“Sacra Corona Unita” i kthen përgjigje Aliebeut: Saje Qorrin e zbuam si të paaftë!

13 Gusht 2016, 19:17Antena TEMA

Pas kërkesës së PD përmes Alibeut, që Edi Rama të rrëfente nëse Saje Qorri ka udhëtuar me një celulë të “Sacra Corona Unita” në Itali javën që shkoi, vjen përgjigja zyrtare nga një zëdhënës i “Sacra Corona Unita”:

“I nderuar zoti Alibeu!

Duke shprehur respektin tonë të thellë për ju, vëllain tuaj dhe gjithë miqtë e bashkëpunëtorët tuaj, ju vëmë në dijeni, se kemi marrë shqetësimin tuaj përmes shtypit dhe po ju sqarojmë si më poshtë:

E para, është shumë e vërtetë që një celulë e jona shkoi javën e kaluar në Shqipëri dhe mori me avion privat Saje Qorrin për ta takuar me shefin e madh të “Sacra Corona Unita” këtu në Itali. Udhëtimi kaloi pa probleme, edhe pse avioni nuk u rregjistrua as në Itali, as në Shqipëri, pasi ne kemi shpikur një tym që e bën të padukshëm atë kur ulet në aeroporte.

Saje Qorri u habit kaq shumë nga kjo shpikje, sa na u lut që t’i jepnim disa nga bomblat me tym, pasi donte të bënte të padukshëm makinën e tij kur transporton drogë, por nuk e pranuam kërkesën, pasi ajo është një logjistikë monopol e “Sacra Corona Unita”.

Sapo mbërriti tek rezidenca e shefit tonë, Saje Qorri u muar në pyetje prej tij. Ai i bëri testin e së vërtetës, testin e besnikërisë dhe testin e integritetit.

Në testin e së vërtetës, Saje Qorri rezultonte i padobishëm për “Sacra Corona Unita”, pasi ai tregonte të vërtetën për çdo gjë. Ai tregoi para shefit për gjithë parcelat e hashashit që ka në Shqipëri nga jugu në veri, për darkat me “Eskobarin” e Ballkanit në Sarandë, udhëtimet me Shullazin në Kurvelesh, ku mbjellin hashash etj. Kjo e shqetësoi shumë shefin tonë dhe e klasifikoi si njeri shoqërisht të rrezikshëm, që tregon gjithçka.

Kur kaloi testin e besnikërisë, po ashtu pati probleme. Në parim ishte njeri besnik, por mbante mend vetëm Edi Ramën vazhdimisht. Kjo e bëri shumë xheloz shefin tonë dhe i vuri vizë dhe këtij testi.

-Ky e merr kthesën shumë vonë, tha.

Pastaj erdhëm tek testi i integritetit. Këtu Saje Qorri duhet të provonte se kishte bërë krime dhe kishte mundur ta vazhdonte jetën dhe karrierën i qetë.

Këtu e humb tërësisht. Kur shefi e pyeti po të kishe vrarë 26 vetë në Gërdec, a do vazhdoje të dilje në publik, Saje Qorri i tha “Jo”.

-Po sikur të ishe ministër i Brendëshëm më 21 Janar dhe të kishe vrarë katër vetë, a do rrije më në politikë?

Saje Qorri tha përsëri “Jo”.

Kjo e tërboi shefin dhe ulëriti.

-Kush na e ka sjellë këtë kalama këtu. Ky qeka zemër pulë.

Dhe e nxori jashtë.

Pas kësaj, avioni jonë nuk  e shoqëroi më për në Shqipëri, por e çuam deri tek stacioni i trenit dhe e lamë atje si legen. Nuk dimë gjë më tej për fatin e tij. Deklarata juaj tregon se ai paska arritur në Shqipëri.

Me respekt të thellë për ty, dhe sidomos vëllain tënd, dhe mikun tonë:

“Sacra Corona Unita”

1 komente në ““Sacra Corona Unita” i kthen përgjigje Aliebeut: Saje Qorrin e zbuam si të paaftë!”

  1. illo says:

    Shkrimi me I mire I ketij viti , I pare ne te tera drejtimet . I. Foto

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje