Kunati shpjegon arsyen e vërtetë përse Luli shkoi në SHBA

26 Korrik 2016, 19:04Antena TEMA

Kunati më në fund zbulon arsyen e udhëtimit të Lulit në SHBA. Pas shumë vërejtjeve nga militantët e PD, përse Luli nuk shkoi tek Konventa e Republikanëve, por tek ajo e Demokratëve, Kunati bëri një sqarim për të qetësuar gjakrat dhe për t’u dhënë pak optimizëm militantëve.

Të dashur anëtarë dhe mbështetës të PD, të shqetësuar për vizitën e Lulit tek Konventa e kundërshtarëve tanë politikë.

Udhëtimi i Lulit në SHBA, përmes pjesëmarrjes në Konventën e Demokratëve, është një maskim i qëllimit të vërtetë të udhëtimit të tij. Nuk është puna se Luli ka ndonjë ftesë nga Demokratët. Siç është zakon në SHBA, edhe Demokratët edhe Republikanët, kanë vende të rezervuara për çdo shtet, për dy tri partitë kryesore. Kush të dojë, lajmërohet dhe shkon. Kështu që mos u mërzitni se nuk ka marrë ftesë personale.

Ai po e përdor këtë udhëtim për të shkuar në Uashington për të shkarkuar ambasadorin Lu. Siç e dini ju, ambasadori Lu ka tentuar të shkelë sovranitetin e Shqipërisë dhe është identifikuar si albanofob. Edhe pse origjina e tij kineze, duhet të ishte në favor të miqësisë me Shqipërinë motër, ai përsëri ka devijuar edhe si kinez nga rruga e drejtë.

Luli do të shkojë të takojë aty një të njohur të vetin, nga firma e lobimit që ka paguar PD. Ai njeh dikë në Departament të Shtetit, që ka lidhje me Kerryn, pa e marrë vesh Nuland. Luli do t’i tregojë atij se si ambasadori Lu donte të shkelte sovranitetin e Shqipërisë dhe se si u zbulua i gjithë skenari i tij nga Doktori.

Duke qenë se zonja Nuland, zoti Kerry, zonja Merkel, zoti Hahn dhe udhëheqësit e tjerë të rëndësishëm të botës, i kanë kërkuar ndjesë Doktorit, që kanë dashur të shkelin sovranitetin, ambasadori Lu, akoma nuk ka kërkuar ndjesë, çka e bën të qartë qëllimin e tij albanofob në këtë histori.

Për këtë Luli shpreson që përmes një shqiptari që punon tek fushata e Hillarit të takojë dhe Hillarin dhe t’ia thotë dy fjalë, që nëse nuk e heqin këta, ta heqë ajo kur të bëhet presidente.

Ky është qëllimi i vërtetë i vizitës së tij në SHBA.

Edhe fjalët se Trump ka dalë para në sondazhe janë kot, pasi sapo të bëhet Konventa e Klintonit, do dalë prapë kjo para dhe pastaj e kemi të sigurt që Hillary ta shkarkojë ambasadorin Lu për atë që ka bërë kundër Shqipërisë. Ai kërkon t’ia japë drejtësinë disa njerëzve anonimë që nuk i njeh askush dhe të cenojë sovranitetin e vendit, duke marrë vesh sekretet e Xhin Xhonit gjithë SHBA. Këtë nuk do ta lejojmë kurrë dhe ditët e tij janë të numëruara.

Të nderuar demokratë. Mos bini pre e provokimeve dhe shkrimeve mendjelehta përse Luli ka shkuar tek Hillary. Ai ka hall konkret dhe është për të mirën tuaj. Pa ikur ambasadori Lu nga Shqipëria, nuk gjen qetësi ky vend. U bë i nënti ambasador amerikan, që po na nxin jetën që nga viti 1995. Të shpresojmë të jetë i fundit.

I juaji Kunati!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje