Kur ndërkombëtarët flasin shqip! Cili do të jetë qëndrimi i deputetëve të PD?

9 Qershor 2016, 08:33Politika TEMA

Andrea Stefani në një shkrim për gazetën “Dita” analizon deklaratat e ambasadës amerikane, e cila sipas tij ka folur shqip, ndërsa pret me shumë interes qëndrimin e deputetëve të PD.

Sipas tij, thirrja e SHBA dhe BE ndaj deputetëve për qëndrime individuale ndaj reformës është më se e qartë.

“Ndërkombëtarët kanë folur shqip duke i thënë lidershipit të PD-së, mjaft! As arroganca, as sulmet ndaj ambasadores Vlahutin, as shantazhimi me djegien e mandateve nëse ndonjë deputet i PD do votonte pro reformës nuk i kanë mjaftuar Berishës dhe Bashës që të thërrmojnë vendosmërinë e ndërkombëtarëve për të finalizuar reformën në drejtësi brenda këtij sezoni parlamentar.

Dje si delegacioni i Bashkimit Europian ashtu edhe Ambasada e SHBA-së kanë folur shqip në favor të miratimit pa vonesë të reformës duke kritikuar mos arritjen e një marrëveshje në takimin Rama-Basha. Por si rrallë herë më parë shigjetat janë drejtuar tek pala fajtore duke e evidentuar qartë fajësinë e lidershipit opozitar. “Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë” – thuhet në deklaratën e SHBA-së. Dhe kjo është plotësisht e vërtetë.

Sepse, ndërsa mazhoranca pranoi kushtin e opozitës prej 2/3 nga ana e saj opozita ofroi me arrogancë maksimale një tjetër kusht, atë të vendeve të rezervuara. Dhe kështu do të pasonte reaksioni zinxhir i kushteve që do ta shtynin reformën për në kalenda. Fatmirësisht, ndërkombëtarët kanë folur shqip duke thënë, mjaft.

Deklarata amerikane ka shkuar edhe më tej duke shprehur, po shqip, mbështetjen edhe për vendimin e kryeministrit Rama për dërgimin e draftit të reformës për tu votuar në Parlament. “Qeveria e SHBA mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit” – thuhet në deklaratën e ambasadës. Në këtë pikë sinkroni i ndërkombëtarëve (europianëve dhe amerikanëve) bëhet edhe më i plotë ndërsa i drejtohen me thirrje deputeteve shqiptarë të të gjitha palëve (pra edhe deputetëve të PD) që të marrin përgjegjësitë individuale para popullit shqiptar që është i etur për reformën në drejtësi. “Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë së korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë” – shkruhet ndër të tjera në deklaratën e ambasadës së SHBA.

“Të gjithë anëtarët e Kuvendit mbajnë përgjegjësi të veçantë para shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që kërkojnë një gjyqësor të pavarur, profesional, të paanshëm dhe efektiv” – shkruhet në deklaratën e Delegacionit të BE. Sinkroni është I plotë dhe thirrja drejtuar deputetëve është një shuplakë për Berishën dhe Bashën që duke i shantazhuar edhe deputetët e tyre me djegie mandatesh po përpiqen të sigurojnë një unitet bolshevik të grupit parlamentar të PD jo vetëm kundër ndërkombëtarëve por edhe popullit shqiptar që është shprehur në masën 95 përqind në favor të reformës në drejtësi.

Ndërkombëtarët kanë folur këtë herë shqip duke e ndarë shapin nga sheqeri, duke ndarë ata që janë pro reformës në drejtësi dhe ata që janë kundër saj por maskohen me gjoja shqetësimin për kapjen e  drejtësisë nga qeveria. Janë vërtetuar tashmë edhe kritikat nga brenda PD (si për shembull Eduard Selami) që pati tërhequr vëmendjen se taktika e devocionit të rremë ndaj reformës e ndjekur nga dyshja Berisha dhe Basha, do ta vendosnin PD përballë ndërkombëtarëve.

Mbetet të shikohet se cili do të jetë qëndrimi i deputetëve të PD pas kësaj thirrje që i bëhet secilit prej tyre nga amerikanët dhe europianët. A do të ketë mbetur në karakterin e tyre një masë sado e vogël lirie që ti bëjë ti përgjigjen kësaj thirrje duke e votuar reformën, një thirrjeje që, në thelbin e vet, është thirrja e sovranit që i ka deleguar si përfaqësues të tij? Do të mund të ngrihen në lartësinë e përfaqësuesve të lirë të sovranit apo do të dëshmojnë se korrupsion dhe përfitimet i kanë degraduar në skllevër konformistë të liderit që ja sundon mendimet dhe vullnetet, në qenër besnikë të korrupsionit dhe të një sistemit pa drejtësi? Nëse do të votojnë pro reformës ata do mund të ndahen nga Berisha dhe humnera ku ai po i tërheq. Por edhe nëse i qëndrojnë besnik kultit anakronik të liderit të tyre historik, dëmi do jetë vetëm i tyri. Me këtë mbështetje kaq të qartë dhe të vendosur të ndërkombëtarëve reforma në drejtësi, pavarësisht sfidave që e presin, e ka të fituar davanë. Dhe bashkë me të edhe Shqipëria dhe shqiptarët. Ja sa mirë është kur flitet shqip!”, shkruan Stefani tek ‘Dita’.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje