Incidenti në Kolonjë, dhe dekorata e re, “PicaJar shqiptar”

20 Nëntor 2016, 19:38Antena TEMA

Një komisioneri të PD në Ersekë, i ka ndodhur sot një çudi. I ka shkuar Gaz Bizhga dhe i ka kërkuar të deklarojë duke e regjistruar në celular se “Niko Peleshi i ka dhënë 25 euro për të votuar për PS”.

Dhe Komisioneri e lexoi tekstin që i tha Gaz Bizhga.

Pastaj pas disa orësh e pa veten e tij në disa faqe në internet, duke bërë deklaratën që i kërkuan.

Pas kësaj filloi t’i bjerë telefoni dhe shumë media po i kërkonin ta konfirmonte deklaratën.

-Po ç’ma kërkoni mua bre, keni dëshmitarë nga PS që e di skenën tamam. Ai ma tha dhe mua, tha komisioneri.

-Kush është ky socialist që na e konfirmon i thanë gazetarët.

-Po ai bre Gaz Bizhga që vjedh vota në Durrës. Ai ma tha dhe mua ndaj e besova se socialist është ky thashë, i di ky këto punë.

-Ah po ai është me PD tani i thanë gazetarët?

-Me PD?. T’ëmën kur s’ia mora ato 25 eurot, e të kisha votuar PS.

Bujar Nishani ka bërë bujë në gjithë botën, pasi u mor vesh dekorimi i Akiut. Picajolët shqiptarë i kanë shkruar një letër zotit Nishani, në të cilën i propozojnë atij të prodhojë një dekoratë të re për picajolët.

Zoti President!

Jemi shumë të gëzuar nga fakti që ju keni ndjeshmëri për profesionin tonë. Fakti që ju dekoruat me Urdhërin e Skënderbeut një pronar picash në Austri, është një nderim për profesionin tonë.

Por jemi të shqetësuar pasi në këtë rast, ti duhet të kishe respektuar meritat e picajolëve shqiptarë në gjithë botën Disa prej tyre janë shumë të famshëm. Ju e dini se një shqiptar në New York, ka bërë picën më të madhe në botë dhe një piceri e famshme në Bruklin, është piceria shqiptare ku vjen ha çdo president i SHBA. Ju po ashtu keni ngrënë një herë pica në një restorant në Bronks që është shumë i famshëm, dhe në Manhatan është po ashtu një restorant i famshëm picash me famë botërore.

Për të shmangur keqkuptimet në të ardhmen, ne do t’iu dërgojmë një renditje të restoranteve më të mira në botë që bëjnë pica dhe kanë picajolë shqiptarë dhe ti vendos vetë, për dekoratat sipas renditjes që të dërgojmë ne.

Por ajo që kërkojmë ne, është që dekorata për picajolët të mos jetë “Urdhri i Skënderbeut”, por të krijohet një dekoratë e re, e quajtur “PicaJar shqiptar”. Kjo është një kombinim i fjalës picajol, me emrin tuaj Jari, duke e quajtur PicaJar. Kështu çdo picajol mund të marrë këtë dekoratë dhe nuk i ngelet më qejfi njeriu, ndërkohë dhe Skënderbeun e çliron nga një sherr i tepërt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje