Brenda spitalit ku trajtohen civilët, talebanët dhe ushtarët afganë
Reportazh nga Danielle Moylan
Një pasdite të vonë në Lashkar Gah, kryeqyteti i provincës Helmand të Afganistanit, Spitali i Emergjencave Kirurgjikale për viktimat e luftës është çuditërisht i qetë. Pas një jave të ngarkuar, me temperatura që arrinin gjer në 40 gradë, punonjësit me vështrimin e zbrazët duken të rraskapitur. Tri nga infermieret e reja të huaja – Chiara Lodi dhe Pamela Puccio, Italiane, dhe Ciaran Dunleavy, një Britanik me syze – kontrollojnë pacientët, e më pas tërhiqen bashkë me cigaret dhe kafen e fortë për të plotësuar letrat. Flitet se sot do ta mbyllin më herët.
Por, kjo nuk zgjat shumë. Katër pacientë të rinj, ushtarë Afganë nga Marjah, futen nxitimthi në dhomën e urgjencave. Kamioni i tyre ka kaluar mbi një zonë të minuar. Njëri prej tyre, me këmbët e gjakosura të fashuara tek kofshët, është tashmë i vdekur. Një tjetër, mesa duket i palënduar, përkulet në dyshemenë e dhomës duke shtrënguar kokën mes duarve. Dy të tjerët, me këmbët dhe krahët e mbuluara nga plagët e shrapnelit, u ulën dhe vështrojnë kufomën e mikut të tyre, teksa infermieret iu pastrojnë plagët.
Duke numëruar gjer në tre, ndihmëmsit e spitalit ngrenë kufomën e ushtarit e të vdekur dhe pasi e kanë mbështjellë me një plastmas të zbehtë, e transferojnë në morg, ndërsa pas mbetet dysheku i gjakosur.
Një nga administratorët e spitalit, Massimo Malandra, një Italian rreth të 40-ave, ndalet për disa çaste duke vëzhguar rrëmujën. “Helmand,” thotë ai zymtë, para se të largohet sërish.
Urgjenca, një organizatë ndërkombëtare joqeveritare, është themeluar në 1999 në Afganistan nga kirurgu i luftës, Dr. Gino Strada, personalitet mjaft i debatuar në Itali për pikëpamjet kundër luftës. Qëllimi është tepër i thjeshtë: të ofrojnë kujdes shëndetësor të klasit të parë, falas për të gjithë viktimat e luftës, pavarësisht kahut të cilit i përkasin…
…Në njërin nga shtretërit, një vajzë e vogël e quajtur Guldana, qëndron shtrirë e heshtur, me fashot që i mbulojnë plagët e plumbave në kokë dhe këmbë. Shahguda, një 30-vjeçare katër muajshe shtatzënë, është duke u rekuperuar nga një operacion, pasi një predhë i këputi krahun. Airfullah, oficer policie, i shoqëruar nga disa kolegë në panik, të cilët thanë se kishin tri ditë pa ngrënë, përsërit pareshtur “këmba ime,” teksa e futin në dhomën e urgjencave. Një pajisje shpërthyese e improvizuar, ia ka hedhur në erë këmbën.
Ndërsa gjatë vizitës sime haja darkë me pjestarët e stafit, ata dukeshin të trishtuar. Një djalë 10-vjeçar, i cili kishte mbërritur disa javë më parë në gjendje kritike, sapo kish vdekur. “Nuk kisha parë kurrë një fëmijë të vdekur deri një javë më parë,” thotë Dunleavy, i cili nuk ka shumë që ka mbërritur në Hemland, pasi e ka kaluar shumicën e karrierës së tij si infermier në Sidnei. “Tanimë kam parë disa prej tyre…”
…Në vende si Lashkar Gah, ku mungojnë institucione mjekësore publike të cilësisë së lartë, Urgjenca është një nga zgjedhjet pakëta. Sistemi shëndetësor publik në Afganistan është në një gjendje të tmerrshme, pavarësisht ndihmës për zhvillim, e cila i kalon 100 milionë dollarë në vit. Urgjenca drejton tri spitale, si edhe 46 zyra të ndihmës së parë dhe klinika, duke punësuar më tepër se 1,500 persona në Afganistan, për 10 milionë dollarë në vit, të financuara nga donacione dhe grante (ndonëse jo nga palët e përfshira në konflikt). Veprimtaria e tyre në Helmand kushton afërsisht 2 milionë dollarë në vit, thuajse e njëjtë me koston e mbajtjes së një ushtari Amerikan në Afganistan, për vetëm një vit.
Ata e kanë vazhduar punën e tyre, pavarësisht morisë së sulmeve ndaj ndërtesave të shëndetësisë në zonat e luftës, përfshirë Jemenin dhe Sirinë. Tetorin e kaluar, një sulm ajror Amerikan mbi spitalin e “Mjekëve Pa Kufij” në Kunduz, pjesën veriore të vendit, vrau 42 persona, mes tyre fëmijë dhe staf mjekësor…
…Stafi i Urgjencës në Lashkar Gah këmbëngul se sulmi në Kunduz nuk i ka frikësuar aspak, por drejtuesit e zyrës vendosën të ndërtonin një bunker me çelik të përforcuar në spital. Në fund të Majit, ndërsa bombardimet Amerikane vazhdonin në Helmand, kryetari i këshillit provincial paralajmëroi se Lashkar Gah mund të bjerë në duart e Talebanëve.
Megjithatë, zyrtarët e Urgjencës thonë se nuk kanë një plan evakuimi dhe se, si një organizatë neutrale joqeveritare, ata do të vazhdojnë të ofrojnë trajtim shëndetësor për këdo që i nevojitet. Një pozicion, të cilin gjithmonë e më shpesh iu duhet t’iua spiegojnë të huajve. “Më bën të çmendem kur njerëz të ndryshëm na pyesin se përse i trajtojmë Talebanët,” thotë Radaelli “Në Itali, unë kam trajtuar kriminelë, Mafiozë dhe trafikantë droge, por askush nuk më ka pyetur përse e bëja këtë. Është puna ime të mjekoj qeniet njerëzore.”
Në 2013, një kamikaz, jeleku i të cilit nuk shpërtheu plotësisht, e sollën në spital. Kirurgët dhe mjekët Afganë, familjet e të cilëve jetojnë në qytetin ku kamikazi planifikonte sulmin, ishin tejet të inatosur. Por, ata u kujdesën për të. “Kjo është detyra ime si mjek,” thotë Dr. Shahwali Alizay, një nga kirurgët më të vjetër të spitalit.
Por, tmerret e spitalit janë vetëm njëra anë e kryeqytetit të provincës. Në pranverën e vonë, Lashkar Gah mund të duket tejet idilike. Lumi Helmand përshkon një shteg të gjerë përmes kryeqytetit të vogël. Në nxehtësinë e pasdites, ndërsa nënat me burkat e tyre ngjyrë menteje e jargavani bëjnë pazarin aty pranë, djemtë e rinj zhveshin bluzat bojë-sherbeti, të njohura si shalwar kameez, për të notuar në lumë…
…Dy herë në ditë, i gjithë stafi prej tetë personash ngjishet në dy fuoristrada 4X4. Në Afganistan, bandat rrëmbejnë vazhdimisht të huaj; OJQ-të Perëndimore janë shenjestër e përhershme e terroristëve dhe të huajt në përgjithësi tërheqin vëmendje dhe shikime të zgjatura. Por, askush në Lashkar Gah nuk duket se ua hedh sytë dy herë makinave të Urgjencës.
Megjithatë, ata nuk janë ndierë gjithmonë kaq të mirëpritur. Në 2010-ën, tri pjestarë Italianë të stafit dhe gjashtë Afganë u arrestuan, pasi akuzoheshin nga guvernatori i atëhershëm i Helmand-it se kishin planifikuar ta vrisnin, ndërsa jelekë eksplozivë dhe armë u gjetën në ambientet e spitalit. Për më tepër, në media guvernatori i akuzoi ata për amputime të panevojshme tek ushtarët Afganë, duke supozuar se mbështesnin Talebanët…
…Kur e vizitova për herë të parë spitalin në Lashkar Gah, më bënë përshtypje mjediset e pastra, diçka e rrallë në Afganistan, oborret e mbjella me lule-dielli dhe se si një pjesë e stafit Afgan fliste një Anglishte me theks Italian. Por, mbi të gjitha më bëri përshtypje përkushtimi i stafit ndërkombëtar, të cilët mbështesnin vazhdimisht krijimin e një kuadri Afgan, po aq të përkushtuar.
Leonardo Radicchi, një ish saksofonist jazz-i, është manaxher i logjistikës së spitalit. Në rripin e tij pikas një radio, të cilën e mban i gjithë stafi i huaj, e që herë pas here kërcëllin duke njoftuar mbërritjen e pacientëve të rinj.
Kohët e fundit, Radicchi vuan nga malaria dhe kishte vendosur ta merrte ditën pushim për të rimarrë veten. Por, një kamikaz ka sulmuar një ndërtesë policie dhe, teksa dëgjoi në radio njoftimin e mbërritjes së 13 pacientëve, atij iu desh të ngrihej e të vinte në punë.
Pjesa dërrmuese e stafit thonë se kanë ardhur në Afganistan – apo në vende të tjera si Libia, Kurdistani dhe Somalia – nga një ndjesi gërryese se në jetë duhet të kishte diçka më tepër se sa thjesht një karrierë në një spital Perëndimor. Një ditë, pasi kish punuar për mëse një dekadë në një spital në New York, Dr. Joseph Rumle, anestezist, thotë se pasi pa përreth, mendoi, “Dreqin, duhet ta bëj vërtetë këtë edhe për 20 vite të tjera?”
Ndërkaq, teksa ata mund të kenë gjetur një qëllim në Afganistan, asnjë prej tyre nuk e idealizon luftën. “Ne kemi këtë mënyrën romantike të përshkrimit të luftës sepse jemi mësuar nga
televizioni, filmat, videolojërat,” thotë Radaelli. Ata, të cilët qëllohen në film “vdesin paqësisht, nga një plumb i vetëm, si heronj. Gjepura!” Chiara Lodi, një Italiane flokë-purpur me tatuazhe dhe “piercing” në gjuhë, ka thuajse të njëjtin mendim. “Kjo luftë është idiote,” thotë ajo. “Afganët po rriten duke mësuar se, për të zgjidhur një konflikt, ata duhet gjithmonë të luftojnë. Kjo është arsyeja përse jam këtu.” / Përg.: Bjorn Runa
Marrë me shkurtime nga “Newsweek”
Reportazhi eshten sh i mire dhe sh njerezor.Sa ngjane me keto spitalet tona edhe pse ne nuk jemi ne lufte si ata.
Bravo qe kapet nje teme tjeter se na cate bythen vetem me reformen ilir koklopen dhe baba takun a thua se na plasi k… per ta. Faqja i do te tera ska nevoje vetem per politike o Mero