Pas njoftimeve se ushtria shqiptare ka pushtuar Dibrën dhe po bën aty fushatë elektorale, shkencëtari Rexhep Taip, publikoi një studim të mbështetur me fakte, që provonte akuzën e bërë kundër ushtrisë:
“Sipas studimit, ushtria shqiptare numëron rreth 123 ushtarë në kazerma dhe 118 ushtarë të tjerë të armatosur “komando”. Së bashku bëjnë 241 ushtarë. Të gjithë këta ushtarë të cilët janë të shpërndarë nga Afganistani deri në Bosnjë e nga Faluxha deri në Zallher, janë mbledhur ditët e fundit me helikopterë modernë, nga ata që mbulohen me tym dhe nuk duken kur fluturojnë dhe zbarkojnë natën në zona të caktuara në Dibër.
Sipas studimit tonë, rezulton se parulla e ushtarëve që prezantohen është “më janë grisur brekët”, kurse kundër parulla është “kemi gjilpërë dhe pè”.
Pas kësaj, konfirmohet që ata janë në ndihmë të shumicës dhe sistemohen në zonat përreth. Detyra e tyre është të rrinë fshehur në pyje deri më 11 shtator dhe atë ditë të shkojnë të votojnë me helikopter qendër më qendër.
Arsyeja përse po rrijnë fshehur, është të mësohen me klimën e zonës, dialektin dhe zakonet e tyre.
Nga studimi ynë rezulton se përmes helikopterëve, këta ushtarë mund të shetisin në gjithë qendrat e Dibrës brenda ditës dhe të votojnë, duke shumëfishuar votat nga 241 në 2410 vota, nëse voton secili nga dhjetë herë.
Drekën do t’ua paguajë tek ura e Maqellarës, Sadri Abazi, pasi ka porositur mish për 241 vetë ditën e dielë më 11 shtator.
Ndërkohë, në terren ata do të kombinojnë punën me forcat doganore, të cilat pasi kanë zbuar aleatët anglezë, kanë rrëmbyer makinat e tyre dhe kanë dalë në terren për të kombinuar lëvizjet e ushtrisë.
Një agjenti ynë i LSI, që na dërgoi foto pasi hoqi logon e LSI, thotë se pavarësisht kësaj, makinat e doganës po bëjnë më shumë tifozllëk për PD, pasi njerëzit shikojnë që ato, ndryshe nga makinat e tjera, e kanë timonin djathtas dhe populli mendon se ky është premtim elektoral i Sherefedinit, që gjithë makinat ta kenë timonin djathtas. Për këtë arsye ato shikohen si favorizuese për PD.
Studimi ynë, do të përmbyllet një javë më vonë, pasi do të analizojmë dhe ndikimin e satelitëve të NASA që u bie rruga mbi Dibër këtë javë, të cilët thithin mendimet e njerëzve dhe bëjnë sondazhe shkencore për kë do votojë populli”.