Karmina jep këshilla si blogere për gazetarët

14 Tetor 2016, 19:43Antena TEMA

Pas zhurmës së ditëve të fundit, Karmina mësoi se disa gazetarë janë të rrezikuar nga papunësia dhe ishte shumë e çuditur për këtë. Nuk e kuptonte se si mund të ndodhte kjo, ndërkohë që ajo vetëm me pak krijimtari, siç është tregimi i saj i mundimshëm se si ka lexuar librin e Marylin, apo si ka birësuar një qen rruge në Budva, por dhe betejat e saj për kalin dhe tre macet, është bërë blogere e famshme. Ndaj ajo vendosi sot t’u japë disa këshilla gazetarëve:

“Unë kam një këshillë për gazetarët. Nëse doni të bëheni të pasur dhe të famshëm, hapni një llogari në Instagram.

Përpiquni të bëni foto sa më të bukura, nga fundshpina dhe dekolteja, dhe ndiqni javët e Modës në Milano.

Nuk është ndonjë shpenzim i madh. Mjafton të rezervosh një hotel me pesë yje dhe të udhëtosh fundjavave në Milano.

Pronarët e hoteleve të mëdhenj, rrijnë gjithë ditën në Instagram dhe i ndjekin lëvizjet tuaja. Pastaj nëse atyre u pëlqejnë fotot, të bëjnë like. Kur mua më bëri like për herë të parë një nga bosat e Dolce Gabana, e bëra lajm menjëherë.

Ishte hera e parë që duhet të shkruaja një lajm dhe u përpoqa ta bëj sa më mirë. Punova gjithë mbasditen dhe gjithë natën dhe në mëngjes ja dola.

Ishte një lajm shumë i bukur, dhe kishte plot pesë rreshta. Shpjegova se si më kishte bërë like, çfarë kishte menduar kur më kishte parë dhe çfarë emocioni ishte për botën shqiptare kjo ngjarje.

Sapo e bëra lajmin, gjithë portalet e botuan atë dhe unë i ripostova në blogun tim. Kjo më bëri shumë të famshme.

Pastaj tek java e modës në Milano kishte dhe ditëlindjen Zeni dhe e festuam dhe aty. I hodhëm prapë fotot në Instagram. Liket u rritën. Dhe ftesat nga hotelet luksoze vinin çdo javë. Disa nga email-et më vinin në spam dhe unë nuk i shikoja, por kur e zbulova dhe këtë, u mahnita.

Atëhere fillova të kontrolloj çdo email dhe ja tregoja Zenit. Na ka bërë ftesë ky hotel, ky hotel, ky hotel…Në fakt ishte interesante se ofertat vinin të personalizuara me emër dhe isha shumë e lumtur. I bëra publike dhe këto.

Kështu, një ditë ja tregova Zenit gjithë këto email-et. Ai më tha se duhet të shkojmë tek ky “Carlton Ritz” në Stamboll.

-Të ka ardh dhe ty ofertë, i thashë, se mua më vjen çdo ditë në spam?

-E ka pas mik babi, më tha, dhe kemi pas disa plane për biznes bashkë. Por tani është nxehur babi dhe i është dash ta shajë në parlament për një kontratë, por duhet të shkojmë ta qetësojmë.

Ashtu vepruam.

Kur shkuam aty, ai na kishte surprizuar me një verë me emrin tim dhe gjëra të tjera.

Unë siç e dini, e bëra prapë publike. Zeni u mërzit shumë, se më tha e ka marrë vesh babi dhe ai është mërzitur me këtë, nuk e di që ne i shkojmë prapë në hotel. Por ndonjëherë njeriu duhet të jetë i pavarur dhe të dalë kundër pushtetit dhe politikës.

Dhe unë dola. E publikova duke i thënë ”Jo” censurës. Tani ndjehem e lirë. Dhe pronari i hotelit u kënaq shumë. Kur ikëm sot, më tha bëji të fala babit të Zenit, e kam pas shumë mik.

-Patjetër, i thashë. Nuk desha të dukesha dhe t’i thosha që e kam bërë publike pa vullnetin e tij. Se unë e urrej censurën. Kështu mu shtuan liket dhe unë po fitoj miliona nga faqja ime.

Kjo është rruga e duhur. Ju mund t’ia dilni. Siç ia kam dalë unë. Natyrisht duhet të gjeni dhe një burrë që ka lekë, sic thotë Marylin.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje