezë është rritur Abrashi. Bischofszell mund të krahasohet me Pestovën e Vushtrrisë: këtu një fabrikë prodhon produkte të patateve për gjigantin Migros. «Jemi gati për Zvicrën», thotë Abrashi.

Në gazetën «SonntagsBlick» trajneri i Kombëtares shqiptare Gianni De Biasi tregon: «Për shqiptarët unë jam zot». Pas viteve të komunzimit, kur feja ishte e ndaluar, pas viteve të «demokracisë», kur njerëzit në Shqipëri kërkonin qetësi spirituale, duket se tani e kanë gjetur zotin – një italian që lavdëron shampanjën dhe shpreson se do të hyjë në histori.

Për gazetën «Schweiz am Sonntag» ka folur Lorik Cana, i ngarkuar i posaçëm për patriotizëm, orintologji dhe tatuazhe. Në pyetjen «A jeni patriot?» ai përgjigjet: «Jam. Por të tillë janë të gjithë lojtarët e ekipit tonë. Ne jemi pak më shumë krenar për përkatësinë tonë kombëtare se, për shembull, zviceranët». Edhe një batare patriotike nga Cana: «Shumë nga lojtarët tanë janë rritur në botën e jashtme. Por të gjithë kanë folur shqip, kanë ruajtur mentalitetin shqiptar dhe janë krenar për historinë shqiptare». Krenari gjithandej!

Valon Behrami, karriera e të cilit, siç ka thënë ai vetë, po i afrohet fundit, andaj nuk ka gjasa të luajë për Shqipërinë, por vetëm për Zvicrën, ka folur për të njëjtën gazetë. Natyrisht për ndeshjen e futbollit mes Zvicrës dhe Shqipërisë. «Ambienti do të jetë i nxehtë, kjo është e qartë. Nuk guxojmë të bëjmë një gabim: të biem në kurthin e emocioneve të shqiptarëve. Nëse luajmë futbollin tonë, qëndrojmë të qetë, kontrollojmë nervat tona, atëherë kemi më shumë cilësi. Nëse humbim në emocione, do të jetë vështirë. Natyrisht do të flas me ata që për shkak të prejardhjes – ashtu si unë – janë paska të tensionuar. Do të kujdesem që të gjithe të mendojnë vetëm për futbollin. Edhe mua më është dashur të mësojë këtë në të kaluarën».

Behrami ka folur edhe për një temë të pakëndshme – ofendimet nga fanast shqiptarë. «Kam folur së fundi me prindërit e mi: si është e mundur që shqiptarët në Zvicër të fishkëllejnë më shumë dhe të brohorasin fyerje më të rënda se në Tiranë? Ka shumë shqiptarë në Zvicër, ata kanë pothuaj të njëjtën histori si ne. Kanë ardhur këtu, është dashur të gjejnë veten, të përparojnë. Në kohën kur vinin shumë shqiptarë, kishte shumë probleme. Ekzistonte imazhi i shqiptarit kriminel. Besoj se falë futbollit ne mund të japim një kontribut që njerëzit të kenë një imazh tjetër të shqiptarëve». Edhe një lajm: është e mundshme që gjatë Kampionatit Europian Behrami të bëhet baba për herë të dytë, njofton «Schweiz am Sonntag».

Gazeta «SonntagsZeitung» ka bërë një udhëtim nga Struga në Mitrovicë – dhe është ndalur në fshatrat dhe qytetet ku kanë lindur gjashtë futbollistët e Zvicrës me origjinë shqiptare. «NZZ am Sonntag» shkruan për ndikimin e migrantëve në ekipin kombëtar të Zvicrës – një ndikim që është rritur pandërprerë në katër dekadat e fundit. Kjo temë ka fituar një dinamikë politike.

2 komente në “Në Zvicër gjithçka sillet rreth topit dhe shqiptarëve”

  1. albaniafirst says:

    Behrami, ne ndryshim nga te tjeret qe luajne me Zvicren, u thirr nga kombetarja shqiptare kohe me pare se ti bashkohej Zvicres dhe nuk pranoi. Eshte legen dhe ben gabim qe thote se jam shqiptar.
    Shqiptaret e vertete nuk e shesin vendin e tyre per pare. Po te ishte per para edhe Cana nuk do kishte luajtur per ne, por mund te lunate per Zvicren apo Francen, por ai dhe te tjere se ai, zgjodhen Shqiperine se asaj i perkasim qe te gjithe, pamvaresisht se ku jetojme. Jemi djemt dhe vajzat e prinderve tane qe na mesuan ta duam vendin tone pa asnje kusht e kondite.

  2. Genti says:

    Ju a bete mendjen Tope ketij populli. Njerezit nuk kane buke te hane ne Shqiperi dhe po i mbyt keqeverisja, kurse ju merreni me breket dhe fanellat e De Biasit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje