REFORMA/ Porosia e Brukselit për Ramën: Kapni peshqit e mëdhenj!

8 Shtator 2016, 13:23Politika TEMA

Në Bruksel është zhvilluar takimi i tetë i Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë. Vendi ynë është përfaqësuar në këtë takim  nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka patur takime me shefen e Politikës së Jashtme të BE, Federica Mogherini dhe komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Në përfundim të takimit, në një konferencë të përbashkët për shtyp, zonja Mogherini ka shprehur besimin se reforma në drejtësi do të japë efekte pozitive.

“Besojmë se reforma në drejtësi do të ndikojë në marrëdhëniet tona ekonomike”, ka thënë Përfaqësuesja e Lartë e BE, e cila i ka bërë një apel klasës politike shqiptare.

“Palët politike kanë përgjegjësi për të vënë në zbatim reformën. Ne do mbështesim Shqipërinë në këtë proces”, ka thënë Mogherini, e cila e ka cilësuar si “të shkëlqyer” takimin me kryeministrin Rama.

Nga ana e tij, shefi i qeverisë shqiptare ka vlerësuar se, takimi i sotëm konfirmoi angazhimin e dyanshëm për të çuar përpara projektin e reformës në drejtësi.

“Vlerësoj shumë kontributin tuaj të rëndësishëm. Prania ime këtu konfirmon përkushtimin dypalësh për të vazhduar përpara dhe për të bashkëpunuar sa më ngushtë për reformën madhore”, ka deklaruar Rama.

Ai ka shprehur besimin e tij se, implementimi i vazhdueshëm i reformave kyçe do të forcojë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE.

“Miratimi i ligjit të vetting-ut është një hap i rëndësishëm për implementimin e reformës në drejtësi”, ka vijuar Rama.

Ai ka shtuar se, është me rëndësi që BE të japë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave dhe ka dhënë garancinë e tij se, Shqipëria do të jetë në lartësinë e duhur.

Ndërsa komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, në fjalën e tij ka theksuar se, “qëllimi i reformës nuk është të afroheni më shumë me BE-në, por për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve shqiptarë”.

“Dhe kur BE kontribuon në këtë gjë nuk e bën vetëm për të afruar sa më shumë Shqipërinë me Unionin, por e bën në interes të shqiptarëve”, ka thënë Hahn.

Sipas tij, reforma në drejtësi ishte hapi i parë, ndërsa tani palët politike në Shqipëri duhet të përqendrohen tek implementimi i saj.

“Nëse keni një sistem të besueshëm drejtësie, atëherë mund të tërhiqni më shumë investitorë. Prandaj kjo reformë është e rëndësishme. Tani duhen bërë hapat e radhës”, ka thënë Hahn.

Ndër të tjera gjatë konferencës për shtyp, Mogherini dhe Hahn vlerësuan se një “problem i madh” për Shqipërinë mbetet lufta kundër drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Reforma në drejtësi është vendimtare. Nuk është vetëm votimi, por dhe implementimi. Kemi parë që janë dhënë dënime, por më lejoni të them, për peshq të vegjël. Presim peshq të mëdhenj,” tha Hahn.

I pyetur nëse mund të ketë një rekomandim pa kushte për çeljen e negociatave me Shqipërinë në 10 ditët e para të nëntorit apo një rekomandim me kushte, Hahn tha: “Së pari kemi marrë shënime për këtë çështje tani duhet të reflektohet në raportin e progresit tonë. Është shumë herët për të dhënë në përgjigje, na duhen konsultime të brendshme për të prezantuar një vlerësim”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje