Nga Kristo Mërtiri
Sako Zeneli
…Kështu më thosh miku im shumë i cmuar, Jani Thomagjini nga Nivica e Bregut të Detit. Kështu e vlerësonte ky Hero i Punës, njeriun me shkronja kapitale në memorien e Fterrës, Corraj, Borshit, Lukovës e gjer në Lumin e Vlorës. Sepse kur unë shkova nga Përmeti si korrespondent i Jugut me rezidencë në Sarandë, ai kishte ikur. Kishte ikur larg e shumë lart. Iku 44 vjec ! Kishte mbyllur sytë përgjithmonë atje, në Përroin e Mostrogunës…Përrua që ka mbi 37 vjetë që ndërron barin e lulet përqark, por aspak dhimbjen dhe mallin njerëzor që drithëron sot e kësaj dite zemrat fterriote, gurët e drurët. 37 vite bie e shkrihet si pikë loti vesa e mëngjezit. Dhe vendin e mbulon një gurgullimë psherëtime nga gurra borshiote dhe burimet në Ixuar. Se ajo nuk ishte vdekje, po ishte gjëmë. Nuk thotë kot mencuria e lashtë : Ia dhanë drurit e u tha, ia dhanë gurit e u ca, ia dhanë lumit e shteroi, ia dhanë njeriut e duroi ! “Karshi Sopotit mbi lumë/ C’të të bëj, o ditë e zezë/ U rrënofsh, o Mostrogunë/ Që hëngre Sako Zenelë !…/ E ka dashur tërë Fterra/ Ku loti kullon si shpella”. Teno Lona e Shako Mehmeti, Nurce Gjoni, Marsela Dhuli, Taipi, Afro, Tomorri etj., ngritën, selitën e kënduan këngë zemre atje, në sheshmejdanin e Mirënjohjes etë Dashurisë që nuk përthahen kurrë. Gjurmë jete dinjitoze që shkrepin mirësi në cdo shteg e shtëpi të kësaj treve bukurimbuluar, me njerëz të dhembshur e të ditur (vetëm nga Fterra janë mbi 100 mësues! ). Mirëpo djersën dhe përkushtimin e tij atdhetar e njerëzor, e gjen në hekurudhën Elbasan-Peqin si vullnetar me atë këngën në buzë “Se ndërtojmë Shqipërinë e Re…”. E gjen në Kavajë e sidomos në Lugun e Zit ë Tropojës, 3 vjetë ushtar i Kufirit ! Vetëm zemra e tij e dinte se c’tërmet i pruri mandata e zezë atje, në Lugun e Zi : Befas, i kishte ikur përgjithmonë Nusreti i shtrenjtë, vëllai i madh, 36 vjec. Dhe Sakua nuk arriti dot t’i hidhte vëlla-xhanit as edhe një grusht dheu nga dheu i ëmbël i Fterrës !…Jetë me brenga e maraze të mëdha. Mbi zemër e mbi shpinë i ra një mal me halle. Por nuk u bëri bisht kurseve e shkollave bujqësore-ekonomike. Pas pak viteve, përsëri vullnetar, pa qibër e pa kulpra vetiake e familjare. Edhe sot, po të shkoni në odat e ngrohta dibrane e sidomos në Klenjë ku jetoi e punoi mbi një vit, por edhe në Maqellarë, Trebisht etj., me siguri dikush do u tregojë edhe për “labin e papërtuar e mendjehollë”. Jabanxhinjtë e mirë fjalështruar e punëmbaruar si Sako me shokë, malësorët dibranë e tropojanë i ulnin në ballë të oxhakut në kullat hijerënda e krenare.( Po sot? Mjaft mjekë, juristë me e pa magjistraturë, ekonomistë e mësues, cuditërisht e quajnë “persekutim” ose gati “internim” emërimin në shërbim të banorëve në krahinat malore në Veri e në Jug. O tempora, o mores !). Se jeta e cdo gazetari aktiv ruan thesare me margaritarë, larg punës së mbyllur vetëm në studio e redaksira kryeqyteti. Isha me fat që njoha nga afër e sy më sy gati tërë viset e Shqipërisë time, pa dylbi e celularë, pa internete e salltanete, pa fuoristrada, pa portale e kanale që marrin e kopjojnë fjalë për fjalë njeri-tjetrin pa pikë sedre profesionale e qytetare. Disa me diplomë gazetari të blerë, nuk i njohin qytetet as si emra ?! (P.sh. te një kanal televiziv me shikueshmëri jo të ulët, gazetari nuk e dinte fare emrin Corovodë dhe na e servir lajmin me “-Sot, në qytetin e Skraparit…” etj. lajthitje foshnjore që të ngjallin krupën). Të mos dish as gjeografinë minimale, mere me mend historinë apo qindra fshatra fushorë, kodrinorë e malorë ! Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur Shqipërinë e shikon vetëm nga këmbët e Dajtit. Le të mos shkëputemi nga tema e shkrimit…
-Sako Zeneli ishte djalë vendi jo dosido, por si drejtues pushteti i zgjedhur nga fterriotët, borshiotët e corriotët, hynte shtëpi më shtëpi, arë më arë, në vatra kulture e në qendra shëndetësore, në shkolla, kopshte e cerdhe, në stane e në shtrunga verore e dimërore, atje ku jetonte e punonte njeriu. I prekte gjërat nga afër e plot dashuri, me përgjegjësi qytetare e shtetërore. Prandaj nuk ia mori asnjëherë ferra fjalën. Madje “ i vinte jastëk” thonë vërsnikët e paktë dhe më të rinjtë se ai. Se njeriu i pastër që kuvendon pa dorashka e pa bujashka, pa “fjalë të ëmbla e punë të tharta” sic nënvizonte fort burrërori i paharruar Jani Thomagjini, i ka dyert, shtigjet e udhët kurdoherë të hapura për te fshatari e qytetari…
Rrëfimet e nënë Iles kusuremadhe e zemërmadhe, jo më kot kalonin gojë më gojë brenda e jashtë Fterrës emërmirë. Virtytet e saj dhe të bashkëshortit punëmadh Rrapo që nderohej gjer në Kuc e Corraj, Kudhës e Pilur, Golëm e Zhulat (pa përmendur këtu miqësitë e shumta familjare në Borsh), u përcollën bukur e me dinjitet te 4 djemtë e te vajza e vetme Resmie. Se dardha shpesh bie ndënë dardhë. Motërzeza që jetoi e punoi në Kombinatin Tekstil në Tiranë, paska mbyllur sytë me plagë të hapura që ndoshta pikojnë ende nën dhe e mbi dhe. Plagën më të rëndë ia la Sako gojëbehari. Plagë që nuk iu shërua kurrë plotësisht edhe kur Peti e Graniti (dy nipat e shtrenjtë) u rritën e u bënë burra me fëmijë, të zotë e që nuk ua ha qeni shkopin. Ndërsa nënë Ilja e zgjuar e vjershëtore popullore si ajo, këndonte e qante me ligje si rrallë tjetër në nahije : “ Sako xhani, më helmove/ Perëndi, pse s’më more?!/ Po më le këtu kokole/ Djalë, e zeza !…”. Dahatja korbë e fatzezë u kallkanos e tëra. Vecse vëllazëria Zeneli ishte dhe mbeti një model adhurues në Fterrë, Sarandë, Gramsh, Tiranë e kudo. Ishte fryt i asaj nëne me derte dhe plot mencuri natyrale, që Merqezi i tregonte bukur. Ndërsa Sakua, një nga këshillat e saj e kishte lajtmotiv të paprekshëm dhe jo rrallë ua dhuronte me takt e lezet të tjerëve : “ Tri gjëra mos bëni në jetë, se të dënon Perëndia, po edhe Qeveria : Tradhëti, Kusëri e Kurvëri !…”. Rrojti 93 vjece. Iku në atë botë, te shtëpia e djalit në Tiranë, te kolegu e miku im i vjetër Guro…
Kur fillova punë në Sarandë, te një zyrë e vockël përdhese por me histori të madhe (kish punuar në Doganë ashtu i sëmurë tuberkuloz, bilbili i Gjuhës Shqipe, frashërlliu i pavdekshëm, “Naim Shqipëria” !), mu ngulitën mjaft episode tronditëse që bartin mesazhe kuptimplote për njerëzillëkun e vërtetë pa kujë e pa zhurmë. Nuk i kam thënë kurrë publikisht. Momenti i parë : Te agjensia e udhëtarëve në krye të qytetit bregdetar, mëngjeseve po shikoja shpesh Guron e Kanon(bashkëshorten trimëreshë e të paepur Kanerinë). Me trasta në duar, prisnin korrierën(tip autobuzi) që shkonte edhe në Fterrë. I dërgonin ushqime e shishe qumështi nënë Iles 80 vjecare. Herë djali e herë nusja… Momenti i dytë : Pas një kalvari të gjatë mundimesh e ndëshkimesh të pamerituara nga Vlora në Finiq të Sarandës, babai i 4 fëmijëve njeri më i mirë se tjetri, Gurua emërohet kryeredaktor i gazetës lokale “Fitorja”. Në castet më të vështira të jetës së vet, pas fjalëve melhem, nga të vetmet puthje vëllazërore e burrërore ishte dhe mbeti ajo e Sako vëllait. 23 vjetë qëndroi edhe në vend të babait Rrapo, plot urtësi e maturi… Sa shumë njerëz takonte e bisedonte shtruar, miku im ! Por fare pak(për të mos thënë hic) mësuan për burimin e një “huqi” të ri : Herë pas here, në zyrë, në kafene a në rrugë ngulte natyrshëm vështrimin mbi orën e dorës, shpesh drithërohej e i njomeshin sytë përmes dialogut me të tjerët. Ndonjërit nuk i vinte mirë, se i kuptonte si sinjale për të shkurtuar takimin. Kështu një cerek shekulli ! Ajo ishte ora e markës “Shanghai” e sapoblerë enkas nga Sakua, dhuruar e këmbyer pak ditë para gjëmës me orën e vjetër të vëllait, blerë në fillim të viteve pesëdhjetë. Mirëpo akrepat e saj të lodhur e lanë vrapin e fundit atje në greminë, në Mostrogunë në Krizë…
Pse ia dëgjonin dhe ia besonin llafin Sako Zenelit ? Sepse nuk ishte i ndershëm dhe i drejtë si drapëri, me veten dhe të tjerët. Sepse nuk kishte fjalë rrumbullake e lapurake, nga ato që nuk zënë vend gjëkundi. Sepse i kishte zët mburravecët e gënjeshtarët.Dhe as bënte “nën udhë e mbi udhë”. Portreti i tij i dashur do të mbetej gjysmak pa dëgjuar e lexuar Vasil Anagnostin e famshëm në krye të NB Lukovës së brezareve legjendë për 22 vjetë; vajzën dinjitoze came Vito Mucaj, Jordan Panin, Gëzim Dushën, Bedo Micin, Nedrete Hizmon, Shako Mehmetin, Nefo Avrecin, Zace Malaj, Salihe Kofina, Mënir Zhupa etj. etj. “ O Sakua ynë, i miri/ Pse nuk prite të vin prilli/ Të këndoje si bilbili…”. Janë këngët dhe ligjet e një mandilezezë nga Corraj, janë të nënë Parashqevisë së Simon Dhimpalit. Në këtë trevë uniteti e plot cika stërralli, dashuria për njeri-tjetrin nuk i ndau e as i përcau dot kurrë në “turq” e “kaurë”… Sot e kësaj dite, një ulli mbi shtëpinë e Korkute sikur mban iso të lehtë vajtimtare. Ka 37 vjetë që e thërrasin edhe “ulliri i Sakos”. E mbolli bashkë me shokët. Ndërsa era e gjethit të tij dhe gurgullima në Ixuar shkojnë e derdhen shpesh me mërmërimë në Sheshez… Mua, sa herë më merr malli për Guron e Kanon kur rrinë paksa gjatë te dy fëmijët në Kanada, lexoj e dëgjoj këngë e rrëfime buronja për njeriun shpirt njeriu,për Sakon e Fterrës…
Me nxorre malle me kete shkrim,o Kristo. Kujtimet e largeta,her te bukura e gazmore e her te trishta mengjallin nostalgjine e viteve qe, edhe une si ti i kam thelle ne memorrje dhe shpesh,hap dritaren e saj per te pare e biseduar me personazhet qe sjell ne kete shkrim. Pershendetje,i dashur.
Shkrim i shkruar me shpirt. Ne rrumpallen e sotme, shkrime si ky na e firojne sadopak stresin. Mirenjohje gazetarit Mertiri.
Faleminderit o Kristo. Besoj tani se paska njerez dhe sot qe shkruajne aq dhemshur per njerezit. Me ka emocionuar shume.
Ta lexova Sakon,
djale, deli djale,
Shkrimi yt, o Kristo
na e shoi pak mall.
Te keqen e penes
Hatja te uron,
djal i Tepelenes,
Sakon sma harron.
Sepse der’ e tyre
Fterre e keto ane
rriti djem o bir
qelibar, azgan.
Bravo, per njerez shembullore si Sako Zeneli dhe shkrime qe promovojne njerez te tille kemi nevoje, jo per kronikat e ndyra te zeza qe na nxirosen ekranet dhe shtypin.
Zotit Mero Baze,
Ju lutem, botoni shkrime si ky. Njerezit nderohen dhe respektohen edhe kur nuk jane. Me shume mirenjohje per gazeten tuaj, si lexues i vazhdueshem i saj qe jam.
Vrejtje per gazeten si dashamir i juaji. Paragrafin e trete nga fundi e kini sakatuar. Ku fillon e ku mbaron ai. Nje pakujdesi e juaja zotrinj te gazetes Tema ka demtuar shkrimin.
Lexojeni kete shkrim, o njerez. Une di nje gje, ai do tju bej edhe me te mire.