Kunati ndëshkon Ermal Mamaqin për intervistën me lali Erin

9 Janar 2017, 19:03Antena TEMA

Emisioni “Xing me Ermalin”, i cili këtë javë ka pasur të ftuar Erion Veliaj, ka shkatuar shumë probleme në PD.

Mijëra mesazhe në adresë të Kunatit kërkojnë përjashtimin e Ermalit nga Këshilli Kombëtar i PD dhe ndëshkimin e tij për emisionin.

I vendosur para përgjegjësisë, si një nga propozuesit e tij për Këshillin Kombëtar, Kunati i ka çuar një letër Ermalit, ku i paraqet kushtet që duhet të plotësojë për të vazhduar dhe më tej anëtar i Këshillit Kombëtar të PD:

“I nderuar zoti Mamaqi!

Ndoqa me mërzitje të thellë emisionin tuaj humoristik të javës së fundit dhe të ftuarin tuaj.

Mijëra demokratë nga gjithë Shqipëria, kanë shprehur indinjatën e tyre, që ti ke qeshur me shakatë bajate të lali Erit në ekran dhe që nuk ke bërë detyrën tënde si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD.

Për të qetësuar situatën dhe për të vënë në vijë partishmërinë tuaj, po ju jap vërejtjet e e mëposhtme.

Detyra juaj është të bëni njerëzit të qeshin me punën e lali Erit dhe jo t’i bëni njerëzit të lumtur me punën e tij.

Kufiri mes të qeshurës dhe lumturisë është vërtet i vogël, por cilësisht i madh.

Të qeshësh me punën e tjetrit do të thotë të mos e pëlqesh atë, kurse të të bëjë dikush për të qeshur me lot, do të thotë ta duash atë.

Ti ke bërë këtë të dytën dhe ke detyruar miliona njerëz të qeshin dhe të kënaqen me punën e tij.

Kjo nuk të falet.

Ti ke prerë në besë një taksist demokrat, i cili sapo filloi të shajë lali Erin, ja zure të sharrën në fyt dhe e detyrove të duket i paburrë duke e dredhur.

Pra, mirë që frenove një zë opozitar, por e paraqite atë dhe si njeri pa karakter.

Kjo është një fyerje e rëndë për demokratët në mbarë Shqipërinë.

Nga mënyra se si ke promovuar punët e lali Erit, duket vërtet sikur unë dhe Luli kemi fjetur gjumë katër vjet dhe ky me një vit na ka lënë shumë mbrapa.

Kjo është propagandë e PS dhe ti nuk duhet të kishe rënë pre e kësaj propagande, por duhet ta kishe diskretituar.

Ti ke deformuar tekstin e këngës nga “Ku ka si Tirona mo lale”, në “Ku ka si Tirona mo lali”, e cila ka rënë në sy për keq, pasi ke identifikuar Tironën me lali Erin.

Duke folur për parkun e lojërave, ti nuk nxorre si duhet në dritë faktin që këto ditë të ftohta dimri, kalamajtë nuk po shkojnë tek këndi i lojërave dhe ai investim ka shkuar dëm.

Kemi shumë dyshime se lali Eri ka bërë prova si aktor dhe ka përgatitur batutat, se nuk ka mundësi të jetë aq gazmor si tip, ndërkohë që ne kemi dyshimet tona më të rënda, që ai ishte një aktor humori i Portokallisë, që kishte vënë maskën si lali Eri.

Emisioni ka shkaktuar një mërzitje të thellë tek demokratët, mërzitje që mund të kompensohet vetëm nëse ti kërkon falje publike dhe pranon që e ke bërë emisionin, i detyruar nga Sandri për një leje ndërtimi.

Brenda muajit ti duhet të marrësh urgjent si të ftuar në studio Ennon me dy “n”, dhe aty do të shikojmë zotësinë tënde, nëse i bën dot njerëzit për të qeshur me Ennon.

Pas Ennos me dy “n”, duhet të marësh në stduio Strazon, pasi është i vetmi që sakrifikoi, duke dalë në protestë kundër lali Erit me kobure në brez. Aty do të shikojmë nëse ti “pjerdh, apo nuk pjerdh” nga koburja.

Emisioni të hiqet nga rrjetet sociale, nga faqja e TV dhe nga çdo ritrasmetim.

Nga ty presim një autokritikë me shkrim, si dhe një tekst humori kundër lali Erit, si provë që nuk je shitur përfundimsht.

Në pritje të zbatimit të këtyre masave po të njoftoj ngrirjen e statusit tënd, si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje