Lorik Cana: Ta shijojmë këtë arritje të madhe

11 Qershor 2016, 10:33Sport TEMA

Momenti i së vërtetës ka ardhur. Kapiteni është gati edhe pse e pranon që pesha e emocioneve ka nisur t’i rëndojë mbi këmbët e tij. Edhe pse një lojtar me shumë eksperiencë dhe lider i padiskutueshëm i Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana e pranon që zemra ka nisur t’i rrahë më shpejt pasi skuadra për të cilën ka derdhur djersë tashmë po bëhet gati për të nisur një rrugë të re në elitën e futbollit europian.

“Muajt e fundit të gjithë kemi pritur që kjo ditë të vinte sa më shpejt. Sa më shumë afrohet kompeticioni aq më shumë rritet tensioni por jemi munduar të fokusohemi te puna. Jemi përqëndruar në aspektin fizik që do ta ndihmojë shumë kombëtaren gjatë europianit”.

Shqipëria është një skuadër pa eksperiencë në nivele të tilla, por për Canën, kuqezinjtë kanë kaluar momente edhe më kulminante gjatë eliminatoreve dhe këtë eksperiencë duhet ta shikojnë.

“Kur je debutues, sigurisht përvoja nuk është në anën tonë, por në të shkuarën kemi kaluar beteja më të vështira prandaj do ta përjetojmë me ndjenja pozitive. E rëndësishme është që të luajmë sa më mirë dhe rezultati vjen në plan të dytë”.

Derbi shqiptarësh por derbi edhe në familjen Xhaka. Çfarë këshillash i ka dhënë Cana Taulantit për duelin me vëllain e tij?

“Familjen e Taulantit dhe Granitit kam më shumë se 20 vjet që e njoh dhe janë njerëz të mrekullueshëm. Kam një respekt të madh për ta. Të gjithë do të dëshironin që edhe Graniti të ishte me ne. Me Taulantin bëj shaka dhe batuta. Ai ka një eksperiencë të madhe dhe nuk ka nevojë që të flas me të për sfidën ndaj Granitit”.

Në fund, Cana e pranon se koha ka kaluar dhe shpreson që historia e përballjeve të dy viteve më parë me Zvicrën të mos përsëritet.

“Në krahasim me dy ndeshjet e shkuara ndaj Zvicrës shumë lojtarë ndryshojnë por nga e kaluara duhet të mësojmë për ta shfrytëzuar në të tashmen. Duhet të jemi shumë të përgatitur. Si ne dhe Zvicra jemi rritur shumë gjatë këtyre dy viteve”.

Super Sport

1 komente në “Lorik Cana: Ta shijojmë këtë arritje të madhe”

  1. prona PrivateFirmaLSI meta says:

    Suksese dhe ishalla nje barazim se fitorja do ti mbyllte gojen Evropes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje