Bashkia e Tiranës, ka gati draftin final të Planit të Përgjithshëm Vendor, “TR030”. Ai u prezantua sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe arkitekti i njohur Italian, Stefano Boeri, gjatë një takimi ku merrnin pjesë arkitektë e urbanistë shqiptarë dhe të huaj.
Transporti publik
“Çfarë do të quhet sukses në qytetin tonë? Do të quhet sukses kur çdo njeri me ndihmë ekonomike eventualisht do të marrë dhe do të blejë një makinë apo do të quajmë sukses kur edhe një i pasur do të hipë në autobus. Unë besoj te kjo e dyta.
Kombet kanë kaluar 100 vite me këtë përgjigje, por sot të gjithë kombet e zhvilluara dhe qytetet e avancuara kanë arritur te ky përfundim: një qytet i suksesshëm quhet ai që edhe një njeri që është mirë nga gjendja ekonomike, e bën të përdorë transportin publik”, nënvizoi Veliaj.
“Dy unazat, e dyta dhe e katërta që tashmë i kemi gjurmuar në qytet, do jenë me fokus transportin publik, vetëm autobusët , biçikletat, këmbësorët. Nuk jam urbanist, por në këtë fazë kam parë dhe kam studiuar historitë e të paktën 100 qyteteve të përmasave tona dhe parimi se duke ndërtuar më shumë rrugë çlirohet trafiku, është gënjeshtër. Kjo nuk zgjidhet duke prodhuar më shumë asfalt dhe duke shtuar korsi. Qytetet amerikane kanë dështuar me sukses në këtë perspektivë. Qytetet evropiane e panë, mësuan dhe po bëjnë ekzaktësisht këtë, duke i kushtuar më shumë infrastrukturë transportit alternativ se sa makinave”, shtoi kryetari i bashkisë. Kjo sipas tij, do të shoqërohet edhe me pastrimin e ajrit për të cilin do të kontribuojë edhe vendimi tjetër për të ndërtuar pyllin orbital me rreth 2 milionë pemë deri në 2030.
Tirana nje qytet i gjelber
“Në qoftë se vazhdojmë me këtë ritëm, pas 3 vitesh do të kemi nivelin e oksigjenit dhe të ajrit të çdo qyteti anëtar të BE. Duam që në 15 vitet e ardhshme, pra deri në vitin 2030, të kemi mbjellë 2 milionë pemë në Tiranë. Është shumë më shumë se sa ambicia që kemi arritur me sukses deri tani. Ambicia që kemi pasur deri tani ka qenë 1000 pemë në muaj dhe e kemi mbajtur. Vitin e parë kemi mbjellë mbi 13 mijë pemë, por nuk mjafton me çfarë duhet të jetë qyteti sepse po u krahasua me çfarë gjetëm, jemi si dita me natën”, u shpreh Veliaj. Ai theksoi se Plani i Përgjithshëm Vendor merr në konsideratë edhe faktin se Tirana do jetë vendi i dëshiruar edhe në të ardhmen nga të gjithë ata shqiptarë, të cilët e shohin atë si një vend më të mirë të jetuar dhe punuar.
Strehimi dhe tregu i ndertimit
“Strehimi është një çështje që duhet ta zgjidhim dhe mund ta zgjidhim me këtë plan. Kemi bërë disa propozime jashtëzakonisht inkurajuese si për banesat sociale, si për fondin e kredive të buta për vitin tjetër. Por, do t’i themi një ndërtuesi, nëse do të ndërtosh në volum pak më shumë, ka vetëm një rrugëzgjidhje, do t’i japësh bashkisë disa nga apartamentet, sipas një formule të caktuar, që t’i fusë te banesat sociale. Në këtë mënyrë shmangim edhe getoizimin. Ëndrra ime është që Shkoza të mos jetë getoja jonë e re, meqë aty kemi një bllok me banesa sociale, përkundrazi modeli i Londrës, ku Bashkia në të gjithë qytetin ka një fond të banesave sociale, është një shpërndarje më demokratike, por edhe më humane, më sociale”, theksoi kryetari i Bashkisë. Ai foli edhe për disa politika të tjera që favorizojnë ndërtimet që kursejnë energji dhe nxisin pastrimin e ajrit në qytet.
“Problemi më i madh që kemi është me lagështirën se termoizolimi është skandal. Ne duhet të japim një bonus nëse dikush promovon termoizolim të shkallës së parë, do t’i japim prioritet këtij propozimi, se sa një propozimi tjetër ku vazhdon e ndërtohet me katrahurën që është bërë sot. Do të japim një bonus besoj edhe për ata që ofrojnë tarracat e gjelbra”, tha Veliaj.
Boeri: Pylli oribital me 2 milione peme
Ndërsa, arkitekti Italian, Stefano Boeri në prezantimin e planit theksoi se ai parashikon që Tirana e vitit 2030 të zhvillohet si një qytet policentrik dhe ku do dominojë gjelbërimi. Më konkretisht, ai bëri të ditur se Plani i Përgjithshëm Vendor përbëhet nga 13 strategji kryesore të zhvillimit të Tiranës si një metropol, duke marrë në konsideratë përbërjen urbane dhe rurale të kryeqytetit.
“Do të mendojmë shumë për idenë e përmirësimit të sistemit bujqësor. Do të jemi duke fuqizuar bulevardin kryesor, që është parashikuar shekullin e kaluar nga masterplani italian në vitin 1935, dhe në të njëjtën kohë jemi duke imagjinuar për krijimin përgjatë lumenjve kryesorë, të korridorit blu dhe të gjelbra dhe të një pylli orbital përreth gjithë qytetit. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme se këto 2 milion pemë të pyllit orbital janë për të ndalur shpërthimin e ndërtimeve urbane. Do të 3-fishojmë zonat e gjelbra, kjo është ideja e bulevardit dhe që në pjesën qendrore të tij të kemi një park që të jetë një shtyllë kryesore për qendrën, një vend ndërkombëtar, ku mund të jenë institucionet ndërkombëtare që luajnë një rol në të ardhmen e qytetit”, tha Boeri. Gjithashtu, ai theksoi se plani parashikon 5 unaza, dy prej të cilave të dedikuara posaçërisht për këmbësorët dhe ata që duan të pedalojnë, ndërsa theksoi se parashikohet edhe infrastruktura që lidh Tiranën me Rinasin dhe Durrësin.
Boeri tha se PPV parashikon ruajtjen dhe konservimin e Tiranës historike, duke synuar rritjen e interesit për arkitekturën e mëparshme. “Tirana do të jetë një muze i hapur për arkitekturën gjeopolitike të shekullit të XIX dhe XX. Prandaj, mendoj se përsa i përket ruajtjes është shumë e rëndësishme për qytetin, por në të njëjtën kohë ne e dimë që duhet të zhvillojmë një epiqendër për të ardhmen e Tiranës. Së bashku me bashkinë kemi gjetur 5 zona kryesore brenda qytetit për të dhënë një pamje policentrike dhe për të dhënë dinamika të forta të transformimeve”, tha arkitekti i njohur.
O ZOT !
E kush nuk bere cfare deshi me Tiranen :
Fashistet
Komunistet
Ed Ramistet
dhe se fundit
Gopistet pa tru !
OZOT, cfare te kemi bere qe na le ne dore te DEBILAVE !