Karmina ka qenë dje e ftuar në një show televiziv ku ka folur për dashurinë e saj për vjehrrin, vjehrrën, kunatën, etj.
Ajo ka shkëlqyer në disa nga përgjigjet e pyetjeve rreth familjes së saj të re dhe raportet e imagjinuara me ta.
Gazetari: Je e kënaqur që e ke gjallë vjehrrin dhe vjehrrën?
Karmina: Jam shumë e kënaqur. Mezi pres të rri me ta. Kam ndenjë një herë në një drekë por nuk mu dha shansi për shumë bisedë, pasi ishim pak larg. Në rastin më të parë mezi pres të bisedoj nga afër.
Gazetari: Po çfarë do bisedoni?
Karmina: Po ja unë do t’u flas për Merlyn dhe librin e saj. Vjerri im ka lexuar shumë libra, po me siguri që do ta ketë lexuar dhe Merlyn. Dua të di përshtypjet e tij për anën intelektuale të Merlyn dhe si gjykon ai, a ka besim që ne modelet dhe blogeret e shquara, mund të bëhemi intelektuale të shquara.
Gazetari: Po sikur të mos e ketë lexuar?
Karmina: Do t’ia rekomandoj dhe ai e lexon brenda natës besoj, pasi mua më duhet ta shijoja ndaj e shtyva një muaj.
Gazetari: Po vjehrrës do t’ia rekomandoni?
Karmina: Patjetër që po. Dhe besoj ajo është më e kujdesshme. Ajo ka lexuar dhe librin për ëmbësira që ka bërë Sadija dhe e ka ndihmuar në formulimin e disa recetave. Shpresoj që dhe me mua të ketë po atë bashkëpunim.
Gazetari: Po sikur vjehrri të të thotë lexo një libër, do ta lexosh?
Karmina: Do bëj ç’është e mundur ta lexoj atë që më thotë ai, sado e vështirë të jetë. Do rri natë e ditë zgjuar sa ta lexoj.
Gazetari: Po sikur të të japë librin e Fariut “Berisha mes Kasandrave” a do ta lexoje?
Karmina: Patjetër do ta lexoja…
Gazetari: Më fal e di çfarë janë Kasandrat?
Karmina: E di e di, femra të bukura që rrethojnë një burrë dhe e joshin…
Gazetari: Jo jo ja fute kot më duket.
Karmina: Ha ha ah apo po e bëra me qëllim. E di çfarë janë,… insekte janë…
Gazetari: Aaaa ja fute kot fare tani…
Karmina: Po hë dhe ti se bëj kot, se s’ka njeri që nuk e di çfarë janë Kasandrat. Janë akullore të ftohta të mbështjella me celefon që kanë dhe arra brenda.
Gazetari: Aaa ja fute kot janë kasata ato, Kasandra të thashë, Kasandra…
Karmina: Ah më fal se e mora për kasata ndaj bëja sikur ngatërrohesha Natyrisht e di çfarë janë Kasandrat. Janë modele. Dhe libri mos gaboj bën fjalë se si Berisha është i rrethuar nga modele në shtëpi në punë dhe kudo…
Gazetari: Ahhaaa tani i theve gjithë kufijtë e shikueshmërisë se e shikoj nga mesazhet në facebook. Je e madhe shumë.
Karmina: Falë jush u mundova të shfaq dhe anën time intelektuale, librin që kam lexuar, shkrimet e blogut tim dhe mbi të gjitha faktin që unë mendoj përditë. Ulem, vë kokën mes dy duarve dhe mendoj gjatë dhe kjo më bën mirë. Për çdo gjë që ëndërroj, duke menduar, më shafqet Zeni që ma jep një zgjidhje dhe jam shumë e lumtur…
Pas intervistës së Karminës, spsonsori i saj, blogeri Qim Peka, bëri një sondazh ku arriti në përfundimin se Karmina, siç tha dhe gazetari, kishte thyer të gjitha ekranet e TV ndërkohë që fliste dhe i gëzuar mori në telefon Genc Rulin t’i kumtonte lajmin.
-Kena bë një sondazh i tha dhe na rezulton që Karmina i ka thyer të gjithë ekranet, i tha Qimi.
-Nuk kam as më të voglin dyshim i tha Ruli. Ajo s’ka lënë hunj pa thyer, jo ekranet që xham janë.
Nuk jam aspak dakord me thenjen e “Genc Rulit” Eshte jashte etikes!!!!
DITARI I ANA FRANKUT.
Më vjen përshtat tregimit ky titull se dhe personazhin tim e quajnë Ana. Edhe se vuajtjen e kanë njësoj.
Në Korcë,tek lagjia pranë stadiumit ,jetonte një gocë e vogël që thirrej Ana. Ishte e bukur si drita dhe e pastër si vesa. Pata fat ta kisha shoqe klase në fillore. Luanim me të, qeshnim e i gëzoheshim çdo dite. Dhe sot ndjej dëshirën e madhe për shkollë nga që do luaja me Anën. Në mësime shkëlqente e krejt klasa jonë dukej si gonxhe luleje me atë në krye si trëndafil plot erë.
Deri sa një ditë vetë zysha e urdhëroi që Ana do ulej në fund të bankave,do rrinte vetëm se gjyshi i saj ishte ballist. Ajo ditë më ngjan si dita e tërmetit që ra në Korcë e na nxori të gjithëve në oborr të pallatit të frikësuar e të lebetitur. Zysha m’u kthye në shtrigë e Ana në një rosë të bukur që po e bënin gati për t’i prerë kokën.
Nga ajo ditë Ana luante vetëm. Fare vetëm. Në cep të oborrit. Me kokën ulur. Ashtu e mbante dhe kur ecte,edhe kur fliste,edhe kur përgjigjej në mësim. Kaluan ca vjet dhe babain e saj e futën në burg se do pushtonte komitetin e partisë. Përfytyroja atë burrë të pakët e të urtë hipur mbi tanks,por nuk më shkonte. Pas ca muajsh edhe i vëllai u arrestua se dëgjonte në radio këngë të huaja. Qysh atëhere u largua dhe Ana nga shkolla. Bashkë me nënën e saj i shihja nga dritarja e shkollës kur shkonin në fermë për të mbjellë e prashitur. Shtëpinë e kishin pranë shkollës dhe çdo vit vëreja si binte avllia e nuk kishte kush ta ndreqte.
Ika në universitet e kur vija me pushime më ndodhte që tek rrugica shihja Anën kur kthehej nga puna. Të thuash e bukur,i bije në qafë. Ishte yll i rënë nga qielli. Dielli e kishte bërë zeshkane dhe puna ia kishte skalitur shtatin e saj të gjatë e te derdhur. Çunat e ëndërronin të gjithë,por askush nuk guxonte t’i afrohej. Ishte zana e ëndërrave tona,dashuria jonë e fshehur.
Deri një verë kur e pashë përkrahu në xhiro me çalamanin Petro,marangozin e moshuar që kur e shihnim në surrat na sillte ndër mend një patate plot gunga. Anën e urreva. E mora inat.
-Avash ti,-më tha mamaja. -Do martohet dhe ajo. Njeri është. Njeri normal nuk merr një balliste. Ndaj gjeti Petron që është si është,por biografinë e ka të mirë.
Kështu rrodhi jeta. Ana u be me dy fëmijë,Petros ia ndërruan emrin e quanin burri i bukuroshes. Ai ndjehej i sajdisur dhe nuk kishte ditë mos shfaqej rrugëve me Anën duke ecur shdraka shdraka,por duke plotësuar thënien se fiqtë e mirë i hanë majmunët.
Vitet e fundit e pashë Anën. Nuk kishte pengesa për ta takuar. Mësova se i ati vdiq në burg. Nuk i dinin as varrin. Vëllai doli nga vitet ’90 e iku në Greqi. Petro pësoi atak në zemër . Dy çunat i ka në Gjermani dhe po bëhej gati të shkonte tek ata.
E mira Ana. E bukura Ana. Nuk mori asnjë ndjese nga shoqëria naziste ku jetoi. Ia bluajtën dëshirat,ëndërrat,rininë në mullirin e diktaturës e askush nuk tha më fal.
Ana Franku dhe Ana jonë janë njësoj. Ballistët edhe sot përndiqen tek ne fiks si hebrejtë. Dhe nisi nga dita kur komunistët pandehën se ata u rrezikonin pushtetin e ardheshem. Njësoj të mirat Ana…Viktima të një populli që ushqehet me dogma.
Përshëndetje Zugur! Ishte shumë e trishtë dhe e vërtetë. Rrespekt! Je i madh!