Pas skandalit publik që u bë pasi Edi Rama u shfaq në kafe me tre deputetë të PD, Luli kërkoi urgjent që të tre deputetët të plotësonin formularin e dekriminalizimit, ku të provonin se nuk kishin pranuar të bashkëpunonin me Edi Ramën si kriminel, nuk kanë dhënë fjalën se do përfshihen në trafikun e drogës, nuk kanë pranuar të fitojnë asnjë koncesion dhe se nuk do ta njohin ligjin e Vetingut.
Kunati thirri me urgjencë të tre deputetët dhe ata bënë deklarat e mëposhtme.
Asllan Dogjani:
Nën cilësinë e deputetit të Bathores dhe gjithë Kukësit e Dibrës së rënë aty, deklaroj si më poshtë.
Gjatë qendrimit në tavolinë Edi Rama më ofroi të merrja monopolin e drogës në Malësinë e Zallherit dhe Paskuqanit. Ai më tha se atë zonë do t’ia lëmë PD, prandaj merru pak me hashashin që të blesh votat. E kundërshtova rreptë dhe i thashë që nuk pranoj kurrë të merrem me hashash dhe këtë e di mirë ti, pasi kam ikur nga PS, vetëm kur mësova se ju kishit ndërmend që kur të vinit në pushtet, të merreshit me hashash. Ma shpjegoi profesor Kaçi, i cili të kishte dëgjuar një ditë t’ia thoshe Saimir Tahirit në telefon.
Aty Edi Rama u pre në fytyrë dhe nuk dinte çfarë të thoshte.
-Po mirë mo burrë, tha, dakord nuk do hashash, po të paktën të të lidh me këtë që mbulon zonën time, të të japë një pjesë të fitimit.
-Unë nuk shitem për lekë, i thashë. Po të doja lekë, rrija me ty, nuk ikja me Doktorin.
Këtu Rama uli përsëri kokën.
-Po si t’ia bëjmë Asllan, tha, si do rregullohemi? Kërko çfarë të duash, vetëm na duhet eleminimi fizik i Mul Nokës.
-Nuk është burrë që merret gjak ai, tha. S’do ta bëja kurrë.
Pas kësaj ai humbi shpresat dhe nuk më pyeti më.
Bedi Mihaj:
Unë Bedi Mihaj, në cilësinë e deputetit të Fierit, Cakranit dhe Mallakastrës së sipërme deklaroj në përgjegjësinë time të plotë si më poshtë;
Edi Rama më ofroi koncesionin e checkup për zonën e Fierit. Më tha do flas me Vilma Nushin të ta nënkontratojë ty, pjesën e Fierit.
I thashë që kam gjithë jetën që e bëj chekup-in falas të popullit të zonës, vetëm me nga një shishe raki që e bien për qejf, nuk kam nevojë për lekët e tua.
Ai u nxi në fytyrë dhe filloi të belbëzonte.
-Po mire, të paktën prano të të japim rakinë falas, tha, se të paskemi hequr dhe atë pak gjë që merrje.
-Nk e dua, i thashë. Sa herë më shkon mendja për raki, shikoj Lulzim Bashën dhe bëhem esëll.
Pas kësaj u dorëzua, nuk kishte çfarë thoshte.
Luciano Boçi:
Në cilësinë e deputetit të Elbasanit, deklaroj si më poshtë:
Gjatë bisedës, Edi Rama më ofroi 100 të drejta studimi në Universitetin publik, që t’i përdor për qëllime elektorale, por nuk pranova. I thashë, elektorati im e fiton me djersë shkollën, se janë të gjithë të shkëlqyer.
Pas kësaj Rama më pyeti, nëse mund të bëja një deklaratë që Blushi në Elbasan, ka bashkëpunuar me PD dhe për këtë më ofroi 1 milion euro.
-I thashë kurrën e kurrës, nuk pranoj të shes intelektualët e Elbasanit. Ka ikur ajo kohë që siguronit bashkëpunëtorë kundër tyre.
-Po mire, më tha në fund i mërzitur, si t’ia bëjmë kësaj Lolitës, më thuaj ndonjë gjë, mirë me Blushin që nuk më ndihmon?
-Atë se dorëzojmë kurrë, i thashë. Ajo është shpresa jonë e madhe.
Këtu nuk duroi dot fare. U ngrit nga tavolina dhe iku si i tërbuar.