Pushimeve po u vjen fundi dhe njeriun në ditë të tilla e kap një ndjenjë plogështie. Gjatë këtyre ditëve, provova të lexoj dhe një libër, por koha e ngjeshur me aktivitete dhe mendimet e mia për jetën, bën që të më kufizohej mundësia për ta mbaruar atë plotësisht, edhe pse shumë faqe i shfletova.
Sot ndërsa po zbrisnim nga jahti dhe po shkonim drejt hotelit, për të bërë gati valixhet, më kapi një ndjenjë trishtimi për njerëzit që nuk kanë mundësi të bëjnë pushime, apo për të tjerë që nuk kanë mundësi as të kenë një punë.
Zeni ishte po ashtu shumë i trishtuar. Ai më tregoi për një djalë që quhej Ardit dhe që kishte humbur jetën në atë vendin ku hidhen plehrat në Sharrë. Disa thonë e ka shtyp eskavatori, disa e ka zënë gjumi. Sidoqoftë, ai është një dhimbje e madhe dhe familja e ka shumë gabim që e le të flejë jashtë. Edhe Zeni kur e tregonte i mbusheshin sytë me lot.
Që kur e kam njohur Zenin në vitin e largët 2008, ai përlotej gjithnjë për fëmijët. Mbaj mend kur ca fëmijë si Arditi punonin në Gërdec, dhe kur unë sa kisha filluar shoqërohesha me Zenin, ai më thoshte gjithnjë:
“Jam shumë i shqetësuar për këta fëmijë”ose “Po përpiqem t’u siguroj bukën e gojës, se babi nuk ia del dot t’i rregullojë të gjithë. Disa duhet t’i rregullojmë dhe ne”.
Dhe kishte bërë shumë ndere. Kishte marrë në punë burrin e tezes, kushërinjtë e Rafit dhe shumë fëmijë. Por dhe aty seç ndodhi një fatkeqësi dhe disa fëmijë vdiqën. Që atëhere Zeni është shumë i ndjeshëm dhe sapo dëgjon që një fëmijë kërkon punë, apo s’ka bukë, i mbushen sytë me lot.
Dhe sot, ndërsa po hynim në hotel, ai ishte i tronditur për Arditin.
-Më kujton atë fëmijën në Gërdec që e dogjën flakët të gjallë duke lozur me biçikletë, tha.
Më kapi dhe mua një ndjenjë trishtimi, edhe pse nuk e kam njohur as atë fëmijën atëhere, as këtë Arditin.
I thashë nuk mund të rri pa shkruar në blog për këtë gjë, se fansat po kërkojnë të shkruaj përditë. Unë kam 24 orë që nuk kam shkruar asgjë.
-Shkruaj, tha, do bësh shumë mirë.
Dhe unë po ndaj me ju këtë status të dhimbshëm për Arditin, i cili vdiq kur ne ishim në brigjet e Kroacisë në një jaht, por aty s’kishim wirles dhe e morëm vesh kur erdhëm në Dubrovnik.
Më trishtoi shumë kjo ngjarje dhe më ka prerë plotësisht. Nuk di nëse do t’ia dal ta mbaroj atë librin që kam nisur. Nuk është shumë libër i trashë. Është në formë reviste dhe ka plot figura. Titullin e ka “Vogue” dhe është një titull që e dua shumë. Bay bay nga unë Karmina.
Shume therese por e vertet…robt ku ti kesh moj KAR-mina dhe te shperthefte MINTRA…
BAY BAY NGA KARTORI….