Pas lajmit se Karmina dhe i dashuri i saj po pushojnë në qytetin e shtrenjtë të Comos në muajin nëntor, kur Doktori ka paralajmëruar fillimin e protestave në Tiranë, blogerja e njohur ka sqaruar për fansat e saj, pse e ka bërë këtë veprim:
“Bashkë me Zenin kemi disa ditë që po pushojmë në Como, një qytet fantastik.
Një nga hotelet e shtrenjta të qytetit, kishte vizituar blogun tim, kishte parë mbresat e mia nga leximi i librit të Merilyn-it, që kam lexuar në verë, si dhe idetë e mia rreth jetës, dhe kishte vendosur të më ftonte të pushoja aty.
Vendosa ta respektoj dëshirën e tyre, kur mësova që në Tiranë do fillonin protestat për të rrëzuar qeverinë.
Po përse e bëra këtë?
Shumë njerëz mendojnë se unë dhe Zeni kemi synime politike dhe duam ta përdorim politikën për t’u pasuruar.
Kjo nuk është e vërtetë.
Dhe për këtë vendosëm të japim shembullin tonë.
Ata që do dalin të protestojnë janë njerëz të varfër, që kërkojnë diçka nga qeveria, që kërkojnë t’u përmirësohet jeta etj.
Pra, janë njerëz që kanë interesa konkrete nga politika.
Unë nuk kam.
Është kjo arsyeja që unë largohem me Zenin sa herë që ka protesta, që të mos na akuzojë njeri, që qëndrojmë pas protestave.
Të gjithë duhet ta dinë se ne i kemi punët shumë mirë dhe nuk na intereson politika apo protestat.
Kjo është arsyeja që rrimë larg tyre sa herë që ndodhin.
Edhe vitin e kaluar ikëm në Tajlandë, kur kishte protesta.
Edhe tani vendosëm të ikim në Como.
Në dhomën e hotelit patëm një surprizë.
Robeshani dhe peshqirët ishin me emrin tim dhe shkruhej “Welcome Karmina”.
U çudita shumë dhe e falenderova në fund menaxherin e hotelit.
-Asgjë, më tha ai, e kemi për detyrë të zbatojmë çdo porosi të të dashurit tuaj. Na e kërkoi këtë nder kur rezervoi hotelin dhe ia bëmë. Ndaj jemi hotel me pesë yje.
U kënaqa pa masë nga kjo surprizë dhe kur të ikim nga hoteli, do ta postoj atë në profilin tim në Instagram, që ta shikojnë dhe hotelet e tjera që më kanë bërë like dhe të ma plotësojnë.
Natyrisht Zenin do ta kem me vete. Kështu është dhe më e sigurtë që ma bëjnë surprizën.
Shpresoj që babi i Zenit ta mbajë fjalën dhe protestat të vazhdojnë gjatë, e të mos lëvizin nga rruga, pasi më pëlqen shumë këtu dhe mund të shlodhemi gjatë deri në fund të protestave.”