Pas komplikimeve të fundit në skenën politike dhe trazirave që ka shkaktuar Ilir Meta, shkencëtari në pension Rexhep Taip, ka propozuar një formulë të re për zgjidhjen e krizës politike.
Në rekomandimet që ai i ka dërguar klasës politike shqiptare thotë:
“Në fillim po u parashtroj një vështrim të përgjithshëm mbi zhvillimet e veçanta që kanë ndodhur në kuadrin e përshpejtimit të ritmeve zhvilluese të shoqërisë sonë, që derivojnë dhe tek zhvillimet politike.
Nga një studim i imi, kohët e fundit, por dhe duke u bazuar tek një përvojë e larmishme në funksion të këtij qëllimi, dua t’iu sugjeroj si më poshtë vijon.
Skenari i qeverisë teknike duket i pamundur, pasi teknikisht ai nuk mund të realizohet dhe kur nuk realizohet teknikisht, nuk mund të jetë qeveri teknike. Ka shkaqe të shumta përse ndodh kjo, por mbi të gjitha është paqëndrueshmëria e numrave, që për arsye joteknike, nuk funksionojnë teknikisht për të bërë shifrën 71.
Nga ana tjetër vazhdimi i kësaj qeverie, nuk ka më kuptim, pasi kjo nuk është qeveri e unitetit të së majtës, por qeveri e sherrit të së majtës.
Propozimi im bazohet në studimin e historisë së zhvillimeve politike, dhe të bërit adekuate të shumë cështjeve që kemi hasur në të shkuarën.
Për këtë arsye propozoj krijimin e një Këshilli Presidencial. Këshilli Preisdencial do të jetë një institucion mbi presidentin dhe qeverinë aktuale dhe mbi opozitën. Detyra e Këshillit Presidencial është të drejtoj vendin vitin e fundit të mandatit të Presidentit dhe të kryeministrit. Meqë e kanë të dy vitin e fundit, Kryetari i Këshillit presidencial, është dhe President dhe kryeministër. Kështu pakësohen aspiratat për pushtet dhe vendi bie në qetësi.
Përbërja e Këshillit presidencial duhet të reflektojë përfaqësimin e ish-presidentëve, të ish-kryeministrave, të ish anëtarëve të Këshillit Presidencial dhe të grupeve rivale brenda së majtës e së djathtës.
Këshilli Presidencial duhet të përbëhet nga burra dhe gra të moshës mbi 65 vjet dhe duhet të jetë pa pagesë. Në shkëmbim të rrogës ata do të rregullojnë familjet e tyre në punë shteti të besuara për të qenë më kompatibël me Këshillin.
Këshilli ka për detyrë të përgatisë zgjedhjet e reja në vend, të përgatisë zgjedhjet e reja në PS, të legalizojë fraksionin Blushi/Hafizi, të ndalojë propagandën e keqe, kundër ish-presidentëve dhe ish kryeministrave dhe të miratojë listën përfundimtare të deputetëve.
Duke qenë se një përvojë e ngjashme ka ndodhur në vitin 1991, propozoj që gjithë anëtarët e gjallë të atij Këshilli të ribëhen të gjallë dhe të marrin pjesë. Ata që kanë vdekur të zëvendësohen nga pasardhës të tyre. Kjo do të shmangë dhe debatin për ata që duhet të zgjidhen.
Presim përgjigje deri ditën e dielë në mesditë, orar kur është dhënë njoftimi i fundit për qeveri teknike.
Eshte e dhimbshme qe nje injorant si Mero Baze te tallet me nje profesor si Meidani . Eshte uluritse. Turperon veten me keto . Meru me Ristanat, Strazot , Paloken ata po jan niveli jot