Kunati heton për vjedhjen e eurove në dasmën e vëllait të Lulit

5 Shtator 2016, 18:33Antena TEMA

E gjithë dasma që u organizua nga kompania e eventeve të Kunatit për të martuar vëllain e Lulit, përfundoi me një ngjarje të pakëndshme, që prishi gjithë atmosferën.

Dhëndrit në fund i mungonin një mijë euro në xhaketë dhe ai akuzoi kamarierin. Pastaj policia mori dëshminë e Kunatit, të orkestrës dhe të të pranishmëve në dasëm.

I pari u pyet Kunati:

-Unë jam Kunati i Lulit dhe organizatori i eventit. Gjithçka po shkonte mirë dhe aty afër fundit, si zakonisht njerëzit hodhën para. Meqë rrethi ynë familjar përdor eurot, të gjithë ata që ishin aty hodhën euro. Në fund mungonin një mijë euro dhe kjo na shqetësoi.

Ndërhyn polici.

-Ku e dinit ju sa euro u hodhën, kush i numëroi?

-Ne kemi kompani eventesh dhe nuk ka asgjë spontane. Ne e kishim caktuar secilin se sa do hidhte, pavarësisht se dukej si spontane. Në fund na rezultoi një mijë euro mangut.

-Na jepni pak listën e atyre që kanë hedhur para, pasi duhet t’i hetojmë për origjinën e tyre, sipas ligjit të dekriminalizimit, i tha polici.

-Siç e thashë, ato janë gjeste fallco të kontrolluara nga agjencia e eventit. Paratë janë po tonat, ne thjeshtë i kemi përdorur për të bërë zakonin.

Pas Kunatit dëshmia e dytë ishte e kamarierit të dyshuar.

-Kush ju ka punësuar këtu, pyeti polici?

-Unë jam me origjinë nga fshati i Kunatit, tha kamarieri. Më tha eja se kam një dasëm dhe më duhesh, dhe erdha. Tani më akuzojnë se kam marrë një mijë euro.

-E pranoni akuzën, tha polici?

-E pranoj që kam mbledhur eurot që ishin në shesh dhe ja kam dhënë dhëndrit dhe nuses, por jo që i kam vjedhur.

-Ata pretendojnë se e dinë sa euro kanë qenë dhe një mijë janë mangut, tha polici?

-Unë me qejf i kisha marrë të gjitha, se paratë tona janë, por nuk kisha mundësi, tha djali.

Pastaj u mor në pyetje drejtuesi i orkestrës.

-A të premtuan para ty, i tha polici?

-Jo, unë e kisha me pagesë fikse, se ishte orkestër fallco. Gjithçka ishte e regjistruar me DJ.

-Kush mendon se i ka marrë, tha polici?

-Kam dyshim se mund të kenë bërë hile kur kanë hedh paratë. I kanë mbajt të gjithë nga një 50-çe. Aq vetë ishin ata, 20 vetë ishin të tërë. Nga një 50-çe në xhep, shkojnë 1000 euro.

Kjo e fundit policit ju duk interesante dhe ja tregoi Kunatit. Ai filloi ta mendonte se kush ishin të ftuarit dhe a mund të kishin mbajt ata nga një 50-çe secili.

I lodhur nga kjo histori, vendosi të pyesë Rulin, si njeri që merr vesh nga paratë. Ja tregoi gjithë historinë, organizimin etj, dhe më në fund mungesën e parave.

-Epo ç’të të them unë djalo. Ti i paske bërë të gjitha fallco, si me Lulin në PD. Fallco orkestra, fallco hedhja e parave, fallco ata që hedhin paratë, epo duhet një gjë origjinale nga familja juaj që të ngjisë martesa. Nuk thua shyqyr që ka ndodhur vjedhja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje