Në mungesë të një linje direkte ajrore nga Prishtina, shumë tifozë të Kombëtares kishin zgjedhur të premten në mëngjes Shkupin dhe lidhjen me Parisin për të përcjellë për herë të parë Kombëtaren shqiptare në një turnir të rëndësishëm të futbollit siç është Kampionati Europian. Tema që ishte tabu të diskutohej deri në tetorin e vitit të kaluar, tani është realitet: çfarë rezultati do të arrijnë në fushën e lojës shqiponjat kuqezi.
Agoni, një djalë rreth të tridhjetave, i cili punon në një kompani private në Prishtinë, tha se ka kursyer mjaft nga tetori për të shpërblyer veten me një udhëtim në Francë. «Frika më e madhe ka qenë puna e vizës, e cila, në fakt, njëherë më është refuzuar, por pastaj, në tentimin e dytë, e kam marrë në Ambasadën e Zvicrës, pa dashur të paragjykojë nëse kjo ka lidhje me duelin që kemi me ata në takimin e parë», tha ai. Ende pa përfunduar ai fjalën, një mik i tij kyçet në bisedë: «Ata edhe këtë na e bëjnë: nuk na japin vizat vetëm të mos përkrahim Kombëtaren. Këtë ta arsyetoj edhe më faktin se si mund të ndodhin kaq shumë refuzime kur jemi afër liberalizimit të vizave».
Duke pritur rendin për të kaluar në «check-in», shumica e bisedave orientohen nga bindja e bashkimit kombëtar. Ajo që të befason është përqeshja që ia bëjnë shumica flamurit e himnit të Kosovës.
Të veshur me fanella të Kombëtares dhe rekuizita të tifozëve kuqezi, ata hipin në aeroplan dhe kush më shumë e kush më pak fillon të emocionohet me bindjet e tij rreth rezultatit.
Ata pak maqedonas i shikojnë me një injorancë, ndërsa mes vete me zë të ulët shprehin mëri. Jo të gjithë mund të luajnë në euro2016, ai që humb ka të drejtë të hidhërohet, thonë në sport.
Në mesin e udhëtarëve ka edhe shqiptarë nga Maqedonia, të cilët kanë përfaqësues të tyre, por edhe nga Presheva e Bujanoci, të cilëve të gjithë ua pranojnë se selektori, Gianni De Biasi, gaboi që nuk e mori Berat Gjimshitin, një tjetër lojtar shqiptar i formuar në Zvicër që ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë dhe për Atalanta në Itali.
Të gjithë përkrahësit e Shqipërisë duan kualifikimin për në xhiron e dytë apo atë eliminatore duke shfaqur ambiciet secili ndryshe e me kombinatorika të golave, fitoreve e barazimeve.
Përnjëherë sikur bie entuziazmi kur iu kthehet mendja tek loja e parë – ajo me Zvicrën e shqiptarëve, të cilët pasi që i lavdërojnë disi, u qajnë hallin pse nuk janë pjesë e Kombëtares dhe, në fund, pajtohen t’u japin hakun, duke thënë se janë lojtarë të klasit botëror.
Kohë për pushim apo gjumë askush nuk ka, sepse bisedat që zhvillohen janë kolektive, nga rendi i ulëseve në rendin tjetër, gati secili imponon optimizmin e vet për sukses. Një nga ta është Bashkimi, një djalë nga Kumanova, i cili insiston: «Pas fitores kundër Zvicrës dhe kualifikimit të gjithëve do t’u bie unë ndërmend, sepse nuk më keni besuar». Nuk vonon dhe ndonjëri i jep vulën bisedës me kërkesën e vetme: vetëm le të fitojnë, për të tjerat nuk është problem.
Bisedat dhe qejfin nuk ua prish asgjë, as disa vajza me selfiet e panumërta, as tre fëmijë që po qanin kohë pas kohe, herë njëri, herë tjetri.
Fitim Xharra është një nga tifozët e parë të grupit «Tifozët kuqezi», që së fundi janë kundërshtuar edhe nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili iu hakmor atyre për fishkëllima duke e lënë të shkapërderdhur këtë grup besnik të përkrahësve të Kombëtares sa i përket biletave, madje duke krijuar edhe një grup të ri të tifozëve. «Shumë gëzim e shumë lodhje, por kjo lodhje duket më e bukur se rruga e vjetër e Kukësit që e kemi kaluar me vite. Jemi të shkapërderdhur në stadium, por besoj se futbollistët tanë do të ndjejnë përkrahjen e çdo shqiptari edhe nga shtëpitë e tyre», tha Xharra, i cili është i angazhuar edhe në Fan Embassy, një organizim jashtë stadiumeve të Euro 2016 nga UEFA.
Me të ateruar në kryeqytetin e Francës, dëgjohen disa duartrokitje, tifozët e ri i nxjerrin plisat duke i vendosur në kokë me premtimin që ka marr hov: «Me plis në Paris». Fansa të tjerë mbështillen me flamurin kombëtar.
Stafi i aeroportit të vogël Beauvais vret mendjen se nga cili vend vijnë këta fansa, ndërsa brenda ndërtesës policia përfundon kontrollin shpejt, edhe pse duket se është në gjendje gatishmërie, madje e veshur ne jelek anti-plumb. Me të përfunduar edhe këtë procedurë, kur dalin jashtë objektit tifozët ndahen në grupe siç kanë ardhur dhe urojnë për fitore së pari në Lens, atje ku të shtunën Kombëtarja shqiptare del nga inferioriteti 84 vjeçar për t’u renditur ndër ekipet e respektuara të sportit më të popullarizuar në kontinentin e vjetër.
Me pëlqeu shume ky shkrim,
Festa dhe gëzime paçin të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Le të shijojmë e gëzojmë se shumë kemi vuajtur të gjithë shqiptarët nga të gjitha anët e kufirit!
Urime edhe shqiptareve qe luajne me ekipet e tjera se dhe ata bij nënash shqiptare janë.
Uroj të dalin kampjon të Europës. Le të fitoj më i miri.