E shtunë, 14 dhjetor 1992.
Në ora 9, mbledhja e Kryesisë. Po prisnim në zyrën e Fatosit ku zhvillojmë mbledhjet e Kryesisë, kur vjen Kristina dhe me një lloj ndrojtjeje na thotë:
– Kryetari është sëmurë dhe nuk do të vijë në mbledhje!
Për raste të tilla kjo është forma e lajmërimit, jo drejtpërdrejt me ndonjë nga ne, kolegët e tij. Veçse ky po bëhet “avaz i zakonshëm”. Që sot filloi të më duket “sëmundja” si një lloj alibie! Mbledhjen e drejtova unë. Morëm në shqyrtim: 1. Gjendjen financiare të partisë në rrethet Durrës, Krujë dhe Lezhë. Kishim thirrur në mbledhje edhe tre kryetarët përkatës. 2. Diskutuam rreth platformës për riorganizimin e PS-së mbi bazë territori. Diskutimi përfundimtar në KPD ditën e shtunë.
Pas mbledhjes së Kryesisë thërras në zyrë Sabitin dhe i them:
– Kësaj here do të bisedojmë lidhur me profesionin tuaj të nderuar. Je doktor i mirënjohur, specialist pikërisht për ato sëmundje nga të cilat ankohet kryetari. Pse nuk ke vajtur ndonjëherë ta ekzaminosh dhe ta kurosh?
Ai më tha drejtpërdrejt:
– E para, sepse nuk më ka kërkuar ndihmë; e dyta, sepse ai nuk është sëmurë…
Dhe si mjek me shumë përvojë solli disa hollësi për të vërtetuar konkluzionin. Kjo më shqetësoi edhe më tepër, tashmë në një rrafsh tjetër, atë etik, por edhe politik e konspirativ duke e lidhur me Crosse the Bridge-in e një viti më parë…! I kërkoj zyrtarisht (dhe shoqërisht, kuptohet) që t’i shkojë në shtëpi, ta vizitojë dhe të na thotë përfundimin. – Në se është sëmurë ta ndihmojmë…
Kështu dhe u bë. Më pas ai më tregoi me hollësi takimin me Xhinën, hezitimin e saj, vajtjen e saj për të marrë miratimin e Fatosit, për dhomën e errësuar nga perdet e trasha, për vizitën e zgjatur…
– Ç’të them o profesor. I thashë që vija me porosinë tuaj e të Kryesisë, pranoi ta vizitoja si mjek dhe them me bindje se e vetmja sëmundje e tij është dehja. Rri gjithë natën duke pirë dhe të nesërmen vuan për gjumë. Dhoma që “qelbej” nga era e alkolit “fliste” vetë.
E falënderova doktor Sabitin dhe me vete mendova: ja dhe një tregues që Crosse the Bridgefunksionon…!
E martë, 17 dhjetor 1992.
Mbledhja e Kryesisë Ekzekutive (Fatosi, unë, Gramozi dhe Namiku), për të informuar Fatosi mbi vizitën në SHBA e Itali 29 nëntor-7 dhjetor 1991. Siç kishim rënë dakord me Fatosin, sot do të diskutojmë për takimin misterioz në Uashington. Në fillim pozova shqetësimin:
– Në momente kritike e tepër të rëndësishme kur duhen marrë vendime dhe duhet vepruar menjëherë, Kryetari ose thotë “jam sëmurë” ose shkon jashtë vendit. Konkretisht: në krizën e Qeverisë së Stabilitetit nuk ishte në mbledhjen e qeverisë më 29 nëntor 1991, mora pjesë unë dhe Namiku, partitë e tjera përfaqësoheshin me kryetarët; më datën 3 dhjetor 1991 te Presidenti shkova unë; më datën 4 dhjetor 1991përsëri në mbledhjen e Qeverisë shkova unë, se Fatosi nuk ishte; na u tha se është në një takim me Kraksin, por takimi po zgjatej gati 10 ditë. R. Alia më telefonon në atë situatë të jashtzakonshme dhe habitet që unë nuk dija gjë për udhëtimin e Fatosit! Sot ne duam të dëgjojmë të vërtetën, sepse për më se një vit plot mistere janë mbajtur të fshehta për ne drejtuesit e PS-së dhe kolegët e tu.
Fatosi pranoi se ka gabuar që nuk na ka vënë në dijeni për të vërtetën dhe filloi të thotë ato që kam shënuar në ditarin e dt. 8 dhjetor 1992, me përjashtim të parullës: Crosse the Bridge! Pas një pauze, folën Namiku dhe Gramozi. Të dy shtruan pyetjen si është e mundur që nuk e bisedove një gjë të tillë, nëse e quaje një lloj “halli”? Sot, shtoi edhe një person të tretë (më duket një mjek, Shpëtim Telegrafi) që e paska ndihmuar në dy tre raste duke i dërguar prej Amerike me faks ato që bënte S. Berisha këtu apo jashtë. Pra, donte të ruante atë, prandaj nuk paska folur.”Sa më thellë më ruda”- thoshte Nastradini! Menjëherë shton:
– E quaja diçka që kaloi, prandaj nuk ju thashë gjë!
Këtu e ndërpreva duke e pyetur:
– Po të mos e kisha marrë vesh si thashethem, a do të vazhdoje ta mbaje të fshehtë?
– Po, tha pa mëdyshje!
– Po telefonatat pas mesnate a do të të linin të qetë?!
Më shumë se një pikëpyetje. Rast pa precedent. Qoftë rast i izoluar vetëm me Fatosin! (Kuptohet, nuk duhet të ngutemi, mendova, për ta shtrirë më tej informimin rreth kësaj çështjeje, apo për të marrë ndonjë masë, se do të dukej sikur po shohim kudo, njëlloj si në të kaluarën armiq, spiunë e komplote. Veçse edhe ta mbyllësh, nuk e mbyll dot. Shumë gjëra le t’i mbeten kohës dhe gjykimit mbi bazën e pasojave që mund të na ndodhin… Kam bindjen se një konspiracion i tillë “është i qepur keq” dhe do të zbërthehet doemos nga ngjarjet që do të vijnë…!
E hënë, 30 dhjetor 1992.
Si për ta mbyllur vitin që po lemë pas me “hidhërimin” karakteristik që shoqëron ngjarjet, sidomos ato politike në një kohë tranzicioni, po shpreh disa objeksione rreth fakteve që kanë të bëjnë me shokët me të cilët punoj, që takohem gati çdo ditë, përshëndetemi, i buzëqeshim njëri-tjetrit, i rrahim krahët, i themi më pëlqeu shumë diskutimi, artikulli, veprimi, thënia jote në “x” e “y” rast, më pas në takimin me një tjetër ndodh që po ai të thotë: “na lodhi ky profesori me akademizmin e tij, nuk shkohet në Evropë me të, ma kanë thënë troç plot të huaj: “E sa kohë do ta mbani në krye atë marksistin ortodoks”! I. Meta, prapa krahëve më quan “plaku”. Dikush tjetër më etiketon padrejtësisht “si zëvendësi i Fatosit që i mbulon gjynahet”(!) etj., etj. Pra, kemi defekte në lidhjet shpirtërore, në sinqeritetin dhe besimin reciprok që janë shumë të rëndësishme për një parti serioze dhe me ambicie të mëdha për të qeverisur vendin.
Ndërkohë, këto mund të quhen të vogla, shfaqje papjekurie e disa të rinjve… pra diçka kalimtare…! Por ka edhe “thashetheme” të një natyre tjetër që cënojnë rëndë kohezionin tonë të brendshëm. Maqo Lakrori, i afruar çuditërisht me I. Lleshin (i dorëhequr nga drejtimi i PS-së), po përpiqet “me iniciativë”, por pa thënë asgjë në Kryesi, të formojë një grup me intelektualë për të përpunuar një alternativë ekonomike të PS-së. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por i ka thënë Gramozit se do të shkojë në bazë për ta mbrojtur! Më tej i ka thënë po Gramozit, se do të shtrojë në kryesi çështjen e vajtjes së fshehtë të Fatosit në ShBA në fillim të dhjetorit 1991, sepse atje “Nano na shiti”. Gramozi, i kujdesshëm e parimor si gjithmonë, më informon se e kishte biseduar gjatë me Maqon këtë çështje. Shkëmbyem mendime për hapat e mëtejshëm. Ndër të tjera i them:
– Në se ai do ta kërkojë zbardhjen e “aferës Nano”, është e drejta e tij, nuk kam asgjë kundër, por të zërë anëtarët e Kryesisë një nga një për të përgatitur terrenin, siç po bën ai, kjo është e gabuar, fraksioniste. Veçse, në një linjë të ngjashme janë edhe disa nga intervistat e P. Majkos, që është bërë i preferuari i organeve të shtypit të orientuara kundër nesh. E çfarë nuk thuhet në to për F. Kumbaron e B. Zenelin, të dy anëtarë të kryesisë. Vetë Fatosi ka “lidhje tavolinash” me ta, kurse ata, me sa duket, një lloj “pushteti” mbi të! Po a ka kuptim të hapim tani çështje të tilla? Kjo meriton “shoshitje” të kujdesshme…
Në këtë fund viti më befasoi edhe E. Kolaneci, shoku im i gjimnazit dhe ambasador në Vjenë. Engjëllin e kishte takuar një mik i Shqipërisë e biznesmen i fuqishëm austriak që kishte pritur e trajtuar si miq Fatosin dhe Bashkimin në hotelin e tij tepër luksoz, pa paguar asgjë për fjetje, ngrënie, pije. Por ata, i kishte thënë ai, kanë abuzuar në mënyrën më të paturpshme duke marrë me firmë bizhuteri me një vlerë mbi 13 mijë shilinga! Nuk ju besoja veshëve. I them Engjëllit:
– A ka ndonjë mundësi që të jetë ngatërruar miku nga Austria?
– Në asnjë mënyrë, m’u përgjigj ai.
Kishte faturat dhe m’i tregoi. Ja dhe një proçkë tjetër e Fatosit, mendova me vete. Engjëlli më tha:
– Ai nuk kërkon kthimin e parave të vjedhura, por që shokët e tyre në parti të dinë të vërtetën për drejtuesit që kanë.
Kurse vetë ai, sipas ambasadorit, ishte shprehur ashpër e prerë:
– Nuk dua t’ua shoh kurrë më sytë.
U ndamë me Engjëllin duke i uruar njëri-tjetrit Vitin e Ri, por dhe me premtimin që unë i dhashë për t’ia thënë këtë shqetësim në takimin më të parë Fatos Nanos. Sa përcolla Engjëllin, shkova te Fatosi në zyrë. Më dëgjoi pa interes. Dukej që ishte në dijeni. Më pas, duke ia faturuar Bashkimit, tha si nëpër dhëmbë:
– Do të ketë marrë ndonjë gjë Bashkimi, por ai ja ka futur shumë, 13 mijë shilinga!
U habita nga një logjikë e tillë! Megjithatë, sa u largova unë nga zyra e tij ai e thirri “bashkëvuajtsin”, sepse isha ende në korridor dhe e pashë Bashkimin që disi i alarmuar shkoi tek Fatosi. Ja dhe një “Peshqesh” jo i zakonshëm për Vitin e Ri, mendova! Njëherësh, u betova para vetes dhe po e “shenjtëroj” në ditar: sa të jem në këtë parti, gjëra të tilla nuk kam për t’ia falur askujt! Gjithsesi, pa harruar se ushqimi i shpresës është një shpresë tjetër!
*Fragment nga libri “Përvoja ime në Partinë Socialiste”
Nuk ka komente per mender FATOS NANON. Kjo tregon se nuk paska ose nuk ekzistojne militantet dhe simpatizantet e TOSIT, te PS-se e te RILINDJES.
Po nga krahu PD-se pse s’paska komente, sepse keto jane te thekur per kodra mbas bregut.
Eee, kjo tregon qe as militanteve dhe simpatizanteve te SALI BERISHES, te PD-se nuk i intereson komentet per TOSI-n qe i vjen mbrapa historia, desha te them i vjen mbrapa boti i rakise, Kjo ndodhe sepse te dyja palet jane njesoj, njelloj, por neser i duhet te komentojne, te brockullisin edhe per SAAALIN, per LULEZIM BASHE-n e keshtu me radhe.
Pra, te dashur popull, keto jane tema qe nuk na interesojne, sepse cfare me duhet mua sec ben TOSI, SALI, por ne fund te fundit nuk me duhet se cfare bej edhe une. Kjo tregon se jam dhe une shume i shkathet dhe i zgjuar.
Një duhanpirës i regjur, një kafshë sociale që shijon bredhjet në orët e vona të natës me rrethin e ngushtë të shokëve politikanë. Nano është serioz edhe kur bën shaka”,