Frikë nga blerja në Dibër, partitë politike ndryshojnë komisionerët 24 orë para zgjedhjeve

10 Shtator 2016, 14:23Politika TEMA

Partitë politike ndryshojnë komisionerët e tyre në qendrat e votimit. Një ditë para zhvillimit të zgjedhjeve të pjesshme për bashkinë e Dibrës, partitë politike kanë ndryshuar komisionerët në 116 QV nga 118 që janë gjithsej.

Informacioni bëhet i ditur nga KQZ, ku thuhet se vendimi i partive politike është ndërmarrë para fillimit të shpërndarjes së bazës materiale nga KZAZ nr. 19.

KQZ sqaron se partitë politike kanë kërkuar ndryshimin e anëtarësisë së 116 Komisioneve të Qendrave të Votimit nga 118 KQV në total.

Pas kërkesës së partive politike, vetëm pak përpara se sa të nisë shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ për në qendrat e votimit, Komisioni qendror ka marrë 116 vendime për lirimin e anëtarëve të emëruar më parë dhe emërimin e anëtarëve të rinj.

Por kjo situatë sjell një shqetësim për KQZ ,pasi komisionerët e rinj nuk janë të trajnuar për këtë proces.

Megjithëse në kushte të ndryshuara të momentit të fundit, KQZ bën me dije se po merren masat që përmes inspektorëve të KQZ-së, që janë prezent pranë KZAZ-së nr. 19, Dibër, komisionerët të trajnohen para marrjes në dorëzim të bazës materiale zgjedhore për Qendrat e Votimit.

Shpërndarja e materialeve zgjedhore do të kryhet gjatë gjithë ditës, ndërsa procesi nis me shpërndarjen fillimisht të materialeve zgjedhore për qendrat e votimit që janë më larg KZAZ e më pas në qendrat më të afërta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje