Dokumenti që tregon “rrugët e lëna rrugëve” nga qeverisja e PD-së: Pse mungon ajo e Arbërit dhe ku kanë shkuar fondet e planifikuara për to?

28 Gusht 2016, 18:33Politika TEMA

Nga Ermir Hoxha

Investimet në infrastrukturë, apo thënë ndryshe ndërtimi rrugëve të reja apo asfaltimi i një pjese të tyre, ka qenë një ndër “krenaritë” e ish-qeverisjes së PD-së. Më i madhi investim, Rruga e Kombit, qëndronte në krye si afirmim i këtij fakti. Dhe e vërteta është se sidomos në mandatin e parë, atë 2005 – 2009, ishin të dukshme dhe qartësisht të prekshme investimet në infrastrukturë; e që në mandatin e dytë jo vetëm u ndërprenë, por krijuan dhe atë që më pas me ironi do artikulohej nga Rama si “qeveri që la rrugët rrugëve!”.

Një dokument qeveritar i asaj kohe, i emërtuar si “Programi i investimeve sipas prioriteteve 2008 – 2013”,  tregon se sikur afatet e përfundimit të tyre të respektoheshin, vërtet që qeverisja e PD-se do ishte “historike” në këtë aspekt, ku dhe Shqipëria vuan më së shumti: rrjetin rrugor mizerabël, një ndër arsyet bazë të ngërçit zhvillimor, ku një pjesë vijon të jetë e trashëguar nga ish-sistemi komunist, e një pjesë tjetër gjysëm e trajtuar.

Dhe ajo që bie në sy në këtë dokument, është se fondi për realizimin tërësor të tyre ka qenë i siguruar me anë të marrëveshjeve të firmosura.

Në krye qëndron Rruga e Kombit, ku nga krenari është shndëruar në turp, për shkak se një pjesë e saj, është lënë e papërfundar, apo thënë ndryshe sakate, siç është aksi Kukës – Morinë apo Fushë Krujë – Milot e Fushë Krujë – Durrës.

Ndër to është dhe aksi Kardhiq – Delvinë, ajo që do i vinte në ndihmë turizmit pasi shkurton e lehtëson ndjeshëm aksin Tiranë – Sarandë duke eleminuar Qafën e sikletshme të Muzinës. Por ka dhe të tjera që po ashtu tregojnë se si “rrugët mbetën rrugëve”, edhe pse financimi për to ishte i garantuar.

Ndërkohë, bie në sy edhe diçka tjetër: mungesa e Rrugës së Arbërit si projekt i planifikuar për t’u realizuar. Fakt është që kilometrat e para të kësaj rruge do të niseshin në kohën e qeverisjes së PD-së, të përqëndruara më tepër në aksin Bulqizë – Shupenzë, por që në listën qeveritare të asaj kohe nuk ekziston.

Por këto rrugë të mbetura, janë dhe një akuzë për qeverisjen “Rama”, e cila deri më tani është mjaftuar të konstatojë, por jo të përmisojë nga ajo çfarë la pas qeverisja e Berishës. Sidomos në insfrastrukturë, ku ka rënë ndjeshëm ritmi i investimeve. Në tre vjet qeverisjeje, asnjë prej “rrugëve të lëna rrugëve” nuk është përfunduar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje