Sot Partia Socialiste do të festojë 25-vjetorin e krijimit të saj. Ceremonia festive do të zhvillohet në lulishten pas selisë së PS-së, në orën 19:00, dhe pritet që të ftuarit të jenë rreth 2 mijë persona.
Burime pranë organizatorëve të kësaj feste thanë dje për gazetën “Panorama” se do të jetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, që do të përshëndesë të gjithë socialistët në këtë jubile të 25-të të tyre.
Më pas do të ketë një dokumentar disaminutësh, ku do të tregohet përmes pamjeve filmike historia 25-vjeçare e kësaj partie që nga 12 qershori i 1991-shit, kur kongresi i saj zgjodhi Fatos Nanon kryetar e deri në ditët e sotme, kur socialistët qeverisin vendin.
Nuk do të mungojnë në këtë dokumentar momentet më pikante të përballjes së tyre me pushtetin e Partisë Demokratike, kur Sali Berisha ka qenë një herë President e më pas Kryeministër. Festa do të jetë e organizuar në formën e një kokteji dhe do të ketë të ftuar anëtarët e Kryesisë, Sekretariatit, Asamblesë, deputetë të PSsë dhe kryetarët e bashkive të mëdha në këto 25 vite.
Ftesa i ka shkuar edhe kryetarit të parë të kësaj partie, Fatos Nanos, por nuk ka një konfirmim nëse ai do të jetë prezent sot në këtë festë. Një vit më parë, në 24-vjetorin e PS-së, Edi Rama kërkoi nga Nano që t’u bashkohet festimeve të 25-vjetorit të saj dhe të gjejë në të fjalët e duhura për t’iu drejtuar socialistëve.
Ftesat i kanë shkuar dhe aleatit të koalicionit, Ilir Metës, dhe partive të tjera parlamentare, përfshirë këtu dhe Partinë Demokratike. Por Meta nuk do të jetë i pranishëm, pasi është nisur për një vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Edhe trupi diplomatik, i cili e respekton protokollin, pritet të jetë prezent, por dhe drejtues të institucioneve të pavarura dhe përfaqësues të mediave.
Socialistët e shtynë me një muaj festën e 25-të të themelimit të tyre për shkak të Kampionatit Europian dhe festimeve që vazhdonin në të gjitha degët lokale të saj.