Blogerja e njohur Karmina, megjithëse e urren politikën, vendosi të hedhë diçka sot në blogun e saj, me shpresë se do t’i hiqte mërzitjen Zenit. Por duke qenë se nuk kupton shumë nga politika, i kërkoi një opinion Kaçit, se si kishte dalë PD në Dibër.
Kaçi, i cili kërkon të përfitojë nga popullariteti i blogeres së njohur, i dërgoi menjëherë një tekst, ku i shpjegonte fitoren e thellë në Dibër:
“E dashur Karmina!
E gjithë kjo që po thuhet për Dibrën është propagandë e komunistëve për të demoralizuar demokratët. Hilja e tyre është shumë e thjeshtë. Në zgjedhjet e fundit në Dibër ne kemi marrë x vota. Po e zëmë 10 mijë vota.
Në këto zgjedhje kemi marrë prapë 10 mijë vota, pa pak, se 200 demokratë kanë ardhur në Kamëz për votimet e Mziut.
Pra, ne nuk kemi humbur. Kjo është shumë e qartë si drita e diellit. Ata gëzohen se kanë pasur fjala vjen 9 mijë vota, dhe tani kanë 15 mijë vota.
Po ç’punë kemi ne sa vota kanë ata?
Ne shikojmë votat tona. Votat tona janë në vend, as rriten, as ulen, pasi demokratët janë qëndrestarë. Kurse të majtët janë bythëlëvizur, ikin sa andej- këtej.
Prandaj e nderuar blogere duhet të jesh krenare me PD, pasi ajo nuk ka humbur. Kjo është e sigurtë.
Ata që shpallin fitoren, paçin faqen që kanë, po PD nuk e kanë mundur dot. Asnjë votë e PD nuk ka shkuar për ta. Ata kanë marrë votues të rinj, kanë nxjerrë më shumë njerëz të votojnë e gjëra të tilla, por nuk kanë mundur të marrin asnjë votë demokrati të vërtetë.
Ndaj të ftoj të jesh krenar me PD, krenar me Dibrën, krenar me rezultatin!”
Karmina e lexoi letrën disa herë, pasi nuk po e kuptonte dot, derisa u bind që kjo gara elektorale nuk qenka PD përballë PS, po secila me veten e vet. D.m.th PD, me veten e vet ishte në rregull. PS ishte rritur. Kaq.
-Qenka shumë e thjeshtë, tha me vete të saj.
“Secili të shikojë punën e tij, e të mos merren me thashetheme dhe të bëhen ziliqarë për votat e botës”, shkroi më në fund në blogun e saj.