Një grup maturantësh patën sot një takim me Grigjën, e cila do t’u shpjegonte në emër të PD, se ku qëndron problemi që ata ende nuk po marrin të drejtën e studimit.
Por para se Grigja të takonte maturantët, u takua me Lulin.
-Më ka thirr Doktori dhe më ka bërë për një lek, i tha Luli. Më tha që po mbroni Universitetin e Çilit. I thashë nuk është e vërtetë, ne jemi me maturantët.
-Zotëri, më tha. Me maturantët duhet të jesh këtë javë që ende nuk kanë hyrë në shkollë, se javën tjetër hyjnë të gjithë dhe nuk ka kush proteston. Duhet të dalësh sot në konferencë shtypi.
-Mirë, i thashë, po dal unë.
-Jo ti, më tha. Duhet Grigja dhe ai tipi që ngjan me atë të Portokallisë. Si e ka ai, Salianji.
-Po pse ata të dy, i thashë?
-Se njerëzit kanë dyshime që janë agjentë të Çilit, më tha. Duhet t’u provojmë që ata mes Çilit e PD, zgjedhin PD.
-Mirë, i thashë. Kam besim se PD zgjedhin.
Tani siç e shikon, e ke të detyrueshme të dalësh dhe të distancohesh.
-Dakord, i tha Grigja. Po e bëj. Po thërras dhe Salianjin ta kem në krah.
Dhe kështu u bë.
Pas pak Grigja doli para maturantëve dhe filloi të fliste:
“Të dashur maturantë, filloi Grigja. E shikoni dhe vetë që është krijuar një situatë absurde. Shteti ka hapur 25 mijë vende në Universitet dhe nuk rregullon dot 23 mijë studentë, që kanë kërkuar shkollë. Përse ndodh kjo?
Kjo ndodh se në koshiencën e studentëve të mirë, funksionon perceptimi “sui generis”, që u takon të zgjedhin dhjetë degë dhe jo një degë. Nga ky egoizëm iracional që transferohet në një problem sistematik të insufiçencës së kuotave për secilën degë, krijohet një kolaps apokaliptik me një perceptim tërësisht negativ në raport me atë që perceptohet si e drejtë për të studiuar aty ku ke ëndërruar.
Në këtë histori ka një miks preferencash egoiste që nuk bazohen tek racionaliteti i të kërkuarit të asaj që do, por është një e anasjelltë e asaj që ti nuk do tek të tjerët, dhe kësisoj ke operuar me mjete të tilla, që ta bllokosh dhe të ardhmen e tyre.
Prandaj Partia Demokratike në këtë sens dënon ashpër atë që po ndodh, si rezultat e keqpërgatitjeve për të funksionalizuar sistemin me ponderimin e panevojshëm të aplikimeve të keqorientuara në sensin administrativ…”
-Më falni, ndërhyri një maturante, ju pedagoge jeni?
-Po, i tha Grigja gjithë krenari.
-Në çfarë fakulteti?
-Në Shkenca Sociale.
Menjëhërë u ngritën në këmbë 20 studentë.
-Lajmëro 20 shokët tanë, se këto vende i kanë bosh. Tërheqim aplikimet nga ky fakultet, meqë qenke ti pedagoge aty. Po shikojmë për ndonjë tjetër.