Këto javë kur opozita është e paqartë, nëse duhet të hyjë në zgjedhje apo jo, Kunati është në hall për të nxjerrë njerëz në konferencë shtypi, pasi temat kryesore janë tabu dhe nuk duhen prekur.
Duke u konsultuar me Lulin për tematikën e daljeve publike disa ditë më parë ai ngeli shumë keq.
-Nesër duhet të nxjerrim Ristanin për bojkotin e zgjedhjeve,- i tha Kunati.
-Jo jo, nuk do flasim më për zgjedhjet, se ishte nxehur Doktori, tha Luli.
-Po mirë të flasim për numërimin elektronik, nxjerrim Ennon me dy n se ai merr vesh nga kompjuteri.
-Jo, as për atë se mërziten këta të OSBE,- i tha Luli.
-Po mire, të flasim për këtë protestën e Ora News para AMA, i tha Kunati.
-Jo se na mërzitet Sandri, i tha Luli, mos të përzihemi me të.
-Të flasim për këtë informalitetin në media, i tha Kunati, se këtu po marrin gazetarët rrogën në të zezë.
-Jo se na mërzitet Zeni se i ka gjithë portalet në të zezë. -Po mirë atëhere po mendoj ndonjë gjë e po ta them,- i tha Kunati.
Dje i dërgoi taktikën e re të opozitës.
“I dashur Luli. E gjeta cfarë do bëjmë. Kam gjetur një zgjidhje që është mes stilit të Doktorit dhe stilit tonë. Kam gjetur “vrojtuesin dixhital”. Është një personazh që rri në Rinas dhe numëron hyrje-daljet e ministrave dhe të afërmve. Më ka sjellë këtë raport.
I dashur Kunat. Dje me avionin e mbasdites për në Vienë iku Ben Ahmetaj me dy femra. Yll ishin të dyja. Njëra i mbante dhe çantën Benit dhe kur kaloi afër meje, i tha diçka për motin . Kjo do të thotë se po iknin për qejf në Austri.
Në darkë u pa Erion Veliaj tek pullë. Po fliste me njërin në telefon dhe i tha më dil në Bergamo, se e kam me urgjencë, nuk dua të njoftoj njeri. Me sa kuptova ikte për qejf diku dhe donte t’u fshihej njerëzve nga sytë.
Në avionin e fundit nga Firence erdhi kunati i Bled Klosit, dhe më duket se Bledi ishte maskuar të mos njihej. Dëgjova që po fliste për ditëlindjen e Klosit. Seç paska pasur një sherr aty.
Sot në mëngjes herët pashë Ed Ramën me dy gra dhe tre burra që po iknin në Singapor. Me siguri do shkojë të shesë pikturat, pasi e dëgjova që i tha asaj Ekonomit, që të jetë e qartë kur të flasë, se ata kanë lekë.
Kur kaloi tek ndërtesa VIP nuk pranoi të pinte çaj mali, dhe ja shtyu kamarierit, duke e share: ”Sikur ke shtrydhur gazetën 55 brenda”,- i tha.
Po pres avionët e drekës se më thanë që mund të vijë gruaja e Bled Çuçit nga Italia, pasi kërkon të maskohet që ka shkuar të përmbysë Gruveskin me Sorosin në Maqedoni dhe kthehet nga Italia.
Jam në pritje dhe të Majlinda Bregut se do kthehet nga Beogradi, por do ta shikoj kush e shoqëron. Për çdo hollësi do jemi në kontakt.”
Tani unë mendoj që për këto temat rozë të nxjerrim Gridën se asaj i shkojnë shumë dhe është e besueshme se duket vajzë e bredhur. Kështu dhe Doktorit i bëjmë qejfin me “vrojtuesin dixhital” dhe Grida del më e sigurt dhe më e kuptueshme.
-Dakord jam, tha Luli, vetëm ky vrojtuesi të jetë njeri i besuar dhe hiqe nga shërbimi të premte mbasdite kur iki për Hollandë dhe të hënë kur kthehem. Se nuk duam të zhgënjehet, duhet ta bëjë punën me shpirt.
Mos ki merak tha Kunati, se nuk ekziston. I bëj vetë këto raportet me çfarë dëgjoj, por ta kemi dhe ne një zëdhënës si Doktori.