Shqipëria e pistë dhe ligji i mbetjeve

26 Shtator 2016, 19:15Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Sezoni veror mbushi rrugët dhe hotelet e vendit me të huaj e shqiptarë në kërkim të diellit, ujit dhe ajrit të pastër. Është momenti kur njeriu vendoset me afër se kurrë me natyrën, duke kthyer sytë nga ambjenti ku jeton. Kështu ndodh edhe me ne shqiptarët, ndonëse tradicionalisht shqisat tona janë të vakëta ndaj papastërtive dhe kaosit ambjental. Vera e këtij viti nuk i shpëtoi informacioneve për gjendjen ku ndodhet sot mjedisi në Shqipëri, për situatën e plazheve, zonave turistike, zonave malore, atyre urbane, rrugëve e lumenjve. Fotografia e këtij viti nuk ndryshon shumë nga “standarti”: plehrat gjenden sërish nëpër cepat e lagjeve e mahallave, periferitë e qyteteve, grykëderdhjet e lumenjve, ujrat gjarpërues të liqeneve të hidrocentraleve, nëpër shkurret që rrethojnë zonat e banuara të të gjitha madhësive.

Në këto kushte, futja e një ligji për mbetjet në parlament, nuk kishte si të mos krijonte efektin e shishes se benzinës mbi një zjarr të madh drush të thata. Qeveria preferoi të mos bënte asnjë parapërgatitje për hapin që po hidhte, duke i besuar elokuencës së kudondodhur të kryeministrit dhe garancive të tij e të zyrtarëve rreth tij, për diferencat e ligjit të ri nga draftet e vjetra dhe për moscënimin e ambjentit edhe ashtu të rënduar shqiptar.

Beteja parlamentare që pasoi ishte gjëja më e parashikueshme që mund të imagjinohej. Sepse ishte e lehtë, fare e lehtë, ta gjuaje me gur, ta politizoje e ta mallkoje një ligj që mban brenda fjalën “plehra” (ose edhe mbetje, për shqiptarin e mesëm është e njëjta gjë). Edi Rama preferoi t’i hyjë edhe një herë detit në këmbë, pa marrë me vete jelek shpëtimi. E ka bërë edhe në të shkuarën, nuk është gjë e re kjo për stilin me të cilin qeveris prej më shumë se një dekade, në fillim Tiranën e sot gjithë vendin.

Por a ishte kjo mënyra më e mirë për t’u servirur shqiptarëve një ligj delikat dhe me pasoja potenciale për të tashmen dhe të ardhmen e tyre? A ishte me vend që, pa shpjeguar asnjë nuancë të ligjit të ri, pa kryer asnjë fushatë sensibiluzuese, pa bërë asnjë konsultim publik me grupet e interesit, qytetarët, mediat etj, të hidhej në furnellën e parlamentit “gjella” e rradhës? Nëse kishte një hap që duhej matur mirë para se të hidhej, ishte pikerisht ky! E jo të prodhohej një situatë absurde konfrontimi parlamentar, ku qeveria nuk arrin të bindë dot as deputetët e saj, e jo më qindrat e mijërat e shqiptarëve të thjeshtë para televizorit!

Logjika e ftohtë, reflektimi i asaj që ne shohim sot, kur ligji ka kaluar dhe reagimet janë parë e dëgjuar, ta thotë se qeveria bëri të paktën një gabim të rëndë taktik. Sepse gabimet e tjera eventuale do të fillojnë të zbulohen gradualisht me kalimin e kohes. Dhe gabimi është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: në një vend që s’ka pastruar mbeturinat që prodhon përditë, që jeton nën trysninë e shisheve plastike nëpër lumenj, të ambalazheve gjithfarësh nëpër zonat urbane e rurale, të tymit kanceroz të zonës së Krujës, të landfilleve që mungojnë apo janë të mbingarkuara – në një vend të tillë më parë duhet të pastrosh, pastaj të importosh plehra, apo edhe mbetje. Quaji si të duash!

Është një përplasje logjike mes realitetit dhe të ardhmes që na serviret, që shqiptari i sotëm po tregon se nuk është i gatshëm ta përtypë. Thuaji sa të duash që unë do të sjell “lëndë të parë” për industrinë e riciklimit, sytë e tij do të kthehen menjëherë tek shishet, qeset, kanoçet, gomat e përdorura, fabrikat mostër të çimentos, karkasat e makinave dhe gjithfarë rrangullash të tjera që tranzicioni i solli, por nuk i pastroi kurrë. Pyetja më elementare është sesi një vend që nuk pastron dot plehrat e tij “të kategorisë së dytë”, qenka i gatshëm të pranojë e përpunojë me standarte europiane plehrat e “kategorisë së parë”?!

Së dyti, një aspekt tjetër delikat dhe shqetësues i ligjit të ri, është ai që ka qenë prezent edhe me projektet e tjera të mëparshme: sa do të jetë në gjendje shteti ynë që të disiplinojë importin e plehrave? Me fjalë të varfëra, sa do të jemi në gjendje, në një shtet dhe administratë ku shitet e blihet çdo copë letre e license dhe ku korrupsioni endemik prodhon rregullisht shkelje ligjesh e standartesh, që të jemi realisht të qetë që në anijet e trenat që do sjellin mbejtet për riciklimin, nuk do të ketë substanca të dëmshme apo të rrezikshme për shëndetin tonë? Kryeministri po e vendos veten dhe administratën e tij doganore para një sfide të rëndë dhe tejet impenjuese. Le të shohim sesa do t’ja dalë, pasi sot çdo celular është një aparat fotografik dhe një kasetofon incizues, në dispozicion të emisioneve investigative kudo në median shqiptare.

Kalimi i ligjit të ri për mbetjet, kështu siç erdhi dhe u votua, ka sërish formën e një basti me jetën dhe mirëqenien e njerëzve. Dhe dihet që bastet mund të fitohen, por edhe mund të humben. (Javanews.al)

10 komente në “Shqipëria e pistë dhe ligji i mbetjeve”

  1. petraq says:

    ku e di ky se shqiperia eshte e piste dhe per cfar arsye biznesmenet qe meren me riciklimin do te sjellin ne shqiperi mbetje jashte destinacionit te nevojshem.me vjen keq se yte njoh per njeri te formuar dhe qe i duhesh shqiperise per gazetar por po hengre buk do besh dhe therrime ashtu jane dhe ato shishe plastike qe mund te kene shkuar dhe ne det por qe i ka lene qeveria e kaluar me politiken e mos ndshkimit.kus nga keta bizesmen qe kane kerkuar me ngulm do te bjere plehra per te ndotur do te shkojne ne burg dhe do tu mbyllet aktiviteti e do te anullohen kontratat.me vjen shume keq e kam respekt shume te math per skenderin por i lutem te mos bjeri ne batakun e atyre qe vetem shajne e cpifin se duan te jene vet nepushtet.

    1. andromeda says:

      Skënder, ke shumë të drejtë. Rama me këtë lëvizje tejet të gabuar ka minuar veten para opinionit publik. Shqiptari i mesëm s’e pranon kurrsesi që vendi i tij të kthehet në magazinë plehrash për gjithë Europën. Është tejet e neveritëshme sado fitimprurëse qoftë. Në një vend mafioz, ku s’mund të kontrollosh asgjë dhe hyn derri e dosa nga të katër anët, importi i plehrave është kulmi i arrogancës së një force politike e cila erdhi në pushtet në 2013 edhe pse ishte kundër një ligji të tillë.

    2. Terroristet me te medhenj jane qeverite says:

      o Petraq, o Petraq,
      hiqesh vetë, a je budallaq ?!

  2. Moj shqipni e mjera shqipni says:

    Ne nuk kontrollojme dot ushqimin dhe ujin e pishem e te pa pijshem. Do kontrollojme plerat e botes ! O zot çfare po na beni ! Uroj te semuren dhe te vuajne sa me shume femijet e ketyre plerave qe votojne çfare duan vete per ato te mallkuara leke.

  3. Selim Rroshi says:

    Lere lere po doli dhe kercenimi i prokurorit atij eunuku qe ska futur brenda asnje peshk te madh. Duket qe eshte loje te beje te harroje felliqesiren e plehrave.

  4. Arturi says:

    E para, nuk jane mbeturina, si te Salihit dhe F.Nanos, por jane mbetje te riciklueshme (kategoria e gjelber).
    E dyta, po te ndjekim kete llogjike foshnjerore, se nuk mund te kontrollohet se çfare mbetjesh importojme, atehere nuk duhet te importojme as mish, fruta, perime, hekur per ndertim, mobilje, elektroshtepiake, etj.
    Le te diskutohet se si te rritet dhe forcohet kontrolli doganor, por jo te thuhen broçkulla.

  5. pro says:

    …ky eshte nje ligj i skaduar nga opinioni qe ne vitin 2013…nuk mund te luhet ne kohe,per industri qe nuk egzistojne ne vendet e tyre e jome tek ne..bota na quan mbeturine dhe ne e perforcojme si ide…dhe realisht.

  6. Lennard says:

    Ka te drejte Z.Skender kur thote se Qeveria e hodhi ne shesh Ligjin per mbetjet ,me nje vetebesim te tepruar.Po keshtu beri dhe per armet kimike.Une jam ekspert mjedisi.,per armet kimike kam qene PRO ,pasi shteti shqiptar fitonte disa miliarda dhe shkatrimi i tyre do te behej me mjete te sofistikuara dhe specialiste te vertete.Ate qe nuk beme NE e bene Italianet .Persa i perket Importit te mbetjeve ,cfardo qofshin ato ,une jam kundra.Eshte pozitive riciklimi i tyre ,po imbetjeve te prodhuara ne vend.Pra planifikimi i industrise se Riciklimit duhet te ishte bere ,bazuar ne shifrat konkrete te prodhimit te tyre ne vend, dhe nuk ka pse te imponohen shqiptaret per te pasuruar nje Lob makutesh.
    Me duket shume e peshtire perfshirja e prelateve te PD ne Kauzen e Plehrave!!.Duket qe jane Shakaxhinj te Perparimit!!!

  7. lina says:

    eshte e turpshme deri ne cfare pike po luhet me te ardhmen e nje industrie te tere. Te vjen keq kur ne luften politike qe i behet Rames, me ligesine me te madhe luhet me punen e perditshme te nje indistrie te tere. Rames mire ti behet, sepse po paguan harracet e nje maskaralleku te bere kur erdhi ne pushtet, po pse duhet te haje kusuret kjo industri. I vetmi gabim qe eshte bere, eshte qe ne fillim duhej diskutuar ligji me madiat qe po helmojne kete vend, me ligesine edhe insinuimet e bera.

    ne ligj thuhet qarte se behet fjale per 4 lende te listes se gjelber: karton/plastike, dru, edhe alumin.

    gjithashtu thuhet qe te drejten e licencimit do ta kene vetem ata qe riciklojne, edhe kjo eshte lehtesisht e monitorueshme.
    pika doganore kufizohet vetem tek ajo e durresit ku ka edhe skaner te elementeve radioaktive.

    pra ne keto kushte asnje rrezik i shtuar nuk i vjen.

    Nje pyetje kam per gjitha zagaret qe vetem vjellin vrer: cfare pengon qe edhe ne keto momente te importohen keto plehrat per te cilat flasin gjithe demagoget.

  8. Piro MITRUSHI says:

    Jam dakord me opinionin e Z. Skender Minxhozi, por dua te kundershtoj tre komentuest qe jane me Qeverine edhe kur ajo gabon rende:
    a) Per Lennard-in: Se pari je ekspert koti, sepse refuzimi i importimit per shkaterrim i armeve kimike eshte veprimi me i mire i Qeverise (sepse ato jane te grupit ultra te rrezikeshme); Shqiperia ka detyre te eliminoje plehrat=mbetjet=hedhurinat si dhe stoqet e rrezikeshme te armeve kimike etj. qe ajo gjeneron apo zoteron. Arsyetimet qe duan te bejne deputetet e plehrave te “gjelbera” jane vetem mashtrime me pasoja shume te renda per Popullin dhe Atdheun.
    b) Per Artur-in: me cfare llogjike barazon Ushqimet dhe Materiale e produktet qe importojme me Plehrat (Wastes=garbages) apo fraksionet e tyre, te papelqyeshme per vendet ku ato gjenerohen (sidomos problem jane dy vende Italia dhe Greqia)?
    c) Per Petraq-in: Ja fut kot se koti, sidomos kur thua “Kur ha ben edhe therime”. Therimet tona jane problemi e detyra jone, por ato ku t’i gjesh ne se i krahason me mbeturinat e plehrat qe bota nuk i do dhe eksporton per nje vend te varfer e te pazhvilluar si Shqiperia, qe nuk pastron as therimet e veta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje