Shkencëtari Rexhep Taip junior, zbulon mashtrimet urbanistike në sheshin “Skënderbej”

10 Gusht 2016, 20:15Antena TEMA

Shkencëtari Rexhep Taip junior, ka vendosur të shpalosë talentin e vet në fushën e urbanistikës. Pas propozimeve të fundit të arkitektëve për transformimin e sheshit “Skënderbej”, shkencëtari Rexhep Taip junior, ka dhënë mendimet e veta për urbanistikën:

“Nga studimi që unë kam bërë rreth idesë së ndryshimit të sheshit “Skënderbej”, dua të them fillimisht se për të bërë punimet duhet të bëhet një projekt.

Projekti bëhet nga disa specialistë që kanë mbaruar arkitekturën dhe ata duhet të bëjnë edhe konstruksionin që presupozon skeletin mbajtës të sheshit dhe duhet të llogarisin shpërndarjen e forcave vertikale dhe horizontale mbi trupin e ngurtë, por nga ana tjetër projekti duhet të parashohë dhe anën arkitektonike të sheshit dhe anën funksionale të tij.

Të tre këto elementë kur ndërthuren mire, formojnë atë që quhet projekt.

Unë i sugjeroj Bashkisë së Tiranës që të bëjë një projekt dhe të ma kalojë mua t’i hedh një sy si mund të jetë.

Nëse shpërndarja  e forcave veritikale dhe horizontale është në rregull, unë propozoj që pjesa poshtë sheshit të mos bëhet parking, pasi ndot sheshin.

Edhe pse gazrat çlirohen brenda, ato gjejnë mënyrën të dalin jashtë njësoj si në organizmin e një njeriu, dhe kjo ndot mjedisin.

Është mirë që parkingjet të bëhen jashtë që gazrat të thithen nga toka brenda.

Pjesa poshtë sheshit mund të bëhen dyqane dhe të shiten rroba, ose gjëra të tjera, dhe ato t’i jepen falas popullit.

Nga ana tjetër, ndërtimi i një shtese tek hotel “Tirana”, ideuar nga një studio gjermane, edhe pse është projekt privat, duhet të pyesim banorët e bulevardit, pasi ajo mund të kufizojë pamjen në bulevardin “Zogu i Parë”.

Përshembull, kur njerëzit dalin foto te “Skënderebu”, kanë si pikë orientimi shtëpinë time nga stacioni i trenit dhe shtëpinë e shokut Enver në “Bllok”.

Tani do kenë referencë kullën e hotel “Tiranës”. Kjo nuk funksionon, pasi qyteti nuk është pronë e ndërtuesve, por e personaliteteve të qytetit.

Është e tmerrshme që emri i një shkencëtari të zëvendësohet me emrin e një ndërtuesi, d.m.th të mos thuhet shtëpia e Rexhepit, por kulla e Ramës.

Studimi im nxjerr në pah dhe një defekt tjetër, që ka të bëjë me faktin, se pasi të mbarojë “Unaza e Vogël”, makinat nuk kalojnë më në shesh, por në “Unazë të Vogël”.

Por në fakt nga llogaritjet e mija, ajo që quhet “Unaza e Vogël”, është më e madhe se sheshi “Skëndrbej” sot, dhe e gjitha kjo është një mashtrim.

“Unaza e Vogël” duhet të quhet sheshi “Skënderbej” dhe kjo duhet të quhet “Unaza e mesme”.

Ajo është 523 metra më e gjatë se unaza brenda sheshit “Skënderbej” dhe nëse e e llogarisim për 100 vjet, i bie që diferenca të jetë sa një rrugë 300 km për secilën makinë.

Këto ishin disa përfundime të përgjithshme. Llogaritjet vazhdojnë.”

1 komente në “Shkencëtari Rexhep Taip junior, zbulon mashtrimet urbanistike në sheshin “Skënderbej””

  1. Kollomoqi says:

    Mero, perpara se te besh lidhjen babe – bir, duhet te kesh rezultatet e ADN-se. Ndryshe, lidhja mbetet probabilitare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje