Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka inspektuar zonën e prekur nga rrëshqitjet e dherave në Kombinat.
Tahiri ka parë nga afër situatën dhe punën e Emergjencave Civile. Si pasojë e rrëshqitjes së dherave Emergjencat Civile kanë evakuuar 9 familje, banesat e të cilëve rrezikonin të shembeshin.
Sipas ministrit Tahiri kjo është një situatë emergjence dhe është shumë e rëndësishme që të merren masat për të shmangur rrezikun.
‘’Na duhet të rehabilitojmë zonën në mënyrë që rreziku i menjëhershëm të shmanget nga shtëpitë e banorëve dhe më pas duhet parë konkretisht çfarë lloj investimi duhet për të mos lejuar përsëritjen në të ardhmen – dhe këtë mund ta thonë ekspertët’’, tha ministri i Brendshëm.
Ai siguroi se këta banorë nuk janë vetëm pasi të gjitha strukturat shtetërore janë aty për të ndihmuar këto familje.
‘’Kohët e së kaluarës kur gjithë secili përballej vetë me hallet e veta, e jo vetëm me hallet e veta po dhe me hallet që i sillte natyra – kjo kohë ka përfunduar. Sot ne jemi në krah të qytetarëve, për t’i ndihmuar dhe për të shmangur qe të ndodhin pasoja në shëndetin, jetën apo pasurinë e tyre’’, theksoi ndër të tjera ministri Tahiri.