Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Nishani hap procedurat brenda 16 gushtit për shortin

12 Gusht 2016, 18:25Politika TEMA

Pavarësisht se ende nuk duket në horizont mundësia për të miratuar shtatë ligjet për reformën në drejtësi, dhe veçanërisht ligji për “Vettingun” kreu i shtetit ka vendosur të mos presë më.

Kështu, Presidenti Bujar Nishani pritet të ushtrojë kompetencën e tij Kushtetuese për çeljen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Pas konsultimeve me konstitucionalistët dhe me partitë politike parlamentare, mësohet se kreu i shtetit do të çelë procedurën brenda datës 16 gusht, në zbatim amendamenteve Kushtetuese.

Burime nga presidenca bëjnë me dije se kreu i shtetit do ti referohet pikërisht nenit 149 të kushtetutës që përcakton që këshilli emërimeve përzgjidhet me short nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore.

Pikërisht ky parashikim kushtetues që përjashton nga shorti gjyqtarët e prokurorët me masë disiplinore mund të jetë edhe filtri që do të përdore kreu i shtetit për të ushtruar kompetencën e tij kushtetuese.

Ky veprim ndërmerret në kushtet kur mungon ligji për vlerësimin e kandidatëve që bëhen pjesë e sistemit e që duhet të kalojë në komisionin e posaçëm e më pas në Kuvendin.

Një ditë më parë hynë në fuqi amendamentet kushtetuese ndërsa Presidenti i Republikës sipas parashikimeve kushtetuese duhet që brenda 5 ditëve të hapë shortin për 9 anëtarët e këshillit të emërimeve në drejtësi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje