Luli u jep shpresë lopëve të sëmura, me koalicionin me LSI

22 Nëntor 2016, 19:34Antena TEMA

Gjatë vizitës në fshatin Mjekës në Elbasan, Luli pati debate me fshatarët për të siguruar vaksinën për lopët e sëmura.

Fillimisht Luli filloi të dëgjonte një fshatar.

-Jam në hall të madh, tha. Kam një lopë, me atë mbajmë shpirtin gjallë. Ka dy javë sëmurë, dhe s’po gjejmë vaksina. Më thonë këta, “duhet të kesh dhjetë lopë, që t’i marrësh falas. Me një lopë që ke ti, duhet ta blesh”. D.m.th këta atyre që kanë shumë, ua japin falas, ne që kemi pak, na e japin me lekë.

-Ke shumë të drejtë, i tha Luli. Ne do ta ndryshojmë këtë situatë. Ne do t’ua japim ju pa lekë, dhe atyre që kanë dhjetë lopë, ta blejnë vetë.

-Prit, i tha fshatari, se nuk mbaron këtu halli. Shkova ta blej tek ai i Farmacisë bujqësore, por më tha se duhet të regjistrohem që ta më bëjë dhjetë përqind ulje. Më dha një formular para, më tha “po të jesh me PS ke 2 mijë lekë ulje, po të jesh me LSI, 5 mijë lekë ulje, po të jesh me PD, s’ke ulje”.

Dakord, jam me LSI, i thashë. Ma uli pesë mijë lekë.

-Ke shumë të drejtë, i tha Luli, kur të vijmë ne në pushtet, do ta kesh falas.

-Prit, i tha fshatari, se nuk mbaron këtu. E mora vaksinën dhe shkova në shtëpi. I thashë gruas, duhet të thërrasim veterinerin. Shkoi gruaja të pyeste në Komunë, e kishin heq veterinerin dhe kishin caktu në vend të tij një saldator.

-Unë gjilpëra s’di me bë, tha ai, por gjej noj kokër e futja nga goja.

-Jo, i thashë, është gjilpërë.

-A, s’kam ça të bëj, tha. Gjilpërat i bën ai i PS, por këtë drejtori e kemi ne të LSI.

-Ke shumë të drejtë, i tha Luli. Kur të vijmë ne në pushtet, gjilpërat do t’i bëjë veterineri.

-Prit, i tha fshatari, se s’mbaron këtu. U detyrova ja bëna vet vaksinën, duke gjet një veteriner privat. Si përfundim, lopa po ngordh. Vaksina ka qenë e skaduar. Si do vejë halli i lopës ime? A ka PD ndonjë program të qartë për këtë?

-PD i ka bërë thirrje gjithë shqiptarëve të bashkohen me të. Motoja jonë është aleancë me çdo forcë politike që nuk ka lidhje me drogën dhe krimin, tha Basha.

-Lere, tha fshatari, se e mora vesh. Prapë në dorë të këtyre të LSI do mbetet lopa ime.

-Jo, i tha Luli, nuk thashë që do bëjmë koalicion me LSI.

-E kuptova, tha fshatari. Akoma më keq. Sa të vish në pushtet pa LSI ti, kam vdek dhe unë, jo lopa!

1 komente në “Luli u jep shpresë lopëve të sëmura, me koalicionin me LSI”

  1. zgalem says:

    Humor me te shendetshem sot nuk gjen . Dikur ka bere te tille estradat Shkoder dhe Fier . Zgalem

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje