Cili ishte objekti i punes i Komisionit sot?
Ishte një mbledhje paksa e gjatë për shkak se u shqyrtua nen për nen projektligji për Gjykatën Kushtetuese.
Natyrisht pati diskutime, pati debat ndërmjet anëtarëve të komisionit, eksperteve për çështje të veçanta. Mundëm që t’i kalojmë gjatë këtij diskutimi të zgjatur të gjitha nenet dhe mbeten 3-4 nene të hapura për t’i dhënë mundësi ekspertëve të reflektojnë mbi përmbajtjen e tyre bazuar edhe në çështjet që trajtuan kolegët deputetë.
Besoj që ditën e premte do t’i rishohim edhe këto nene për ta përmbyllur të gjithë diskutimin për projektligjit për Gjykatën Kushtetuese.
Cilat janë këto nene z. Xhafaj?
Janë nene që kanë të bëjnë kryesisht me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Për shembull sot ka një diskutim të madh nëse bashkë me shpalljen e diapozitivit, a duhet të shpallet vendimi i arsyetuar apo jo? Ose nenet që kanë të bëjnë me këshilltarët sesi do të jetë statusi i këshilltarëve ligjorë dhe sesi ata do të jenë në funksion të efikasitetit të punës së Gjykatës Kushtetuese dhe një sërë dispozitash të tjera të kësaj natyre.
Mungesa e miratimit në tërësi të projektligjit i referohet këtyre neneve që thatë ju dhe jo mundësisë që PD t’i rikthehet diskutimeve dhe ajo të japë sugjerimet e saj?
Ne jemi në procesin e gjykimit të debatit për ligjin. Kemi votuar ligjin në parim. Kemi shqyrtuar dhe miratuar nen për nen, ashtu si kundër ka ndodhur në çdo proces tjetër që bëhet edhe në Komisionin e Ligjeve. Rregullat janë të ngjashme edhe për Komisionin e Posaçëm. Për dispozitat që kanë nevojë që të rishihen, të ripunohen apo të ritrajtohen lëmë kohën e mjaftueshme.
Nga ana tjetër është një praktikë, siç jua thashë, e njohur edhe për faktin se jeni gazetarë të atashuar pranë Komisionit të Ligjeve, që kur ka ligje të kësaj natyre që janë delikate, ligje voluminoze apo ligje që kanë efekte të rëndësishme, ne lëmë një kohë ndërmjet kalimit nen për nen dhe votimit në tërësi në mënyrë që të zbardhet ligji, të shikohet teksti i integruar për të parë edhe deputetët nëse janë reflektuar nen për nen apo jo kërkesat e tyre.
Çfarë përmban dhe çfarë është ndryshuar konkretisht ligji për Gjykatën Kushtetuese?
Ligjin për Gjykatën Kushtetuese e keni në website e Kuvendit. Mund ta merrni ligjin e plotë së bashku me relacionin shoqërues dhe mund ta shikonin se cilat janë risitë që sjellë ky projektligj.
Gjithsesi shërbimet e Kuvendit që merren me marrëdhëniet me publikun do të vënë në dispozicion edhe relacionin e paraqitur nga relatori z. Manja.
PD thotë se diskutimi që ju po bëni së bashku me ekspertët ka një vlerë zero dhe ka paralajmëruar një djegie të Kuvendit referuar këtyre diskutimeve dhe dërgimit në Kuvendin e Shqipërisë të afatit brenda 15 korrikut për të miratuar ndryshimet Kushtetuese dhe paketën e emergjencës. A keni një përgjigje për këtë?
Janë rritur shumë temperaturat kohët e fundit dhe mund të dëgjosh lloj- lloj çudirash për djegie, për shkatërrim . Besoj se është thjesht efekti i temperaturave të larta.
Është thirrur sot pasdite dhe një mbledhje e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe përsa kemi mësuar ka të bëjë me Reformën në Drejtësi. A mund të sqaroni se çfarë pritet ?
Këshilli i Rregullores është thirrur të diskutojë për kërkesën e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së përfshirjen në rend të ditës të projektit Kushtetues dhe shtatë ligjeve prioritare që shoqërojnë projektin Kushtetues.
E kishte kërkuar për thirrjen e Konferencës së Kryetarëve?
Kryetari i Kuvendi e ka çmuar të konsultohet edhe me Këshillin e Rregullores për të parë çështje të caktuara në Rregullore dhe mbetet për t’u parë se çfarë do të diskutohet aty.
Nuk mund të kërkoni diçka paraprake prej meje. Ky është një fakt i njohur që në orën 18”00 do të jetë Këshilli i Rregullores dhe gjithçka do të jetë transparente edhe për ju.