Rrëfimi i dhjetoristit: Ideja e Majkos për letrën që i çuam Adil Çarçanit në ’90-n

8 Dhjetor 2016, 09:46Dossier TEMA

Një letër e hapur plot ankesa, drejtuar ish-kryeministrit komunist Adil Çarçani, që rezultoi me disa arritje jo pak të rëndësishme, fillimisht në pranverën dhe më pas vjeshtën e vitit 1990. Arben Sulo, studenti i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike tregon për “Gazeta Shqiptare” se këto nisma i paraprinë protestës së studentëve më 8 dhjetori ‘90.

Pas kaq vitesh, Sulo gjykon se ajo demonstratë ishte shpërthimi i Lëvizjes Studentore, por aspak ngjarje e një nate a një dite, por diçkaje që kishte filluar të vlonte prej disa kohësh. Sebepi u bë shkëputja e energjisë elektrike, por studenti Arben Sulo u shndërrua në një ndër protagonistët kryesorë e liderët e Lëvizjes Studentore, njëkohësisht edhe ish-anëtar i Komisionit të parë Nismëtar të PD-së, i dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë” nga ish-presidenti Berisha në vitin 1992.

Ai rrëfen disa nga kujtimet e asaj periudhe të vështirë, por që solli në vend demokracinë e brishtë shqiptare. Dhe në ditët e para të saj, Arbeni provoi emigrimin në Itali për vite më radhë. U rikthye në Shqipëri sapo PD-ja erdhi në pushtet.

Punoi si drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes, që drejtohej nga Arben Imami, por u hoq nga puna sapo të majtët erdhën në pushtet. Prej disa muajsh Arben Sulo ka fituar gjyqin me ministrinë që drejton zj.Kodheli, por ende vazhdon të jetë drejtor në rezervë, pasi nuk i është dhënë e drejta për t’u ulur në pozicionin që mbante më parë.

Z.Sulo, cila ishte zanafilla e protestës së 8 dhjetorit ‘90 dhe cili ishte sebepi që ndezi revoltën e studentëve 26 vite më parë?

Po marr shkas nga një përshkrim i atyre ngjarjeve, i bërë nga kryeministri i vendit pak kohë më parë, gjatë prezantimit të një ekspozite të tij në Nju Jork, i cili tha se protestat e studentëve të dhjetorit filluan të frymëzuara nga një takim në Institutin e Lartë të Arteve, në përkujtim të vdekjes së John Lennon. Në vijim bile ka thënë edhe se studentët ishin të pirë, mesa kam lexuar. Demonstrata e 8 dhjetorit 1990 ishte shpërthimi i Lëvizjes Studentore, por aspak ngjarje e një nate a një dite, por diçkaje që kishte filluar të vlonte prej disa kohësh. Kam qenë gjithmonë në rreshtat e parë atë natë që shpërtheu revolta e që në momentet e para kur filluam të grumbulloheshim. Ju siguroj se nuk dinim gjë fare se çfarë bëhej tek Artet, aq më pak të frymëzoheshim prej tyre. Më vonë kam marrë vesh se çfarë ishte bërë atje, diçka në përkujtim të John Lennon, kishin kënduar e ndezur qirinj, komplet tjetër gjë. Sa për frymëzimin, disa prej nesh, ndër të cilët edhe unë, kishim kohë që kishim filluar të lëviznim me iniciativa të ndryshme brenda universitetit. Kujtoj lëvizjen e kursit tonë të IV të Inxhinierisë Elektrike, dega Industri, në pranverën e vitit 1990, letrën që hartuam dhe mbledhjen e hapur bashkë me drejtues të universitetit për kërkesat e ankesat tona, e cila u kurorëzua me disa arritje që tani mund të duken pak të rëndësishme, po në atë kohë ishin shumë të rëndësishme.

Arritëm të hiqnim një pedagog për sjelljet e tij arrogante ndaj studentëve e vendosëm kontrollin tonë nëpër mensat, si rezultat i ankesave tona për ushqimin e keq. Po ashtu, edhe në fakultete të tjera kishte pasur nisma të ndryshme, por po flas për ato që i kam jetuar vetë. Për të vijuar me lëvizje të tjera në vitin e ri shkollor në vjeshtën e vitit 1990, që do të kulmonin në demonstratën e datës 8 dhjetor. Pra, t’i kthehem variantit të kryeministrit tonë mbi lëvizjen studentore, nuk u frymëzuam në 8 dhjetor 1990 nga aktiviteti për John Lennon tek Artet për demonstratën që shpërtheu atë natë, frymëzimin e kishim prej shumë kohësh. Sa i përket faktit që paskemi qenë edhe të pirë, jo vetëm që nuk ishim të pirë, por as të ngrënë siç duhet. Edi Rama nuk ka qenë në 8 dhjetor 1990 te takimi tek Artet e në mos gaboj, nuk ka qenë fare në Shqipëri. U ndala te ky fakt, te kjo tendencë e sulme që vijnë nga të gjitha krahët për të zbehur lëvizjen tonë, me lloj-lloj trillimesh e hamendësimesh, duke zbehur vlerat e saj, nga njerëz që nuk kanë kontribuar në atë periudhë e kanë xhelozi e komplekse, ose kanë urrejtje organike prej prejardhjes së tyre, ose thjesht për t’u bërë protagonistë të diçkaje që nuk kanë qenë. Akoma më e rëndë është kur një përshkrim i tillë vjen nga kryeministri, sepse institucionalizon një qëndrim armiqësor ndaj një ngjarjeje të madhe e aq të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë.

Ju përmendët një letër të hapur për ish-kryeministrin Çarçani. Kush e ideoi atë dhe çfarë kërkonit përmes saj?

Një lëvizje e rëndësishme që u bë prej fakultetit tonë ishte letra e hapur, drejtuar ishkryeministrit Adil Çarçanit në fillim të vitit shkollor. Në atë letër u bënë kërkesa për përmirësimin e jetesës e në të njëjtën kohë edhe për demokratizimin e jetës në shkollë. Se kush e ideoi atë letër nuk e di, por me sa mbaj mend, atë ide na e solli Pandeli Majko, i cili në atë kohë ishte sekretar i rinisë së fakultetit dhe u diskutua e u shkrua me ne studentët e kursit të 5-të të Inxhinierisë Elektrike, si forca goditëse më aktive e fakultetit edhe për hir të precedentëve që përmenda më sipër. Kjo letër bëri bujë dhe vuri në lëvizje strukturat qeveritare e partiake të asaj kohe. Këto u pasuan edhe me lëvizje të tjera. Dua të kujtoj se prej disa kohësh, pothuaj përnatë hidheshin parulla kundër sistemit. Për t’u përmendur është edhe takimi që bëri Adil Çarçani në paraditen e datës 8 dhjetor me studentët në godinën e vajzave të Inxhinierisë, në të cilin disa studente i folën shumë ashpër. Ngjarjet precipituan po atë mbrëmje, duke arritur kulmin me demonstratën e studentëve.

I rikthehemi mbrëmjes së 8 dhjetorit. Protesta ishte spontane apo e mirorganizuar?

Po, do mundohem të veçoj disa momente kyçe, gjithmonë sipas asaj që kam përjetuar vetë e në këndvështrimin tim. Më sipër përshkrova situatën në prag të shpërthimit të Lëvizjes Studentore. Atë mbrëmje të datës 8 dhjetor 1990 sebepi u bë një prishje në sistemin elektrik, që vijoi me parullat e sharjet kundër sistemit, gjë që ishte bërë gjithmonë e më frekuente në godinat tona. Jo më kot përdora fjalën sebepi, se situata po bëhej përditë e më inkadeshente dhe ishte si puna e fuçisë me barut, që është gati të shpërtheje edhe nën nxitjen e një shkëndije të vogël. Gjithçka filloi në godinat e Inxhinierisë Mekanike- Elektrike e atë të minierave që gjendeshin në pjesën e sipërme të “Qytetit Studenti”. Fakti që ngelëm pa drita bëri që një pjesë e studentëve dolën jashtë godinave, parullat kundër regjimit po shpeshtoheshin, studentët duke qenë bashkë, i jepnin forcë e guxim njëri-tjetrit, e filluam të zbrisnim poshtë duke na u bashkuar edhe studentë të tjerë rrugës e duke u bërë thirrje të dilnin edhe studentëve të tjerë që ishin brenda godinave. Pak më poshtë njoha edhe Azem Hajdarin, i cili kishte hipur në një stol guri duke i folur e inkurajuar turmën, i cili që prej atij momenti u vu në krye të turmës e me të cilin pastaj kam qenë shumë pranë atë natë e në ditët në vijim. Më vonë bëmë thirrje të shkonim drejt qendrës, të dilnim nga “Qyteti Studenti” e rrugës u bëmë thirrje edhe vajzave që të na bashkoheshin e shumë prej tyre iu përgjigjën thirrjes sonë e u bashkuan me ne duke marshuar poshtë drejt qytetit. Pra, kështu lindi. Unë të paktën kështu e përjetova. Sa për organizimin, siç e thashë, nuk kishim asnjë lloj organizimi, hap pas hapi që zbrisnim për të protestuar, rriteshim në numër e i jepnim forcë njeri-tjetrit, më vonë duke u vënë në krye disa prej nesh, pra një organizim spontan.

Ju flisni për organizim spontan e liderë të krijuar aty për aty gjatë protestës. Besoni se kishte edhe të infiltruar nga regjimi mes studentëve?

Spiunët e të infiltruarit kanë ekzistuar në çdo kohë e do të ekzistojnë, për më tepër në atë kohë që Sigurimi i Shtetit ishte kudo. Për këto arsye, nuk mendoj se strukturat e shtetit nuk do përpiqeshin të fusnin brenda nesh elementë për të marrë informacion e kontrolluar sa më shumë të mundnin Lëvizjen. Nuk kam asnjë provë që të më flasë për një skemë e njerëzit e futur, kush e çfarë urdhrash kishin marrë. Po bëj një arsyetim hipotetik e do çuditesha sikur strukturat e shtetit të diktaturës së proletariatit të mos përpiqeshin të bënin një gjë të tillë. Por nga ana tjetër jam i bindur se unë personalisht isha përfshirë aty në mënyrë spontane, i pafutur nga kurrkush e pa asnjë mburojë e jam i sigurt se si unë ishin shumica e studentëve, me të cilët ndanim jetën, vështirësitë, ëndrrat prej shumë kohësh.

Cili ishte konkretisht synimi i protestës?

Thashë se sebepi ishin dritat, por ju përmenda edhe se si prej kohësh po rriteshin lëvizjet e studentëve, me kërkesa në rritje e gjithmonë e më të qarta. Po atë ditë në takimin me Adil Çarçanin, studentët kishin folur shumë ashpër ndaj sistemit. Ne, ndërsa marshonim duke synuar të shkonim në qendër të Tiranës, përveç parullave, këndonim edhe këngë patriotike “… se mjaft në robëri moj e mjera Shqipëri, o djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje ja liri..”. Më qartë se kaq, duke konsideruar edhe kohën?! Ju duken këto si kërkesa të thjeshta ekonomike?!

Si vijoi demonstrata dhe si arritët deri te takimi me Alinë atë natë?

Vazhduam të zbrisnim poshtë “Qytetit Studenti”, me synim të shkonim drejt sheshit “Skënderbej” e të na bashkohej edhe populli i Tiranës. Patëm disa pengesa rrugës prej forcave të policisë, erdhi aty edhe ish-ministri i Arsimit, Gjinushi; ish-sekretari KQR, Lisien Bashkurti dhe ndonjë tjetër, që përpiqeshin të na bindnin të ktheheshim. Më vonë erdhi vetë ish-ministri i Brendshëm.

1 komente në “Rrëfimi i dhjetoristit: Ideja e Majkos për letrën që i çuam Adil Çarçanit në ’90-n”

  1. dylaver bidon matrapiku says:

    mir mir me teori se dihet qe demokracija dhe lirija jan me te mirat e te mirave,por ne praktik. dicka stonon.
    shikoni me vemendje fotografit e asaj kohe. shikoni portretet e njerzve,syt. ..
    duken si portrete dobice,si njerez dobica,qe bejn dobiclliqe.
    un jam piktor fotograf dhe dalloj mir ne ato buzqeshje tinzare shkerdhnore dobice shqiptareske dicka qe s shkon mir. dhe u pa sesi vajti historija. “duam liri demokraci ” therritej atehere nga “dobicet e fotove me ftyra dobice” dhe ndertuan shkerdhatni -dobicnine qe te gjith “e gzojm” sot ne shqipni tash e cerek shekulli.
    sepse,nuk mjafton vec te prishesh. duhet te dijsh ca te ndreqesh.
    dhe ,po t shofesh foto e shqiptarve ne histori,po t shofesh shqiptar neper bot,se c kan nje rrezatim dobicnor ne ecje,ne llafosje,ne sjellje,ne qendrim…
    “paskena qen komb dobic mor ja q!fsha rracen”-tha nje intelektual shqiptar kur po e merrnin perpara keq shkerdhatat.
    prandaj edhe shqipnija s behet. sepse fiton dobicnija.
    dhe,bota pasi e pa se kush jan shqiptaret,i dergon atyre dobica qe te merren me ta. ambasdor dobica vijn ne shqipni,bisnesmen dobica,artist dobica,trajner sporti dobica,dhe rezultati? – dihet dobicni totala kombtare.
    edhe kualifikimi ne futboll me dobicni u arrit.
    edhe ,futja n europ me dobicllik po behet. edhe anetarizimi ne NATO ishte nje dobicllik.(shqipnija ,kjo ngordhalaqe biblike,te ndjehet perkrah t fortve te botes ne NATO si partnere!!!) a ka dobicllik me masiv sesa kjo gje?
    esht njisoj skur t shofesh perkrah luanit mbret ne stepat e afrikes nji lepur te eger veshgjat qe pordhnon dhe ben si I fort.natyrisht mas bythes se luanit,se po t mos jet luani aty ,dijn se cfar I bejn ato hijenat qe vijn verdall me dhemb perjasht e jarget qe I varen … nje dobicni egersore kjo pamje,dobicni pylli.
    o shqiptar
    o komb dobic
    shet shum pordh
    porse je hic.
    kur “te fortet”
    t varin caret
    do te jesh
    dru per druvaret.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje