“Kaubojsi” ironizon Nishanin: S’ma kalon dot mua për takime në SHBA

29 Shtator 2016, 19:27Antena TEMA

Pas qëndrimit të gjatë të presidentit në SHBA, pas Samitit të OKB, deputeti “kaubojs” ka reaguar publikisht kundër tij, duke e akuzuar Presidentin se po e zgjat qëllimisht vizitën, që të thyejë rekordin e “kaubojsit”.

Ja çfarë shkruan “kaubojsi”:

“Presidenti i ka zënë me radhë kafet dhe restorantet e shqiptarëve në SHBA, që të zgjasë sa më shumë vizitën, me shpresë se do hyjë në histori si politikani që ka ndenjur më gjatë në një vizite në SHBA.

Duket qartë që e ka garën me mua.

Por unë po i numëroj Presidentit disa fakte që ai nuk i arrin dot kurrë të më konkurrojë.

E para, në Bronx unë kam qenë tek 7 restorante shqiptare, dy qebaptore, një byrektore e shqiptarëve nga Maqedonia, dy byrektore nga Tuzi, dhe një dyqan kasetash me këngë me çifteli në “Artur Avenue”.

Pastaj kam qenë në Manhaten në 5 restorante, nga të cilët 2 ishin italianë dhe tre shqiptarë.

Kam qenë në New Xhersi në pesë restorante shqiptare.

Kam qenë në Detroit në 10 restorante, nga të cilët 4 nga shqiptarë të Malit të Zi, 2 nga të Kosovës dhe katër shqiptarë të Shqipërisë. Njëri ishte mëngjesore, po bën dhe paçe.

Kam qenë tek Kisha Katolike në Miçigan të dielën e meshës dhe kam asistuar në njohjen e disa çifteve shqiptare, që kishin dalë me bë të “pametë”.

Kam shku tek teqeja e Baba Rexhepit dhe kam vënë lule aty dhe tek varri i Baba Arshiut.

Me sa kam pa, Presidenti është ende larg këtij rekordi.

Por dua t’i tregoj dhe disa vende ku ai nuk shkon dot.

Kam qenë në Teksas tek një shok i Fatmir Mediut që ka klube nate me femra, nga ato që u fut 1 dollar tek llastika e brekëve.

Kishte tri klube dhe shkova në të trija, tri netë rresht.

Krejt më merrnin për meksikan, ose kolumbian, por unë ua ktheja italisht dhe ata më pyesnin “mos je gjë mafioz?”

Kjo tregonte injorancën e tyre, se gjoja Italia është vend mafioz.

Pastaj kam shku në Las Vegas në kazino dhe kam ndenj tre netë.

Kam provu gjithë restorantet e kazinosë.

Po të harxhoje dhjetë mijë dollarë, e kishe dhomën falas.

Unë u kënaqa tre ditë me dhoma falas.

Gjatë këtij udhëtimi kam bërë 870 fotografi me njerëz të ndryshëm, që janë dhe personalitete.

Presidenti sado që të lodhet, nuk ma arrin dot mua.

Ndaj i bëj thirrje të kthehet në atdhe se po e pret ligji i plehrave.

Kaubojsi!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje