Nishani “kundër” Nishanit, shpall njëherësh dekretin e shkarkimit e emërimit të ministrave. Disa muaj më parë e quajti antikushtetues

8 Shtator 2016, 09:17Politika TEMA

Kreu i shtetit ka dekretuar dje emërimin e Sokol Dervishajt si ministër i Transporteve dhe shkarkimin e Edmond Haxhinastos nga ky post.

Më parë, presidenti kishte refuzuar të dekretonte emërimin e një ministri pa u miratuar më parë dekreti i shkarkimit

Sokol Dervishaj është ministri i ri i Transporteve. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dekretuar dje propozimin e kryeministrit Edi Rama, për të emëruar në postin e ministrit të Transporteve, emrin e Sokol Dervishajt.

Dekretim ky që i hap rrugë kështu plotësimit sot nga Parlamenti të vendit vakant të lënë nga dorëheqja e ministrit Edmond Haxhinasto.

Ndërkohë, po dje, kreu i shtetit ka shpallur edhe dekretin e shkarkimit të ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, i dorëhequr nga ky post një javë më parë.

Një veprim ky i Presidentit që bie ndesh me pretendimet dhe arsyetimet e dhëna prej tij disa muaj më parë në rastin e shkarkimit të ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe emërimit të Arben Ahmetaj dhe Milva Ekonomi.

Kjo për vetë faktin se atëherë Presidenti refuzoi të shpallë dekretet e tij të shkarkimit dhe emërimit në të njëjtën datë, duke pretenduar se në këtë mënyrë ai paragjykonte vendimmarrjen e Parlamentit dhe se mund të sillte një ngërç ligjor.

Për këtë arsye, Presidenti i Republikës i dërgoi atëherë edhe një kërkesë Gjykatës Kushtetuese që të bënte interpretimin e Kushtetutës, sa i përket procesit të dekretimit të ministrave të shkarkuar dhe të emëruar.

“Në kushtet që Kuvendi nuk ka shqyrtuar Dekretet e shkarkimit të Ministrave, Presidenti është i detyruar që për të respektuar Kushtetutën, me qëllim që të mos krijohet një precedent i rrezikshëm për funksionimin e shtetit dhe qeverisjen e vendit, të bëjë emërime formale, të dy ministrave të rinj”, –shprehej Nishani në atë kërkesë drejtuar Kushtetueses.

Por nuk dihet nëse gjatë kësaj kohe ka patur një interpretim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje, apo nëse vetë Presidenti ka ndryshuar mendje lidhur me një interpretim të tillë, por është fakt se kësaj here Nishani ka vepruar ndryshe, pasi ka shpallur dekretin e shkarkimit dhe të emërimit në të njëjtën ditë, duke ja lënë Kuvendit vendimmarrjen përfundimtare për miratimin e tyre.

Ndërkohë që sa i takon vendimmarrjes së sotme të Kuvendit nuk pritet të ketë surpriza, pasi këto lëvizje në kabinet janë bërë me pëlqimin e kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje