Prognoza e shkencëtarit Rexhep Taip për të ardhmen e qeverisë

19 Gusht 2016, 20:42Antena TEMA

Shkencëtari Rexhep Taip ka përfunduar studimin e tij të fundit mbi të ardhmen e qeverisë, përmes të cilit arrin në përfundime të thella shkencore.

Sipas shkencëtarit Rexhep Taip, e ardhmja e qeverisë është analizuar përmes një metode shkencore të kohëve të fundit. Në monstrën e analizës janë marrë gjithë thashethemet, janë pjestuar për dy, u është shtuar një porcion nga kampioni i të pakënaqurve, është pjestuar për tre për shkak të një aleati të paqartë, dhe në finale ka dalë rezultati.

Por për një përfundim më të qartë dhe tërërisht shkencor, shkencëtari Rexhep Taip, pret ende konfirmime për disa zhvillime.

E para, pritet të qartësohet nëse Edi Rama i ka 65 vota ende apo jo. Për këtë do të ketë një projekt special për të analizuar fraksionin “Blushi”. Sipas shkencëtarit Rexhep Taip, një informatore e brendshme e tij pranë Blushit nuk po arrin të japë sinjale të qarta, pasi nuk është duke kuptuar stilin e Blushit. Pastaj sipas një analize të “Obezit”, Blushi paska shitur heshtjen, dhe kjo nga pikëpamja shkencore nuk qëndron, pasi është sikur të shesësh zeron dhe ta quash numër me vlerë.

Sidoqoftë, hetimet rreth Blushit do të vazhdojnë.

E dyta, pritet të hetohet partia e çamëve dhe të kuptohet a është e vërtetë që ata janë aq besnikë sa thuhet, apo jo. Nga tradita ata janë një popull besnik dhe të fjalës, por Rama në një takim me ta, u paska thënë: “Besën jepjani Doktorit, mua më jepni votat”. Të shikojmë si do shkojë dhe kjo gjë.

E treta, duhet parë nëse të pakënaqurit brenda PD do të zbuten dhe do bien dakord të ketë qeveri me Metën. Pakënaqësia e tyre ndaj Metës është jo parimore dhe ka të bëjë me faktin se ai i ka gënjyer më 1 Prill dhe ata se kanë besuar.

Po qe se arrihet të zbardhen këto tre zhvillime, situata bëhet e qartë, pasi nga 65 vota, nëse nuk është Blushi mbeten 63, nëse shtohen çamët shkojnë 68, nëse ikën Dulja, ngelen 67. Sipas gjithë studimeve që ka bërë shkencëtari Rexhep Taip, shuma 71 arrihet kur pasi mbledh shifrat, ato kalojnë shifrën 70. Për një përfundim më të qartë duhen dhe disa ditë kohë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje