Karmina, e zhgënjyer nga filmi për Zenin

4 Shtator 2016, 18:38Antena TEMA

Më në fund filmi që bën fjalë për amerikanët që u shiste fishekë Zeni, u shfaq në kinema.

Karmina shkoi aty jo vetëm si blogere e njohur, por dhe si njohëse e së vërtetës.

Ajo mbante mend pak turbull këtë historinë e atyre që u shiste fishekë Zeni, dhe tani donte ta shihte nga afër.

Pas filmit ajo shkroi një koment mbi filmin:

“E pashë dhe unë filmin e përfolur që flet për ata amerikanët që blenë fishekë në Shqipëri.

Filmi kishte shumë të meta, por kishte dhe gjëra pozitive.

E meta e madhe ishte se filmi ishte komedi, ndërkohë që ajo ngjarje në Shqipëri është tragjedi.

Kjo tregon se Amerika nuk ka shumë respekt për hallet tona.

Nga ana tjetër filmi e kishte fshirë thuajse fare rolin e Zenit në atë histori dhe bënte sikur ata amerikanët i gjetën vetë fishekët, me Ylli Pinarin.

Shmangia e Zenit ka ardhur me siguri nga njerëz zemërligj, që duan t’i marrin atij meritat, por çfarëdo që të ndodhë, ata nuk e ndajnë dot atë histori nga Zeni.

Ajo që më bën përshtypje, janë disa opinionistë që bëjnë sikur janë zhgënjyer dhe ata, që do dilte Zeni në film, dhe tani bëjnë si të zhgënjyer.

Në fakt më duken më shumë të lumtur, se të mërzitur, që nuk ka dalë Zeni.

Të them të drejtën unë jam e mërzitur, pasi e doja të dilte ashtu si e kanë shkruar në libër me nofkën “sypeshkaqeni”.

Ata janë sytë më të bukur në botë.

Por filmi kishte disa vlera të jashtëzakonshme.

Mbi të gjitha mendoj se filmi tregon se korrupsioni nuk është turp, pasi bëhet dhe në SHBA.

Kjo duhet t’i heqë komplekset njerëzve në Shqipëri dhe kur ndeshen me korrupsionin, duhet ta marrin si një gjë normale, me të qeshur, siç e ka marrë filmi.

Nga ana tjetër, filmi tregon se jo vetëm në Shqipëri, por dhe në SHBA, fitojnë shpesh tendera njerëz të panjohur, me miq.

Dhe mbi të gjitha, duhet të vlerësojmë tek filmi faktin që Shqipëria del si një vend që i ka zgjidhur hallin gjithë botës me fishekët e saj.

Të gjithë e shajnë historinë e Gërdecit dhe atë të fishekëve nga Rinasi, por po të mos ishte Zeni dhe ai biznes, ushtria afgane do mbetej pa kokërr fisheku.

Ndaj të dashur miq, filmi prodhon emocione të përziera dhe nuk përmbush pritshmëritë e publikut.

Siç e ka thënë dhe analisti Qim Peka, nuk është një film për Zenin, por një film se si e pësojnë shokët e Zenit në SHBA.

Prandaj të gëzohemi që jemi ende vend demokratik dhe i lirë.

Të shikojmë si do jemi pas reformës së këtyre amerikanëve!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje