Filloi mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që vendos nëse do futet reforma në rend dite

22 Qershor 2016, 19:37Politika TEMA
Filloi mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin,

Ka nisur mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në Kuvend, pas letrës që Ilir Meta i dërgoi mëngjesin e sotëm anëtarëve të këtij këshilli.

Kryeparlamentari kërkon interpretim të nenit 77 të rregullores së Kuvendit për futjen në seancë plenare të draftit për ndryshimet Kushtetuese, kur këto ndryshime janë hartuar nga një komision i posaçëm parlamentar sikundër është komisioni për reformën në drejtësi.

Arben Ristani tha se deputetë të maxhorancës u përpoqën që të anashkalojnë nenin 77 të rregullores për kalimin e draftit të reformës në drejtësi. Ristani tha se drafti duhet të kalojë në konferencën e kryetarëve dhe se opozita di këtë rrugë të vetme, zbatimin e nenit 77.

“Ishte një kërkesë jashtë ligjit, jashtë normales me sa duket menduan ta shtrojnë në komisionin e rregullores për t’ju përgjigjur pyetjes nëse duhet të zbatohet neni 77. Neve nuk na bind logjika e të majtëve por rregullorja e kuvendit. Edhe ne duhet ta fusim shpejt por rregullores nuk kemi çfarë të bëjmë. Do kalojë nga konferenca e kryetarëve e cila do vendosë sigurisht në bazë të rregullores. Kemi të bëjmë me një reformë të rëndësishme që me sa duket do shkojë pa konsensus sepse ata nuk duan të ecin me shpejtësinë veneciane. Është një ecje arrogante, shumë vite prapa për Shqipërinë. Edhe për dekriminalizimin është ndjekur e njëjta procedurë sipas nenit 77.  Kur kalohet në seancë kalohet mbi bazën e nenit 77 të rregullores. Kjo është e shkruar dhe nuk di tjetër. Duhet të ecim në bazë të rregullave të shkruara. Praktika e kësaj maxhorance që ecën sipas kohës së Enverit: “Pse ligjet tona do na pengojnë ne?!”, deklaroi Ristani.

Balancat ndryshojnë nga qëndrimi i kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Mbetet për t’u parë në përfundim të mbledhjes nëse Meta do të votojë pro apo kundër futjes në Kuvend të draftit të reformës në drejtësi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje