Qeveria hap "qesen" për Dibrën në prag të zgjedhjeve lokale

9 Shtator 2016, 20:56Politika TEMA

Qesja e investimeve të qeverisë, e çelur në këtë prag zgjedhje vetëm për Dibrën, përfshin shumë prej objekteve të tenderëve, që lidhen me investime konkrete në arsim, infrastrukturë etj. Pjesë e këtyre kanë qenë edhe premtimet e kandidatit Muharrem Rama në këtë fushatë.

“Fiks Fare” investigoi mënyrën e bërjes së këtyre tenderëve. Rezultoi se Bashkia e Dibrës, e drejtuar nga Et’hem Fida, pas shkarkimit të paraardhësit të tij, Shukri Xhelili për videoskandalin seksual, ka bërë ose ka në prokurim publik, mbi 30 tenderë. Këto tender variojnë nga 8 milionë deri në 1.7 miliard lekë të vjetra.

Përgjatë dy muajve, korrik dhe gusht, kryetari në detyrë ka firmosur këto prokurime, dokumentet e të cilave ndodhen në Agjencinë e Prokurimit Publik. Megjithatë, ajo çfarë bie në sy në këto prokurime është se një pjesë e tyre janë përmendur edhe gjatë fushatës elektorale.

“Fiks Fare” dëgjoi premtimet e kandidatit Rama gjatë fushatës elektorale. Në fshatin Arras, Rama premtoi rrugë dhe ujë. Sipas dokumenteve që disponon Fiksi, rezulton se Bashkia e Dibrës ka bërë një prokurim për rrugën e Arrasit. Qeveria ka akorduar disa milionë lekë të vjetra për ta shtruar këtë rrugë me zhavorr.

Ndërkohë, zoti Rama ka shkuar edhe në zonën e Maqellarës. Ka premtuar investime në arsim dhe infrastrukturë. Duke u ndalur te arsimi, qeveria ka akorduar rreth 800 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e shkollës së mesme në Maqellarë. Sipas dokumenteve, është bërë tenderi dhe është shpallur fituesi.

“Fiks Fare” dëgjoi edhe premtimet e zotit Rama në qytetin e Peshkopisë. Premtoi ndërtimin e të gjithë infrastrukturës rrugore. Në fakt, sipas dokumenteve të tenderëve që ndodhen në Agjencinë e Prokurimit Publik, qeveria ka hapur qesen për këtë qytet. Janë bërë, apo janë në proces, dhjetëra tender për infrastrukturën në Peshkopi. Sipas dokumenteve që disponon “Fiks Fare”, qeveria ka akorduar 220 milionë lekë të vjetra për asfaltimin e rrugëve në lagje ku ka mbaruar ujësjellësi. Ky tender është bërë gjatë muajit gusht dhe, sipas kontratës, duhet të jetë bërë asfaltimi. Është rregulluar edhe rruga kryesore, nga ish NBSH-ja deri tek ish SMT-ja. Për këtë tender janë akorduar 50 milionë lekë të vjetra.

Ndërkohë, Bashkia e Dibrës, më 31 gusht ka akorduar plot 540 milionë lekë të vjetra për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Borde-Peshkopi. Janë akorduar 147 milionë lekë të vjetra për punime sifoni për aksin Brezhdan-Vakuf, ku fituesi është shpallur më 24 gusht. Nga ana tjetër, janë akorduar 920 milionë lekë për ronovimin e infrastrukturës së bulevardit “Elez Isufi”, rrugës “Safet Zhulali” dhe rrugës së “Muzeut”.

Investimet e qeverisë kanë vijuar në Peshkopi. Kështu, sipas dokumenteve që disponon “Fiks Fare”, është akorduar plot 1.7 miliard lekë për përmirësimin e infrastrukturës vendore, aksesit, lëvizshmërisë dhe rivitalizimin e hapësirave publike në zonën përreth pallatit të Kulturës.

Krahas punimeve në infrastrukturë, Bashkia e Dibrës ka bërë tender edhe për sistemimin e përroit të Llixhave, me një fond prej 33 milionë lekësh. Me 8 milionë ka rrethuar dhe ka vendosur depo uji në shkollën në fshatin Kamen, “Myslim Shehu”. Ka furnizuar me dyer dhe dritare shkollat e njësive administrative, duke akorduar 24 milionë lekë të vjetra. Me 32 milionë, ka sistemuar kanalizimet e ujërave të zeza përgjatë përroit të Tominit. Me 21 milionë ka blerë materiale elektrike, ndërsa me 129 milionë ka rregulluar ndërmarrjen Rruga-Ura. Me 41 milionë ka rehabilituar rezervuarin e fshatit Shimcan. Ka akorduar 29 milionë për lyerjen e institucioneve arsimore, me 33 milionë ka blerë pjesë këmbimi për automjetet. Ka shpenzuar rreth 40 milionë lekë karburant, ndërsa me 44 milionë ka blerë produkte ushqimore për kopshtet dhe çerdhet.

Fiksi kontrolloi edhe prokurimet e vogla, që shkojnë deri në 8 milionë lekë të vjetra. Kështu, janë bërë prokurime për mirëmbajtje zyrash, blerje materialesh hidraulike, punime gërmimi e hapje traseje në rrugën Kroi Dane në Arras. Janë blerë materiale për brigadën e gjelbërimit, janë rehabilituar venddepozitimet e mbetjeve urbane, vendet ku qëndrojnë kazanet e plehrave etj. Megjithatë, tenderi më i çuditshëm është blerja e rrotave për… kazanët e plehrave. Me një fond deri në 8 milionë lekë të vjetra janë rregulluar shkallët e lagjes Gjok Daci, ndërsa është bërë edhe furnizimi me ujë i fshatit Vejnik, në njësinë Administrative Maqellarë. Ndërkohë, janë bërë edhe punime të trupit të rrugës në segmentin pas urës së Lushës.

“Fiks Fare” iu drejtua për informacion edhe Bashkisë së Dibrës, kryetarit në detyrë, zotit Et’hem Fida. Në fakt, zoti Fida është firmëtari i të gjitha tenderëve të listuar më sipër. Fillimisht, ai mohoi që objektet e këtyre tenderëve të jenë bërë për fushatë. Tha se ato kanë qenë domosdoshmëri për banorët e kësaj zone. Por, pas këmbënguljes së gazetarëve të Fiksit, apo edhe njohjes së tij me disa nga objektet e këtyre tenderëve, zoti Fida pranoi se kandidatët i kanë përdorur këto tenderë për fushatën e tyre. “Edhe janë përdorur nga kandidatët” tha ai.

Tenderët në Bashkinë e Dibrës

Prokurimet e vogla (Korrik-Gusht 2016)

1 komente në “Qeveria hap “qesen” për Dibrën në prag të zgjedhjeve lokale”

  1. logjika says:

    Fikx-fare mire ben qe i reklamon, keto, por pyetja ime eshte: pavaresisht se jane ne prag fushate, keto investime i bejne mire Dibres dhe qytetareve te saj apo jo? Une mendoj se i bejne shume mire dhe do propozoja qe nje here ne vit te beheshin zgjedhje lokale qe bashkite dhe populli tyre te perfitonte diçka me shume se deri tani nga taksat e tyre. Prandaj, moralin ta leme se nuk hahet me, parate ti veme ne sherbim te qytetareve me hir apo me pahir. Kjo eshte nje gje shume e mire qe eshte bere nga bashkia dhe qeveria dhe duhet lavderuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje