“Obezi” i shpjegon Lulit çfarë duhet të bëjë me njerëzit e Çilit në PD

4 Tetor 2016, 20:06Antena TEMA

Pasi impaktit të parë që pati deklarata e Çilit për mandatin e dytë të Ramës, në kryesinë e PD u rrit shqetësimi, se çfarë qëndrimi duhet të mbajë PD ndaj këtij fenomeni. Shumë nga kundërshtarët e Gridës, Salianjit etj, kishin ngrehur shpatat për të marrë hak.

Lulin e shqetësoi kjo situatë dhe kërkoi konsultë urgjente me “Obezin” për çështjen në fjalë.

-Jam i shqetësuar, tha, se ka shumë revansh ndaj njerëzve që kam në parti. Duan të mi shpallin si “puçistë”. Më duhen disa argumente që t’i mbaj patjetër.

-Do ta mendojmë, tha “Obezi”, dhe shkoi dorën mes leshrave të plakur. Se s’jam shumë i përqëndruar ngaqë është fillim muaji dhe s’janë bërë as pagesat .

-Do ta zgjidhim këtë punë, tha Luli, por më mendo diçka për këtë hall.

-Duhet ta marrësh lehtë, tha “Obezi”. Ndonjë herë duhet shitur shtrenjtë heshtja. Ti mos fol. Shiko, shitja e heshtjes, është një biznes i madh, i cili ka shpesh shansin të japë dhe idenë e një eruditi të thellë.

Nga ana tjetër, mendoj se duhet forcuar ideja që e gjitha kjo është diçka e përkohshme.

-Po si ta argumentoj brenda partisë, tha Luli?

-Duhet ta hapim fjalë se Çili e ka bërë deklaratën qëllimisht që të distancohet nga ty, pasi Doktori e shikon si rrezik që të influencon ty. Për të qetësuar Doktorin, ti do hapësh fjalë se e zbove Çilin dhe e detyrove të bëhej me Ramën. Kjo do të qetësojë Doktorin, që ti nuk je nën influencën e Çilit, por timen. Me këtë aktin e distancimit që kam bërë unë nga Çili, kjo bëhet dhe më e besueshme. Për t’u bërë akoma më e besueshme, ti dhe fondin e PR e derdh vetëm tek unë. Kështu skema bëhet e plotë.

Me pak fjalë, të bëjmë skenarin: Doktori ishte xheloz për raportin tënd me Çilin. Ti bisedon me Çilin dhe bini dakord që ai të dalë kundër teje publikisht. Kjo bind Doktorin se Çili u largua nga ty. Ti nuk flet publikisht në shenjë pendese për ish-shoqërinë me të. Pastaj Doktori bindet që ti nuk ke raport me Çilin, por punon me mua. Unë sulmoj Çilin, por lavdëroj disa nga ata të tijët në PD, për të krijuar idenë që ata janë të tutë dhe jo të Çilit. Kështu frenohet revanshi. A jam i qartë?

-Jo vetëm i qartë, por kjo është dhe e vërteta, tha Luli. Puna është se nuk duhet të preken njerëzit që kam në kryesi dhe struktura.

-Në asnjë mënyrë, tha “Obezi”. Atyre do t’u thuash që do kenë punë me mua dhe merrem unë me ta. E filloj me Grigjën…

-Dakord, tha Luli. Puna është të mos tremben dhe këta. Ta dinë që është taktikë.

-Atyre do t’u themi gjë tjetër, tha “Obezi”. Do t’u themi që e kemi vënë vetë Çilin, si Pal Mëlyshi, të bëhet me Ramën, që të humbasë Rama, siç humbi Doktori më 2013. Pastaj kthehet prapë me ne, pas zgjedhjeve.

-Kjo më pëlqen shumë, tha Luli i gëzuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje