Karmina, e lumtur që Doktori ka arritur në përfundimet e saj për Universitetin e Çilit

8 Shtator 2016, 19:54Antena TEMA

Doktori sot sulmoi në Kuvend, Universitetin Europian të Tiranës, i cili, sipas tij, mund të përfitonte nga kaosi i krijuar i maturantëve.

Komentet e Doktorit nxitën reagimin e blogeres së njohur Karmina, e cila gjeti rastin t’i tërheqë vëmendjen dhe një herë maturantëve për keqkuptimin që kanë me Universitetin.

“Sot mu duk i drejtë reagimi i Doktorit për Universitetin Europian. Nuk dua të lavdëroj veten, por unë jam ndër të parat që kam arritur ta kuptoj ku qëndron problemi me këtë Universitet dhe kam refuzuar të shkoj në provime dhe kur kam pasur për t’i dhënë.

Nuk doja t’u jepja kënaqësi pedagogëve të më shikonin, pasi nuk ishin as klasin e duhur të veshjes dhe ndonjë standard bukurie që të përballeshin me mua.

Dhe isha e qartë se ato provime nuk do të më duheshin për asgjë.

Por Doktori në atë kohë kishte iluzione.

Ngaqë nuk komunikonte me mua, donte t’i tregonte Zenit se është mirë që të rinjtë duhet të studiojnë.

Dhe një ditë pashë se si ai, Zeni dhe gjithë Familja, shkuan tek Universiteti Europian dhe promovuan librin e mbesës.

Librin e kishte botuar Universiteti dhe bëri shumë bujë.

Unë atëhere ende nuk e kisha lexuar Merlyn, por isha e qartë se e ardhmja nuk ndërtohej me libra.

Por nuk ia thoshja dot as Doktorit, as mbesës së Zenit.

Kur e takova mbesën vite pas promovimit të librit, mu duk tip i qartë dhe nuk mu duk tip librash.

Tani më në fund e ka gjetur dhe ajo rrugën e jetës tek një revistë dhe ndjehem e lehtësuar që nuk më gënjeu parandjenja ime, që këta që duan të mbarojnë shkolla, nuk janë për asgjë.

Tani më në fund jam e kënaqur që dhe Doktori e ka kuptuar që e kishte të kotë mundimin të krijonte idenë, që Universiteti është vatër e dijes dhe që studentët duhet të lexojnë, bile dhe të botojnë libra që në atë moshë.

Sot e kënaqur për këtë që ndodhi, mora mbesën në telefon dhe e pyeta se për çfarë fliste ai libri që kishte shkruar ajo, por nuk i kujtohej, dhe më tha do pyes mësuesen.

-Lere fare, i thashë, po të dërgoj librin e Merlyn, është kryevepër.

-Jo mos ma ço, tha, se kam lexuar tre citate në Facebook.

Po ju flas me dorë në zemër, se jam vetë studente e atij Universiteti, por mua nuk më kanë keqpërdorur dot si studentët e tjerë, që i marrin në provime.

Unë i kam refuzuar dhe librat, dhe provimet, dhe ndjej që kam bërë mirë.

Ndryshe nuk do kisha këtë sukses që kam.

Më vjen mirë që më në fund dhe Doktori erdhi tek mendtë e mia.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje