Administratori i deleguar i Juventusit, Bepe Marota, i ka kthyer përgjigje zërave të merkatos të ditëve të fundit. Klubi bardhezi siguroi firmën e Rinkon, por mendohej se po ndiqte Galjardinin i cili me sa duket do të përfundojë te Interi, shkruan “Panaroma Sport”.
“Për Galjardinin nuk kemi bërë asnjëherë negociata, është një profil i cili nuk është funksional për politikat tonë. Në mesfushë kemi lojtarë të rëndësishëm si Sturaro e Lemina që janë bashkëmoshatarë të tij, ndaj nuk ka asnjë zhgënjim për të cilin mund të flitet.
Dibala te Reali? Janë vetëm zëra që qarkullojnë, por kemi një raport të mirë me të, ka firmosur për 5 vite dhe tani jemi në fazën e rinovimit të kontratës. Asnjë problem apo raporte të tensionuara, përkundrazi, për të është krenari që vesh një prej fanellave më prestigjioze në botë.
A do të kthehet Morata? Ai është i lidhur sentimentalisht me Italinë dhe Juventusin, ia ka kaluar shumë mirë këtu, por kjo nuk do të thotë asgjë. Ai është lojtar i Real Madrid dhe është e drejtë që të mos e tejkalojmë këtë fakt”, deklaroi Marota.