Sa i bukur filmi…Sa herë e panë, shumë e shumë herë duke e shijuar çdo fragment, çdo shprehje, çdo skenë. E shihnin për herë të parë të dy, pastaj e shihte vetëm Mbretëresha dhe pranë saj si gjithnjë ishte Zymbyli dhe disa nga Feruzet e saj. Zymbyli nuk ishte eunuk por ishte mysliman i devotshëm, falej disa herë në ditë sa herë i fuste duart në thes ?. Feruzet ishin të ardhura nga të gjitha anët e Perandorisë, injorante, llafazane e intrigante, por i shërbenin asaj qorrazi, kuptohet ishte e vetmja punë që mund të bënin falë injorancës së tyre.
Sa butë sillemi ne me vartësit -i thoshte Mbretëresha çdo natë, asnjërit nuk i kemi prerë kokën, jo vetëm kaq po i mbajmë edhe me bukë. Në mëngjes i drejtohej Feruzeve të saj për të raportuar se cilët nga familjarët e shërbëtorëve kishin harruar pa bërë like ose share fotot e saj në FB, ose bëmat e Atij. Të shkretët shërbyes, që duhet të ishin të vëmendshëm që me passwordet e gjithë farefisit në një bllok, të bënin like e share sa lindte dielli e deri natën vonë. Në fund të ditës, duke kontrolluar çdo dalje të re të Atij ose Asaj, merrnin frymë thellë dhe flinin, por jo të qetë, sepse të nesërmen mund të ndodhte diçka që mund të shqetësonte Mbretëreshën dhe atyre ju duhej kohë e gjatë që të qetësoheshin nga britmat e saj. Kur xhindosej Ajo, Mbreti thërriste Ibrahimin dhe i kërkonte ndihmë për të qetësuar të shoqen. Harrova të them që Ibrahimi ishte në aleancë me Mbretëreshën dhe intrigonin së bashku për çdo oborrtar që ngrinte krye ose që nuk kollitej aty ku duhej.
Një rol të rëndësishëm në drejtimin e Perandorisë, edhe pse i pakualifikuar dhe me diplomë të blerë te Meti, ka Zymbyli, i cili është i kudondodhuri, njeriu i besuar i oborrit, ai që do marrë në varr sekretet e oborrit.
Ndërkaq në një nga ambientet e familjes mbretërore filmi vazhdon, Mbretëresha vesh një nga veshjet e saj më të mira, me 1231 like në FB, i afrohet pasqyrës që kanë në hollin e madh të sarajeve dhe thotë:
Pasqyrë moj pasqyrë kush është më e bukur unë apo ato?
Pasqyrë moj pasqyrë pse ato janë të mençura dhe unë jo?
Pasqyrë moj pasqyrë kush vishet më bukur unë apo ato?
Pasqyra hesht, ah sa do të donte të shpërthejë e të thyhet ashtu siç e di ajo prej kristali të thyhet, por duron e duron sepse është e para herë që shfaqet para saj një specie e tillë.
Ditët kalojnë dhe Mbretëresha çdo ditë e më shumë keshillon Mbretin e saj shëndetlig. Rri i dashur, mos u sforco se drejtoj unë për ty, Ibrahimin e kam për çdo gjë, unë urdhëroj ai i zbaton sa hap e mbyll sytë.
Dhe Ajo fillon të emërojë gjeneralët, këshilltarët e mbretit, jeniçerët me ndihmën e vyer të Ibrahimit e Zymbylit dhe në fund ata më të rëndësishmit, bahçevanët dhe guzhinierët. Një fallxhore i kishte thënë se dikush ka tentuar të helmojë Mbretin, falë kujdesit të saj Ai shpëtoi, por ushqimin e tij e hëngri maçoku i cili ngordhi menjëherë. U mërzitën shumë sidomos trashëgimtarët dhe princesha pasi maçoku ishte racë e zgjedhur ardhur nga Persia. Maçokut i bënë autopsinë dhe doli që nuk ishte helmuar po kishte lëpirë ilaçin Test të enëve, që i pëlqente shumë Asaj.
Në vënd të maçokut Ajo porositi një kalë race nga Azia e largët, bashkë me kalin ndryshoi dhe jeta e princeshës. Mbretëresha tentoi të kalëronte, por kur e pa që nuk ia doli vazhdoi leksionet e dansit dhe pianos, herë pas here i binte trombës por kjo mund t’i lodhte kordat zanore, kështu që hoqi dorë.
Ju do thoni si vazhdon filmi, mos u merzisni, një rol kyç në jetën e oborrit luan Pargaliu, Ibrahimi. Ai ka të njëjtat karakteristika me origjinalin, por me dy ndryshime nuk u martua me motrën e mbretit por gruan e zgjodhi nga një zonë rurale dhe kishte 2 baballarë. Babait biologjik i ngjante si dy pika uji, ndërsa nga babai që e rriti dhe e desh shumë trashëgoi çrregullimet mendore dhe fobitë. Ai ishte njeriu më lëtyrë ndër qëniet njerëzore, një vemje, një qen i rrahur por që duke i shërbyer verbërisht Asaj arriti të pasurohej dita ditës duke ju marrë mall e prona gjynahqarëve pa përkrahje, gjithnjë i mbrojtur nga grabitqarja dhe Mbreti.
Mbretëresha nuk arriti të shkëlqejë në asgjë, megjithëse filmin e pa aq shumë sa e dinte përmëndësh. Nuk kishte mbajtur dot aq shumë mënd përmëndësh as kur kishte bërë atë shkollën e saj me shqelma, por edhe kjo nuk e ndihmoi dot gjatë mbretërimit të saj. Ajo nuk merrej me asgjë përveç oborrit, llogariste çdo qindarkë të shtetit se si ta shfrytëzonte sa më mirë për vete, ushqim e veshje. Asaj i pëlqente shumë të shtronte dreka e darka me miq e të ftuar imagjinare dhe sa më shumë të supozohej që ata kishin ngrënë aq më shumë shtoheshin të ardhurat e oborrit. Asaj i pëlqenin shumë dhuratat, sidomos pushimet në vende ekzotike, ndërhyrjet estetike, veshje, para të thata, xhevahire dhe çfarëdo lloj gjëje që ishte hallall sipas saj. Asaj i dukej sikur besonte shumë në Zot, ligësia e saj pafund i dukej bamirësi, nuk i hiqej nga mendja se si nga askushi arriti të ishte në krah të mbretit, nuk i hiqej nga mëndja se si nga një gdhë në rininë e saj tani po ju mbante ligjerata grave të haremit, po organizonte ballo madhështore me elitën sipas mëndjes së saj dhe kuptohet që kushdo me sadopak mend në kokë qeshte me të.
Ajo pëlqente shumë shegët dhe sa ato fillonin piqeshin urdhëronte të këputeshin dhe të çoheshin në saraje.
Mbreti vazhdonte bëmat e tij, gradonte dhe promovonte njerëz të cilët nuk e meritonin, emëronte në poste të rëndësishme fëmijët mediokër të feudalëve të kamur, bejtexhinj gojështhurur që hanin qyl paratë e shtetit, fëmijë kadijsh skizofrenë, kusarë dhe hajdutër ordinerë. Sarajet e reja të Mbretit po përfundonin dhe trashëgimtarët shkolloheshin në Venedik, arka e mbretërisë sa vinte e rritej e shtohej.
Filmi vazhdonte…Sulejmani i vërtetë vrau të birin ndërsa Sulejmani i Pafuqishëm vrau drejtësinë, ndershmërinë, pastertinë, personalitetin, futi një mbretëri në rrugë pa krye. Falë Zotit çdo gjë e bukur ose e shëmtuar e ka një fund dhe mbyllja e filmit do jetë harresa kombëtare ndaj këtyre figurave anadollake të shtetit pa krye.
Shumë e bukur. Shumë e vërtetë . Por ata që duhet ta lexojnë nuk e lexojnë se ose nuk kanë kohë sepse kanë hallet e popullit ose janë duke kontrolluar fb.
Njëri është çyryk
Tjetri Kollovar
Bir Selman i nënës
Kë të qaj me par!
.
Njëri mbronte bustin
Kur ishte kapter
Tjetri spiunonte
Mender karmarier.
.
Të dy hyzmeqarë
Në fakt e në letër
Që të dy po vdesin
Për një mandat tjetër.
.
.
.
Vate punë e tyre
Iku kaq e patën
Të tre me Vettingun
Do marrën mandatën!
.
P.S.
E cuditeshme Cdo gje rrotullohet,edhe rrota e historise po ashtu Po pse per ne kaq ters xhanem??