Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka pritur sot në një takim sekretarin e Shtetit për Mbrojtjen e Mbretërisë së Bashkuar Michael Fallon.
Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë sekretarit Fallon, ministrja Kodheli e falënderoi atë për mbështetjen që vendi i tij ka dhënë dhe jep për Forcat e Armatosura të Shqipërisë.
Kodheli e falënderoi personalisht sekretarin Fallon për rolin e tij në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fushën e Mbrojtjes, bashkëpunim i cili siç tha ajo, “ka prodhuar rezultate konkrete dhe të prekshme në drejtim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta, fuqizimit të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit rajonal dhe më gjerë.”
Ministrja Kodheli vlerësoi bashkëpunimin në fushën e stërvitjeve dypalëshe, ku veçoi pjesëmarrjen e rreth 150 trupave britanikë që stërviten në bazat tona ushtarake në kuadër të stërvitjeve “Albanian Lion – 16” dhe “JointEffort- 16”.
Nga ana e tij, sekretari Fallon vlerësoi rëndësinë e stërvitjes “JointEffort- 16” që po zhvillohet në vendin tonë dhe tha se, Shqipëria do të jetë pjesë e Task Forcës së Gatishmërisë Shumë të Lartë, (VeryHighReadinessJointTask Force, VJTF).
Kodheli falënderoi sekretarin Fallon për mbështetjen e vazhdueshme dhe të vyer që Mbretëria e Bashkuar jep në fushën e arsimimit. Bashkëpunimi dypalësh,tha ajo, ka arritur nivele të paimagjinuara më parë, duke përmendur faktin që vetëm gjatë këtij viti, Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe ato britanike kanë marrë pjesë në rreth 30 aktivitete të përbashkëta.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe hapja e Zyrës së Atasheut Ushtarak britanik në Tiranë në fillim të vitit të ardhshëm.
Ministrja Kodheli e siguroi homologun e saj britanik për qëndrimin e palëkundur të qeverisë shqiptare, përsa i përket angazhimit të Aleancës në rritjen e kapaciteteve të parandalimit si dhe të mbrojtjes së kufijve të NATO. “Shqipëria do të jetë përkrah çdo vendimi që NATO do të marrë në mbrojtje të sigurisë, stabilitetit dhe paqes në vend, rajon dhe më gjerë.” – u shpreh znj. Kodheli, duke e ftuar sekretarin Fallon t’i bashkohet përpjekjeve të qeverisë shqiptare në procesin e ngritjes së Qendrës së Ekselencës kundër luftëtarëve të huaj këtu në Shqipëri.
Nga ana tjetër, ministrja Kodheli shprehu mbështetjen për integrimin e mëtejshëm të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në familjen euroatlantike, si dhe shprehu rëndësinë gjeostrategjike të anëtarësimit në NATO, jo vetëm për Aleancën, por mbi të gjitha për rajonin tonë.
Më poshtë deklarata për shtyp e ministres Kodheli dhe sekretarit Fallon:
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli:
I nderuar z. sekretar i Shtetit për Mbrojtjen i Mbretërisë së Bashkuar, ndihem e nderuar që sot mirëpres në Ministrinë e Mbrojtjes një mik timin personal dhe të gjithë popullit shqiptar, zotin Fallon, sekretar i Shtetit për Mbrojtjen i Mbretërisë së Bashkuar, me të cilin pata mundësinë të bisedoj mbi çështjet aktuale të sigurisë dhe bashkëpunimin e ngushtë Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar.
Gjej rastin t’ju falënderoj për vlerësimin që ju i bëtë ftesës sonë për të vizituar Shqipërinë dhe në mënyrë të veçantë për ndihmën e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar si vend aleat në NATO i jep Shqipërisë.
Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për punën e çmuar dhe të pakursyer që ju bëni për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh në fushën e Mbrojtjes. Ky bashkëpunim tashmë ka prodhuar rezultate konkrete dhe të prekshme në drejtim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta, fuqizimit të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit rajonal dhe më gjerë.
Vlen për t’u theksuar bashkëpunimi në fushën e stërvitjeve dypalëshe ku do të veçoja “Albanian Lion – 16”. Kemi sot në terren mbi 2000 trupa që po stërviten në bazat tona ushtarake, nga të cilat 150 janë trupa britanike. Gjithashtu, po mbyllim stërvitjen e përbashkët shumëpalëshe në kuadër të NATO siç është “JointEffort- 16” me përfshirjen e 1500 trupave të vendeve aleate.
E falënderova sekretarin Fallon për mbështetjen e vazhdueshme dhe të vyer që Mbretëria e Bashkuar jep në fushën e arsimimit. Sot personeli i Ministrisë së Mbrojtjes është i pranishëm në pothuajse të gjitha akademitë prestigjioze britanike të Mbrojtjes. Bashkëpunimi dypalësh ka arritur nivele të paimagjinuar më parë. Ndihemi komodë dhe krenarë për këtë.
Më lejoni t’ju konfirmoj se qëndrimi i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe natyrisht ai i qeverisë shqiptare është i palëkundur, përsa i përket angazhimit të Aleancës në rritjen e kapaciteteve të parandalimit si dhe të mbrojtjes së kufijve të NATO, vendime këto të marra në Samitin e fundit në Varshavë.
Shqipëria do të jetë përkrah çdo vendimi që NATO do të marrë në mbrojtje të sigurisë, stabilitetit dhe paqes në vend, rajon dhe më gjerë. Lufta kundër terrorizmit do të jetë një luftë e përbashkët dhe në këtë frymë, e ftova sekretarin Fallon që të na bashkohet në procesin e ngritjes së Qendrës së Ekselencës kundër luftëtarëve të huaj këtu në Shqipëri.
E sigurova kolegun britanik që Shqipëria do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin rajonal me qëllim promovimin e stabilitetit politik, të sigurisë dhe prosperitetin ekonomik. Gjithashtu, mbështesim fort integrimin e mëtejshëm të vendeve të rajonit të Ballkanit perëndimor në familjen e madhe euroatlantike. Jemi të bindur për rëndësinë gjeostrategjike të anëtarësimit në NATO, jo vetëm për Aleancën, por mbi të gjitha për rajonin tonë, duke përforcuar më tej arkitekturën e sigurisë në hapësirën euroatlantike.
Mbretëria e Bashkuar është një partner shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe si i tillë ne duam ta përforcojmë me shumë bashkëpunimin në fushën ekonomike, politike, kulturore dhe të edukimit.
I nderuar z. sekretar i Shtetit, edhe njëherë ju falënderoj sinqerisht për vizitën, të cilën e konsideroj të një rëndësie të veçantë dhe shumë të suksesshme për të dy palët.
Pranoni përshëndetjet më të përzemërta edhe për stafin tuaj.
Sekretari i Shtetit për Mbrojtjen i Mbretërisë së Bashkuar, MichaelFallon:
Ju falënderoj për mikpritjen në vendin tuaj dhe për ta bërë një gjë të tillë është një moment shumë i rëndësishëm ky pas stërvitjes “Joint Effort”, ku morën pjesë trupa nga Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Kosova, Mali i Zi; në të parën stërvitje shumëpalëshe të këtyre përmasave të zhvilluar në Shqipëri prej disa kohësh.
Kështu, arsyeja e parë e vizitës sime është vëzhgimi i stërvitjes “Joint Effort”, ku mund të them me krenari që Mbretëria e Bashkuar mori pjesë plotësisht me rreth 150 anëtarë të personelit të Forcave te Armatosura. Trupat tona jo vetëm demonstruan forcën dhe aftësitë e tyre, por demonstrojnë gjithashtu që edhe pse Britania po largohet nga Bashkimi Evropian, angazhimi ynë për sigurinë e Evropës dhe vendeve te NATO-s, mbetet po aq i fortë sa më parë.
Së dyti, ata do të kontribuojnë në forcimin e partneritetit me Shqipërinë, një partneritet që ka filluar mbi 100 vjet më parë dhe që është forcuar gjithnjë e më shumë.
Trupat tona dhe të vendeve partnere si ato italiane, jo vetëm që patën rastin të njohin Shqipërinë, por ata tani i shohin partnerët e tyre shqiptarë, si një shembull i shkëlqyer për mjedisin e trajnimit dhe mikpritjen e ofruar. Kështu që ju falënderojmë për këtë.
Duke e konsideruar vital këtë partneritet, si aleatë dhe, duke ndarë çështje të përbashkëta që na shqetësojnë si terrorizmi, korrupsioni dhe emigrimi masiv, ne kemi të gjitha arsyet e mundshme për të punuar dhe vepruar së bashku, edhe më ngushtësisht.
Për këtë arsye ministrja Kodheli dhe unë, e vlerësojmë këtë partneritet dhe do ta intensifikojmë më tej me hapjen e Sektorit të Mbrojtjes duke emëruar një atashe ushtarak rezident në Shqipëri.
Së fundmi, dua të them se viti i ardhshëm është një vit i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar sepse ne marrim drejtimin Forcës së Reagimit të shpejtë të NATO-s. Dhe me drejtimin e kësaj Task Force ne do të kemi dhe trupa shqiptare bashkë me trupat tona dhe kështu ky partneritet do të forcohet edhe më shumë.
Përgjigje e pyetjeve të gazetarëve:
Përshëndetje, një grup ushtarakësh rusë ndodhen në territorin tonë. Cili është inspektimi dhe roli i tyre në Shqipëri, sa kohë do të rrinë dhe cilat janë zonat që po inspektojnë? Është kjo një koincidencë me stërvitjen e NATO-s në Shqipëri?
Kodheli: Kjo nuk ka të bëjë fare me vendet anëtare të NATO-s. Shqipëria ashtu si edhe Rusia është anëtare me të drejta të plota e OSBE dhe, bazuar në veprimtarinë e përbashkët të vendeve anëtare të OSBE, Shqipëria ashtu si dhe Rusia, ashtu si edhe të gjitha vendet e tjera anëtare kryejnë veprimtari të armë-kontrollit në vendet respektive. Ky është një aktivitet që Ministria e Mbrojtjes dhe përfaqësuesit e saj e zhvillojnë normalisht në vende të tjera të OSBE dhe për pasojë pret që edhe vende të tjera anëtare të OSBE ta bëjnë këtë gjë. Shqipëria ashtu si edhe Rusia dhe vendet e tjera kanë nënshkruar një konventë, që është ajo e Armë -Kontrollit dhe kjo është një procedurë krejt rutinë që bëhet çdo vit dhe është bërë dhe më parë. Besoj që misioni i tyre mbaron më datën 30 shtator,pra janë edhe disa ditë. Sigurisht që ne jemi një vend që e respektojmë konventën që nënshkruajmë edhe detyrimet që lindin nga të qenit anëtarë:nuk ka të bëjë me FA, nuk ka të bëjë më NATO, nuk ka të bëjë me aktivitetin e mirëfilltë të Organizatës së Atlantikut të Veriut,ka të bëjë me një procedurë që lidhet me procedurat e Armë-Kontrollit, një procedurë e cila është krejt rutinë për një vend anëtar të OSBE-së.
A ka një zonë të përcaktuar?
Kodheli: Zonat që lejohen janë të përcaktuara, merret leje. Pra, e gjithë procedura është e mirëpërcaktuar, si ne kur shkojmë në një vend tjetër ashtu edhe kur ata vijnë këtu. Të jeni të sigurt dhe të qetë që asnjë sekret ushtarak nuk transmetohet tek personat përgjegjës. Personat përgjegjës merren vetëm me punën që është përcaktuar, e bazuar në konventë të bëjnë. Janë dy gjëra totalisht të ndara nga njëra-tjetra. Edhe brenda Ministrisë së Mbrojtjes ekziston një departament i Armë-Kontrollit që merret me këtë fenomen në vendet e tjera anëtare të OSBE, siç e thashë edhe më sipër.
Jo më larg se dje sekretari i Përgjithshëm i NATO Stoltenberg deklaroi që forcimi i bashkëpunimit të Evropës për një mbrojtje të shteteve të Evropës për një ushtri më vete, nuk minonte Aleancën Euroatlantike. Ka një koment zoti Fallon lidhur më këtë deklaratë të sekretarit të NATO?
Fallon: Ne e diskutuam këtë në takimin e BE-së të martën dhe ekziston një shqetësim real i shumë vendeve, jo vetëm Britanisë, por edhe i të gjithë atyre që janë përfshirë në krijimin e ushtrisë evropiane dhe dublimin e panevojshëm të NATO, për krijimin e një shtabi operacional mbi BE-në, që jo vetëm do të dublonte NATO, por mund të krijonte edhe probleme të tjera. Ne ramë gjithashtu dakord që do të punojmë së bashku me NATO dhe BE për të forcuar më tej bashkëpunimin, për shembull, për t’u marrë së bashku me kërcënimet e luftës hibride dhe kërcënimet nga penetrimi kibernetik. Pra, ka shumë gjëra për të bërë në krah të njëri – tjetrit pa propozime të reja për krijimin e institucioneve dhe strukturave të reja të panevojshme.