E dashur Elinë, e dashur Eda, të dashur demokratë dhe demokrate!
Akti juaj sublim për të protestuar në Valbonë kundër klikës mafioze të Edvin Kristaq Ramës që kërkon të shkatërrojë perlën e fundit turistike të Shqipërisë, më ka mbush me frymëzim dhe shpresë se ky vend do bëhet dhe se demokratët do rikthehen sërish në pushtet, për të zbuar një herë e përgjithmonë këtë klikë mafioze, drogaxhinjsh, hajdutësh e vrasësish.
Kur unë kam firmosur 14 hidrocentrale në Valbonë dhe 9 në Theth, kam qenë i bindur se Shqipëria do bëhej një superfuqi energjitike në Ballkan dhe më gjerë, dhe vendi do lulëzonte si Zvicra.
Qysh kur kam qenë fëmijë dhe shëtisja në luginën e Valbonës në Tropojë, ëndërroja që një ditë atë ujë ta ktheja në dritë.
Ai ujë ishte fatkeqësia jonë, ishte vuajtja jonë, pasi nuk kishim ura ta kalonim, nuk kishim prita ta ndalnim, nuk kishim fuqi të shpëtonim prej tij.
Kur isha në pushtet vendosa që ëndrrat e fëmijërisë t’i vë në jetë.
Vendosa që ujin ta ktheja në dritë dhe të ndriçoja krejt Shqipërinë dhe Ballkanin.
Por klika mafioze e drogës dhe krimit që bleu pushtetin në vitin 2013, e ndërpreu këtë ëndërr në mes.
Ëndrra ime për ta bërë Tropojën fanar ndriçues të fuqisë energjitike botërore ngeli në mes prej mafias.
Sot unë jam dakord me ju, që kjo klikë mafioze kërkon të shkatërrojë Valbonën, se Valbona mund të kishte hidrocentrale vetëm nëse do të isha unë në pushtet dhe ëndrra ime do vihej në jetë.
Valbona nuk mund të ndërtohet më dhe unë jam sot me mish e shpirt me ju.
Ata që duan të ndërtojnë hidrocentralet nuk janë njerzë mirënjohës dhe nuk janë treguar korrekt as me familjen time, që i ka ndihmuar, ndaj mendoj se duhen ndalur.
Por mbi të gjitha nuk mund të më vjedhë askush vizionin tim për Valbonën dhe Thethin, si fuqi energjitike.
Ajo ëndërr do zgjohet dhe do vihet në jetë, kur të rikthehem unë në pushtet me ndihmën tuaj, pastaj do t’u ftoj të bëni një koncert dhe të festojmë kthimin e Valbonës në parkun më të madh energjitik në rajon.
Mirupafshim në Shqipërinë e lirë.
Ju përshëndes nga zemra dhe iu jam mirënjohës, që dini kur protestoni dhe kundër kujt protestoni.
Me respekt, Doktori!