Raiola thyen rekordin e të ardhurave dhe blen vilën e Al Capone

16 Gusht 2016, 16:59Sport TEMA

Në picerinë e familjes, në Haarlem, nuk ka bërë kurrë picajolin, në maksimum ka shërbyer në tavolina dhe ndonjëherë,  mamaja Anunziata dhe babai Mario, i besonin kasën. Ndoshta sepse e kishin kuptuar që në atë kohë se ai djalosh kishte nuhatje për biznes. Nga ai vit 1968-të, kur familja e tij emigroi nga Angri për në Holandë në kërkim të një fati më të mirë, ka kaluar shumë kohë dhe sot, Carmine Raiola (emri i tij i vërtetë), për të gjithë i njohur si Mino, fatin e tij e ka gjetur tashmë, por jo në fushën e restoranteve. E ka filluar si përgjegjës i sektorit të moshave të Haarlem, më pas kanë ardhur kontaktet e para me lojtarët më të rëndësishëm holandezë të viteve 1990-të, operacioni Bergkamp, takimi me Ibrahimovic, super goditja Nedved dhe që nga ajo kohë ngjitja e tij drejt suksesit ka qenë e pandalshme.

Por këtë verë, Mino ka kaluar edhe veten, ka prishur të gjitha skemat, ka shkuar përtej çdo imagjinate: ka qenë ai që ka organizuar transferimin e Paul Pogba te Manchester United, më i shtrenjti i të gjitha kohërave në historinë e futbollit. Dhe mes Paul, Mkhitaryan, Ibrahimovic dhe të gjithë kampionët e tjerë të skuderisë së tij ka fituar shifra marramendëse (për një menaxher), plot 50 milionë euro. Më shumë nga sa kanë përfituar nga merkato, deri tani, Milan dhe Inter bashkë. Mino Raiola është padyshim mbreti i merkatos së verës. Pranverën e kaluar, “Forbes” e ka pozicionuar në vendin e pestë mes menaxherëve më të rëndësishëm në botë, mbrapa krahëve të Mendes, Barnett, Struth dhe Otin, duke zbuluar se ai fitonte 30 milionë euro në vit. Këtë verë, dhe merkato është akoma e hapur, menaxheri italo-holandez ka lëvizur 500 milionë euro mes vlerës së transferimeve, komisioneve të përftuara dhe rrogave të lojtarëve, falë operacioneve të Pogba, Ibrahimovic dhe Mkhitaryan.

Mino ka dashur të festojë këtë sukses duke i bërë vetes një dhuratë të veçantë: vilën me 8 dhoma, 6 banja dhe një kopsht 3 mijë metra katrorë që ndodhet në Miami dhe që dikur zotërohej nga Al Capone, për të cilën ka shpenzuar 8 milionë euro. Raiola është kthyer në një legjendë të vërtetë dhe thuhet se, deri tani, ka fituar rreth 300 milionë euro. Por puna e tij nuk ka mbaruar akoma për këtë verë. Në fillim është rinovimi i Donnarumma me Milan-in, më pas duhet përcaktuar e ardhmja e Matuidi dhe transferimi i Lukaku. Për këtë të fundit mund të vijë një transferim tjetër multimilioner, me sulmuesin që nuk pritet të shitet për më pak se 80 milionë euro. “Nëse të tjerët punojnë si një biçikletë, unë punoj si nja anije kozmike”, ka thënë para disa kohësh menaxheri.  Kështu, në ditët e fundit të merkatos do të duhet ta rivërë në punë anijen e tij për të provuar të realizojë një mision të pamundur: t’i gjej një ekip të ri Balotelli-t.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje