Luli sqaron partinë për sëmundjen e Ed Ha Limit

6 Tetor 2016, 18:39Antena TEMA

Pas një sinqeriteti të tepruar të deputetit Ed Ha Lim në Kuvend, ku për të anatemuar ligjin e mbetjeve, mori si shembull faktin që vetë ishte një njeri që vuante pasojat e një infeksioni, pati një traumë të madhe në PD. Dhjetra telegrame ngushëllimi mbërritën në selinë e PD dhe telefoni i Lulit u bllokua nga mesazhet ngushëlluese dhe nga makthi se si do shkojnë hallet tona, tani që u sëmur Ed Ha Limi.

Aq shumë mesazhe u grumbulluan dhe aq e madhe ishte tronditja që shkaktoi lajmi, sa Luli u detyrua të bëjë një sqarim serioz për gjithë partinë, rreth kësaj ngjarjeje:

“Të dashur demokratë dhe sidomos demokrate!

Jam i prekur nga solidariteti juaj i gjerë dhe i pamatë ndaj deputetit tonë, simbol i luftës kundër korrupsionit dhe sistemit më të mirë të drejtësisë.

Më lejoni t’u them se jam i prekur që konstatova një mbështetje kaq të madhe për këtë deputet që unë e çmoj shumë.

Por për nevoja të partisë, tani e tutje, deputeti Ed Ha Lim nuk do të quhet i sëmurë. Ky vendim u mor pas një sërë debatesh brenda kryesisë së partisë dhe argumenteve që dhanë të gjitha palët, prej të cilave u vendos që Ed Ha Lim të caktohet që është i shëndoshë.

E para, që ka shumë rëndësi, ka të bëjë me faktin, se nëse e shpallim të sëmurë deputetin Ed Ha Lim, duket sikur atë e kanë helmuar amerikanët, ngaqë nuk ishte dakord me reformën në drejtësi. E vërteta e përafërt, është se ai pati një problem të rëndë shëndetësor në mes të reformës për drejtësi dhe ne u detyruam ta zëvendësojmë në Komision. Ai vetë na tha se kam një sëmundje të rëndë.

Por kur u vizitua në Vjenë, doli që kishte hepatit B2, që është një sëmundje seksualisht e transmetueshme. Kjo na ka bërë që të rezervohemi në bërjen publike të sëmundjes, derisa të identifikojmë dhe partneren tjetër që ka këtë sëmundje. Dhe kjo mund të na krijojë probleme. Për këtë arsye vendosëm që më mirë ta mbyllim si debat dhe të themi që bëhet fjalë për dikë tjetër, dhe jo për deputetin Ed Ha Lim.

Kështu bie dhe miti i amerikanëve që të sëmurin kur nuk u bindesh, dhe nga ana tjetër ruhet dhe morali i partisë, që konsiston në faktin që deputetët tanë, nuk bëjnë seks të pambrojtur me njerëz të panjohur.

E dyta, që po ashtu ka shumë rëndësi, ka të bëjë me faktin që nuk duhet ta gëzojmë armikun në kulmin e betejës, duke thënë që kemi “kalin e betejës” të sëmurë.

Siç e dini, këtë muaj do kalojnë shtatë ligjet e reformës dhe nëse ne shpallim të sëmurë deputetin Ed Ha Lim, bie gjithë motivi ynë për të bërë betejë politike kundër reformës.

E treta, ka të bëjë me faktin se Doktori, por dhe disa deputetë të tjerë që kanë pasur sëmundje, u bënë xhelozë nga gjithë ky solidaritet me Ed Ha Limin, dhe jam vendosur para faktit të kryer, që ose ta shpall të sëmurë Ed Ha Limin dhe ta nxjerr nga lista, ose të mos ia quaj sëmundjen dhe ta mbaj në parti. Unë vendosa për këtë të dytën. Ed Ha Limin ta shpallim të shëndoshë dhe të rrijë në parti. Ai ra dakord me propozimin dhe na dha fjalën që do ta shtyjë sa më shumë rëndimin e gjendjes”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje