Flamur Noka: Nga të dhënat e mia, piloti ka qenë i zoti i shtëpisë ku ka jetuar Saje Qorri kur ka qenë student në Itali, dhe qysh atëhere kishin bërë planet se si do eksportonin drogën nga Shqipëria. Ai ka qenë dhe disa herë të tjera në Shqipëri, por nuk ka pasur defekt avioni. Saje Qorri u përpoq ta mbante të fshehur me shpresë se do t’ia rregullonte gomën e thyer, por demokratët e zonës raportuan dhe krimi u zbulua. Tani Saje Qorri të tregojë lidhjet që ka pasur nga Italia me këtë trafikant.
Koço Kokëdhima: Unë mendoj se është bërë një hap para drejt legalizimit të hashashit. Në këtë rast Prokuroria dëshmoi se ajo të liron nga burgu, po i the të drejtën që je trafikant droge. Me këtë logjikë i bie që gjithë këta që mbjellin hashash, po treguan të vërtetën si gjen gjë. Kjo është fitorja ime e parë.
Spartak Braho: Pushtuesit italianë gjithmonë e kanë pasur halë në sy Ishmin heroik, por partizanët e atyre anëve gjithmonë u kanë treguar vendin. Kështu do përfundojnë të gjithë ata që vijnë pa i ftuar unë në këtë vend.
Sali Berisha: Në telefonin e trafikantit italian u gjet telefoni i Saje Qorrit, Edi Ramës, Olsit dhe Thoma Gëllçit. Gjysëm ore pasi ngeci në baltë, piloti kishte folur 25 minuta me Edi Ramën në telefon, dhe i kishte kërkuar ndihmë për të rregulluar rrotën e avionit. Edvin Rama i ka premtuar një rrotë avioni nga të Gjadrit, por Mimi Kodheli nuk i ka hapur telefonin dhe kështu që ata u vonuan dhe nuk e shpëtuan dot. Piloti digital thotë se italiani nuk kishte as gomë rezerve, dhe kjo tregon që ishte nisur me urgjencë. Mafia e Edvin Ramës mendonte se qe ditë Kuvendi dhe vëmendja do ishte tek Parlamenti, ndaj e kishte urdhëruar të vinte të enjte.
Edi Rama, mesazh Rencit: I dashur Renc. Po si ka mundësi që keni këta pensionistë kaq të paaftë. Unë boll jam tall me veteranët tanë, po ata të marrin gjak në vetull. Si është e mundur që nuk dinë t’i japin dhe një avioni aq të vogël. Të rekomandoj t’ua presësh pensionet e të mbledhin mendjen të bëjnë një punë tamam. Ja sot ra dhe një idiot tjetër në bregdet. Këta sikur i zë hashashi pa e ngarkuar.
Aldo Bumçi: Prokuroria ka dashur të imitojë skenarin e Sigurimit të Shtetit kundër agjentëve të CIA, që i kapte kur binin me parashute, dhe pastaj i bënte bashkëpunëtorë duke ftuar shokët e tjerë. Dhe ky italiani u lirua që Prokuroria të kapte shokët e tij. Personalisht jam dakord me objektivin, por Prokuroria nuk duhet të imitojë Sigurimin e Shtetit.
Genc Ruli: Ç’të të them unë biro. I kanë pas thënë nga Gjirokastra një herë moti: “Është e lirë kripa në Durrës, po të ha qera e rrugës”
Saimir Tahiri: Meqë ky piloti është proceduar vetëm për fluturim pa leje, Policia e Shtetit ka nisur verfikimet lidhur me përdorimin e rripit të sigurimit. Nëse rezulton se ai ka qenë pa rrip në momentin e aksidentit, duhet t’i shtohet dhe 150 mijë lekë të vjetra gjobë. #Policiaqëduam#