Blogerja e njohur Karmina ka ngjallur zili të madhe tek bashkëmoshataret e veta, të cilat nuk kanë mundësi të bëjnë jetën e saj të luksit. Disa prej tyre janë shumë të ashpra në komentet e saj drejtuar Karminës.
Një prej tyre ka shkruar në blogun e saj:
“Nëna ime, mos bëfsh hajër kurrë. Kur isha 14 vjeçe më mbaje brenda, më thoshje mëso të bëhesh me dhjeta të shkosh në Universitet të mirë jashtë Shqipërisë dhe të sigurosh jetën. Ngela brenda katër mureve, u bëra qorre dhe i mora të gjitha dhjeta. Mora bursë për një nga Univeristetet më të mira, e mbarova dhe atë me dhjeta dhe tani dua të djeg diplomën. Nuk kam as të dashur, as punë, as lekë. Karmina pa shkollë, pa asnjë orë leximi (përveç librit të Marilyn-it, dhe me dhjetra të dashur para partnerit, i ka të gjitha, burrë, miliona dhe biznes. Bile të shtunën e pranoi dhe Doktori për nuse). #Mos dëgjoni nënat#”, e përfundon hashtagun e saj komentuesja.
Por komentueses i është përgjigjur vetë blogerja e njohur Karmina.
Ja çfarë i shkruan ajo:
“Më vjen keq për ju, por fati ju ka rezervuar një nënë mendjeshkurtër. Unë për fatin tim, jam rritur e lirë nga tutela e nënës dhe ajo nuk më ka dhënë kurrë këshilla të gabuara, si kjo e jotja.
Që e vogël më ka thënë shiko kap ndonjë burrë me lek dhe kur lexova se këtë mendim kishte dhe Marilyni në librin e saj, mu rrit shumë respekti për nënën time si njeri me vizion.
Në fakt dhe në shkollë nuk e kam vra shumë mendjen dhe s’kam pas ndonjë emocion për provime.
Ajo që kam bërë unë është se kam harxhuar shumë kohë për biznesin tim.
Biznesi im është të shëtisësh dhe të vishesh bukur, dhe kjo kërkon shumë kohë.
Them kohë, pasi atë zë e mbuloj unë, kurse ajo kërkon dhe shpenzime, por atë e mbulon Zeni.
Duke folur gjithnjë për zërin që mbuloj unë, pra atë të kohës, të them se që të më arrish mua, duhet të shpenzosh shumë kohë, të udhëtosh Tiranë- Milano-Tiranë çdo javë, ose çdo dy javë, dhe të shëtisësh rrugëve të Milanos me fotografen tënde, të hedhësh foto në Instagram e të tjera gjëra si këto, që janë shumë të vështira.
Janë një sërë obligimesh që kërkojnë shumë kohë.
Tani po dëgjoj që ti e paske shpenzuar kohën duke lexuar.
Është një kohë e shpenzuar keq.
Ti lexon një mijë libra dhe asnjë nuk të hyn në jetë.
Ndonjëherë dhe një libër i vetëm ta ndriçon atë, siç ka ndodhur me mua me librin e Marilyn.
Më vjen keq, por nëse mund të të ndihmoj me diçka, më thuaj.
Por mos harro se unë gjithçka e kam arritur me shumë mundim, pasi kam shpenzuar shumë kohë”.